“Liberalizuan” vizat, akuzë për falsifikim pasaportash
Trazhgim SokolajDy persona që kishin “liberalizuar vizat” për dhjetëra shqiptarë të interesuar për udhëtim në vendet e BE, akuzohen nga prokuroria e Tiranës për falsifikim pasaportash bullgare. Burime zyrtare nga organi i akuzës, thanë se kanë përfunduar hetimet ndaj dy personave të arrestuar në 24 prill 2009 në një bazë falsifikimesh në Tiranë. Të pandehurit e dosjes penale e cila bën fjalë për falsifikimin e dhjetëra pasaportave bullgare, janë Shpëtim Bega 45 vjeç dhe Bujar Sallata, 38 vjeç, të dy banues në Tiranë. Prokuroria i akuzon dy të dyshuarit se kishin ngritur një bazë falsifikimesh në afërsi të “21 Dhjetorit” në Tiranë ku kryenin manipulimin e pasaportave bullgare të cilat i shisnin më pas tek personat e interesuar kundrejt shumave deri në 100 euro. Për të bërë më të besueshme dokumentet, dy personat e dyshuar kryenin fillimisht falsifikimin e kartës së identitetit të personit të cilin më pas e “pajisnin” edhe me pasaportë false, po ashtu bullgare. Me anë të këtyre dokumenteve, personat përfitues udhëtonin në Bullgari dhe më pas nga ky vend, hynin në zonën shengen pa pasur nevojë për tu pajisur me vizë të posaçme. Pikërisht për shkak të “liberalizimit të vizave” që kryenin dy të pandehurit, sipas prokurorisë ata kanë pasur numër të konsiderueshëm kërkesash për falsifikimin e dokumenteve. Hetimi i falsifikimeveProkuroria tha se ka marrë një material kallëzues nga policia e shtetit në fillim të vitit 2009, për aktivitetin kriminal të dy personave. Ata ishin profilizuar në falsifikimin e pasaportave bullgare dhe kartave të identitetit. Pas disa muajsh hetime policia dhe prokuroria realizuan vëzhgimin dhe mbikëqyrjen e veprimeve që kryenin dy të dyshuarit duke arritur në përfundimin se në një ambient tek “21 Dhjetori”, ata kishin vendosur pajisjet me të cilat kryenin falsifikimet. Pas caktimit të provave policia i autorizua të ndërhynte për kapjen e dy personave. Më 24 prill 2009, agjentët e Sektorit të Antikrimit Ekonomik realizuan kapjen në flagrancë të dy personave të pandehur. Ata u arrestuan me dy pasaporta bullgare që ishin në proces falsifikimi. Kontrolli në banesat e dy të akuzuarve, zbuloi më pas edhe një sërë dokumentesh të tjera false të cilat u bllokuan në cilësinë e provave materiale. Në ambientet ku kryhej falsifikimi policia bllokoi edhe kompjuterin i cili përmbante mbi 40 mostra dokumentesh e vulash shtetërore, skanerë, printer dhe një sërë mjetesh të tjera me të cilat kryheshin falsifikimet. Gjatë arrestimit në flagrancë, dy personave iu kapën dhe bllokuan në cilësinë e provave materiale edhe një karte identiteti që përputhej me njërën nga pasaportat në proces falsifikimi si dhe dokumente automjetesh që po manipuloheshin me të dhëna të rreme. GjykimiNë përfundim të hetimeve prokuroria ka ngritur akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare si dhe të formularëve, stampave dhe vulave ndaj Shpëtim Begës dhe Bujar Sallatës. Dosja penale në ngarkim të tyre është dërguar në gjykatën e kryeqytetit ku pritet të fillojë shqyrtimi gjyqësor i provave të grumbulluara në fashikull gjatë hetimeve paraprake. Sipas prokurorisë, në momentin e ndalimit, dy të dyshuarit kishin mese një vit që ushtronin aktivitetin e falsifikimit të dokumenteve.Të akuzuaritShpëtim Bega Bujar SallataProvat2 pasaporta bullgare, false1 kartë identiteti, falseKompjuter, USB, skaner dhe printerë