Kapet hajduti që theu kasafortën e Komunës Lazarat
Policia e Gjirokastër ka mundur të arrestojë një person që dyshohet se ka kryer një zinxhir të gjatë vjedhjesh në qytetin e Gjirokastrës dhe në rrethinat e tij, midis të tjerave i dyshuar për shpërthimin e kasafortës në arkën e zyrës së financës të Komunës Lazarat. Ndërkohë, dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim si bashkëpunëtorë në këto vjedhje spektakolare. Ndalimi dhe arrestimi i 28-vjeçarit Roland Aliu, lindur dhe banues në Gjirokastër, i dënuar më parë për vjedhje, është bërë mesnatën e së mërkurë, pasi në bazë të provave të policisë dyshohet se ai është autor i disa vjedhjeve të kryera gjatë muajve të fundit në qytetin dhe rrethinat e Gjirokastrës në lokale dhe banesa, si dhe në arkën e Komunës Lazarat. Nga burimet zyrtare të policisë mësohet se më 3 mars 2010, ky person, së bashku me dy të tjerë, janë futur nga dritarja në godinën e Komunës Lazarat, ku kanë vjedhur rreth 101 mijë lekë në kasafortën e zyrës së financës së kësaj komune. Më 23 qershor 2010, Roland Aliu dyshohet se është futur nga dritarja e pasme e një lokali të lojërave të fatit në lagjen “18 shtatori”, ku ka vjedhur 350 mijë lekë. Më 1 korrik 2010 ai ka tentuar të vjedhë një tjetër lokal lojërash fati në të njëjtën lagje të Gjirokastrës, por është diktuar nga roja dhe është larguar. I arrestuari me akuzën e shumë vjedhjeve, Roland Aliu, dyshohet edhe për dy vjedhje të tjera banesash, për të cilat po punohet nga agjentët e policisë për dokumentimin e tyre me prova ligjore.
#