Liberalizimi i vizave, brenda vitit 2010
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tanimë edhe në postin e ministrit të Jashtëm konfirmoi para të rinjve të kësaj partie se më 2010 do të liberalizohen vizat. Në një mbledhje të KDK-së të Lëvizjes Rinore për Integrim, Meta, kërkoi angazhimin e të gjitha forcave për kryerjen e reformave. "Angazhimi i të gjithë neve në qeveri dhe jashtë qeverisë, i gjithë forcave politike edhe i forumeve rinore sikurse është Lëvizja Rinore për Integrim, i shoqërisë civile, i grupeve të interesit duhet të jetë në radhë të parë plotësimi i detyrimeve tona me përgjegjësitë që kërkon ky moment i ri ndaj vendit", deklaroi kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Në takimin e LRI-së, kryetarja e këtij forumi, Erisa Xhixho, u ndal në projektet konkrete që do të zhvillojë ky forum. Ajo theksoi se ristrukturimi i LRI-së në të gjithë vendin do të zhvillohet njëkohësisht me organizimin e debateve të hapura dhe takimeve për problematikat ka sot rinia shqiptare. "Ne që sot fillojmë një punë intensive dhe të organizuar që në zgjedhjet e ardhshme lokale, LSI-ja të arrijë një fitore bindëse", tha Xhixho.