E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigracioni, kërkohen lehtësira për mësimin e shqipes

Forumi

Evidentimi i problematikës shumëpalëshe të emigracionit shqiptar, duke përfshirë çështjet ligjore, social-ekonomike dhe arsimore, ishte qëllimi i konferencës së djeshme të organizuar nga Forumi Shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve. Ky takim synonte sidomos dhënien e rekomandimeve ndaj institucioneve shqiptare për të sjellë në fokus problematikën e popullatave migratore. Krijimi i kushteve për punë e jetë normale në Shqipëri, me qëllim frenimin e ikjes nga vendi, ishte një nga rekomandimet kryesore të forumit për Ministrinë e Punës dhe çështjeve Sociale. Kjo organizatë i bën thirrje edhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për marrjen e masave në lehtësimin e procesit të mësimit të gjuhës shqipe për brezin e ri të emigrantëve. Specialistët e këtij forumi shprehën bindjen se këto rekomandime do t’i shërbejnë përmirësimit të situatës aktuale, duke orientuar masa emergjente dhe politika të qëndrueshme. Një tjetër qëllim i këtij dokumenti të detajuar me rekomandime specifike ishte edhe sugjerimi i rrugëve për lehtësimin e procesit të integrimit të këtyre popullatave në shoqëritë civile. Pjesëmarrës në këtë takim ishin ekspertë të çështjeve të migracionit, akademikë, përfaqësues të shoqatave të emigrantëve, emigrantë dhe studentë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›