Liberalizimi i vizave, meritë e qeverisë, opozita të reflektojë
Deputeti i PD-së Mark Marku
Deputeti i Partisë Demokratike, Mark Marku, u shpreh dje se procesi i liberalizimit të vizave është në rrugë të drejtë dhe se kjo është padyshim një meritë e qeverisë “Berisha”. Gjatë një prononcimi për mediat, Marku vuri në dukje se vendimi pozitiv i Komisionit Evropian, do i shërbejë qeverisë si nxitje për vazhdimin e kursit të reformave.
“Miratimi i rekomandimit për vizat është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Marrja e vendimit pozitiv për liberalizimin e vizave në 2 qershor në Sarajevë nuk do të shpërdorohet nga qeveria, por do të jetë një nxitje për të në ndërmarrjen e reformave të tjera”, deklaroi deputeti, Marku.
Deputeti demokrat shtoi gjithashtu se mazhoranca nuk do ta përdorë procesin e liberalizimit të vizave si një kredit për të sulmuar opozitën, por theksoi se kjo arritje duhet të jetë një moment reflektimi për këtë të fundit.
“Qeveria ka një axhendë tjetër shumë afatgjate dhe nuk e konsideroj që heqjen e vizave për Shqipërinë ta përdorë si një kredit për të sulmuar kundërshtarët politik. Shpresoj që liberalizimi i vizave të jetë një moment reflektimi për opozitën”, tha më tej ai.