Shkollat 9-vjeçare, në sitë për cilësinë
Kontroll shkollave 9-vjeçare në të gjithë vendin për cilësinë e mësimdhënies. Pas ankesave të nxënësve e prindërve MASH do të bëjë akreditimin edhe në arsimin e detyruar. Do të ketë një listim të shkollave nga më e mira deri te më e dobëta sipas kritereve të përcaktuara .Ky proces do të kryhet nga drejtoritë arsimore të cilat janë udhëzuar të ngarkojnë inspektorë të posaçëm për të kryer vlerësimin. Rezultatet e përgjithshme të nxënësve do të jenë kriteri më i rëndësishëm që do të merret në konsideratë . Mesatarja e notave të nxënësve në Provimet e Lirimit do të këtë një peshë madhore në këtë proces. Ndërkaq në vlerësimin e cilësisë së shkollave do të merren parasysh edhe kushtet që ofrojnë për sa i përket infrastrukturës, ambienteve, laboratorëve dhe pajisjes së tyre. Një kriter tjetër që do të vëzhgohet nga specialistët vlerësues të cilësisë do të jetë edhe mbajtja e uniformave nga nxënësit, si dhe numri i largimeve nga orët e mësimit. Nuk do të harrohen elementët e mësimdhënies, ku kualifikimi i mësuesve do të zërë një pjesë të konsiderueshme në vlerësimin e përgjithshëm të shkollave 9-vjeçare. Nga sa bën me dije MASH brenda këtij viti do të përfundojë gjithçka dhe çdo familje do të dijë me siguri se në çfarë niveli është shkolla ku ka regjistruar fëmijët. Nga ana tjetër, renditja e shkollave sipas cilësisë, parashikohet të rrisë edhe konkurrencën midis tyre, për të arritur rezultate sa më të mira në mësimdhënie.