“Si luftuam me ujin të shpëtonim stacionet e pompave 40 mln euro”
Nga i dërguari ynë, Ferdinand Dervishi Flauers Shoshi, protagonisti që rrëfen këtë histori, është i ri në moshë. Kështu që për heronjtë e kohës që dikur epitetohej si ndërtim i socializmit, nuk e ka haberin. Për ata të mjerët që sakrifikuan jetën për hiçgjë. Për Pjetër Dodën, fillërojtësin, që ngriu në borë për të lidhur linjën e këputur të telefonave, apo Isuf Plloçin, që u dogj për të shpëtuar pyllin nga djegia e kështu me radhë, h istoritë e të cilëve propaganda komuniste e kohës i përdori me sukses duke trumbetuar vetësakrifikimin “për pasurinë socialiste”, “për të mirën e përgjithshme”. Por, pavarësisht mosnjohjes, historia e këtij njeriu të gatitur në gati 20 vjet demokraci, për çudi është krejt e ngjashme, edhe pse fatmirësisht e përfunduar me happy-end. Sepse Flauersi dhe pak punëtorë të tjerë të ujësjellësit Fshat-Shkodër, arritën që gjatë ditëve më të egra të përmbytjes, t’i shpëtonin shtetit një investim prej rreth 40 milionë eurosh duke sakrifikuar jo vetëm në një rast jetët e tyre. Një histori që Flauersi, njeriu me emrin e pazakontë, e rrëfen duke e përjetuar sërish dhe duke përsëritur shpesh se në një rast të dytë, mbase nuk do të tregohej aq shumë i guximshëm.Zotëri, na tërhoqën vëmendjen disa pamje të regjistruara me celular, që tregonin ca thasë me rërë, rrethuar me ujë nga të gjitha anët, sikur të ishte një anije mes detit. Mund të na tregoni me nge këtë histori?Ato që keni parë i kam regjistruar unë me celular. Bëhet fjalë për stacionin e pompave që gjendet në Trush, rrugës për në Velipojë. është më i madhi dhe më i kushtueshmi, por jo i vetmi që ato ditë u rrezikua nga përmbytja. I gjithë rrjeti i pompave të ujësjellësit ku unë jam drejtor, ka kushtuar rreth 40 milionë euro dhe inaugurimi është bërë një vit më parë. Ditën që uji shpërtheu në zonë, në datën 5 janar, unë shkova vetë te stacioni i Trushit. Sepse ky është më i madhi dhe më i kushtueshmi. U përgatitëm për më të keqen, gjetëm një gomone të vogël nga ato që përdorin fëmijët në plazh, morëm një kamion me rërë dhe nisëm të mbushnim ca thasë që na i lanë ata të ushtrisë. Kur niveli i ujit u rrit, vetëm roja, Mark Gjeka, qëndroi me mua. Të tjerët me telefonuan duke më thënë se nuk mundeshin, se kishin familje e fëmijë, se po të doja edhe mund t’i hiqja nga puna... Ndërkohë niveli i ujit rritej aq shpejt, saqë mund të shihej me sy të lirë. Shpejt u rrethuam nga të gjitha anët dhe po të shohësh vendin ku është stacioni, e kupton lehtë se kodra më e afërt është 2 kilometër larg. Aty, pas thasëve me rërë, e kam bërë videon që ju tërhoqi vëmendjen.Përse duhet të ngujoheshit aty? Përse nuk shkëputët energjinë dhe të iknit në shtëpi?Sepse po të shkëputej energjia, stacioni do të përmbytej ndërsa vlera e dëmit do të ishte rreth 6 milionë euro, pasi pompave edhe pajisjeve të tjera elektrike të komandimit, po iu fut uji, duhen hedhur dhe zëvendësuar me të reja. Pra e gjithë lufta bëhej që uji të mos përmbyste stacionin. Pompat ndodhen 3 metër apo më shumë nën sipërfaqen e tokës, prandaj ishin shumë të rrezikuara. Montuam disa pompa të vogla që të hiqnim ujin që kishte nisur të futej në brendësi nga të çara të ndryshme, ndërkohë që sytë i kishim jashtë te transformatori i fuqishëm, 35 kilovolt. Dikur uji arriti te pragu i derës, ku ne kishim vënë thasët me rërë. Kështu vazhduam të punonim duke i mbushur me rërë e duke i vënë njëri mbi tjetrin derisa natën vonë, duke punuar deri në mes zhytur në ujë, niveli arriti dy gisht pa u futur në dritare. Por problemi më i madh na doli me transformatorin. Sepse niveli i ujit iu afrua rreth 10 centimetër dhe dallgët - se tashmë sipërfaqja e përmbytur po funksiononte me ligjet e detit - e preknin korrentin për një të qindtën e sekondës. Kaq mjaftonte që korrenti të transmetohej përmes ujit dhe të na godiste e hidhte tej rryma prej 35 kilovolt. Fatmirësisht e kuptuam shpejt dhe shumicën e kohës nisëm të rrinim mbi drunj, apo plastikë, që e përcjellin keq energjinë.Pra ju nuk mund të shkëpusnit korrentin që vinte në transformator, vetëm sepse duhet të kishit pompat e vogla, që nxirrnin ujin nga kafazi i pompave të mëdha?Po, vetëm për këtë qëllim. Duhet të kuptoni se pompat janë nën nivelin e tokës dhe uji depërtonte aty, qoftë nga thasët që kishim vënë te dera, qoftë nga vrima të tjera të kabllove të korrentit. Nëse pompat nuk do të punonin vetëm pak orë, gjithçka do ta merrte lumi, i gjithë mundi do shkonte dëm. Po ditën tjetër a u rrit më tej niveli?Niveli fatmirësisht mbeti dy gisht poshtë duraluminit të dritareve. Kur zbardhi dita, në datën 6 janar, dolëm të kërkonim ndihmë. Dola jashtë bashkë rojen, Mark Gjekën, dhe vetëm kur hipëm në gomone u kujtuam se nuk kishim lopata. Era na mori dhe na çoi drejt Dajçit, duke na përplasur pas një stani bagëtish. Aty thyem dy dërrasa dhe i përdorëm si lopata. Në këtë moment unë humba ekuilibrin dhe rashë në ujë. U zhyta krejt, pasi duhet poshtë ishte një kanal. Por më shpëtoi Marku. Na u deshën katër orë me lopata që të përshkonim rreth dy kilometra deri te ura e Gjon Lulit, në kodër, në drejtim të Velipojës. Mua mu bënë duart gjak nga dërrasat, sepse përparonim si breshka. Isha krejt i lagur dhe për çudi më pas nuk u sëmura. Duhet të kuptoni që të gjithë sakrificën e bëra më shumë që të merrja një karikues për celularin. Pasi më ishte mbaruar bateria. Ndërsa stacionin ndërkohë e lamë vetëm, por me pompat në punë, kuptohet. Sa futa në punë celularin, telefonatën e para ia bëra ministrit Sokol Olldashi, të cilin e njihja. I tregova situatën dhe i kërkova ndihmë. Menjëherë më pas, pasi morëm edhe ca tesha e ushqime te ca të njohur, u kthyem sërish te stacioni me varkën e vogël. Olldashi erdhi vetë aty nga ora 11:00 e datës 6 janar. U afrua te stacioni me makinat e ushtrisë dhe më tha në telefon të shkoja të merrja. U nisa sërish me varkën me lopata dërrase dhe mu deshën dy orë të tjera të shkoja deri te vendi ku ishte ministri. Ai këmbënguli të vinte vetë në stacion dhe u fut në të njëjtën varkë, por kur e pa se na u desh gjysmë ore të bënim 200 metra, u kërkoi një mjet lundrues atyre të ushtrisë, që na e sollën shpejt. Kur erdhi te stacioni dhe pa situatën, ministri tha vetëm pak fjalë: “Faleminderit për përkushtimin, por për mua duhet të largoheni, sepse çdo jetë punëtori është më e vlefshme se çdo stacion pompash, pavarësisht vlerës”. Më këtë mendje u largua.Dhe ju si vepruat më pas?Me ikjen e tij tentuan të na prisnin energjinë. Një oficer madhor që komandonte ushtarakët dha urdhër të ndërpritej energjia. Unë ndërkohë mora në telefon ministrin tjetër, Lulzim Basha. Iu luta të mos ndërpritej energjia, të mos ma çonte mundin kot. Por edhe ky ishte për ndërprerjen e energjisë. Gjithsesi ajo nuk u ndërpre, mbase për shkak të këmbënguljes. Në darkë ushtria më dërgoi të më rrinin pranë dhe të më ndihmonin në stacion dy palombarë, dy djem gjigandë dhe shumë të zot. Më thanë se ishin edhe ata prindër, se kishin fëmijë, por më siguruan se do të rrinin nëse edhe unë do të rrija me ta. Kujtoj se ishin të lodhur e të këputur dhe mbaj mend që natën e 6 janarit ranë të flinin përmbi llamarina, pa pyetur shumë për kontaktin me korrentin, që dallgët bënin herë pas here.Sa zgjati kjo situatë?Kështu vazhdoi për pesë ditë. Ndërkohë që pas ditës së parë të vështirë, aty erdhën edhe dy punëtorë të tjerë të mi, Frrok Cera dhe Nel Rexhaj. I kujtoj kur futeshin në ujë për të kontrolluar një stacion tjetër, që nuk është shumë larg nga këtu. Fiknim korrentin për pak kohë dhe ata duke u mbajtur pas kavove të tij shkonin deri te stacioni tjetër. Ishin momente që nuk mund të harrohen lehtë.E njëjta situatë ishte edhe në stacionet e tjetra tuajat?E ngjashme ishte në të 11 stacionet e kësaj zone, por kishte edhe më keq. Unë ua kërkova edhe si mik e si shok, por edhe i urdhërova punëtorët që të mos i braktisnin. Dhe i shpëtuam që të gjithë. Vetëm ai i Bërdicës u dëmtua pak, pasi punëtorët u larguan, sepse uji i mbuloi edhe çatinë. Këtu një nga punëtorët e mi ka bërë një heroizëm që ja kalon atij tonit. Dhe ju mund të na e tregoni...Patjetër, edhe pse ndihem paksa në faj, pasi i kërkova më ngulm që të zgjidhte situatën. Punëtorët më thanë në telefon se nuk mundeshin të rrinin më pasi uji po mbulonte dhe çatinë dhe unë u kërkova që të paktën të shkëpusnin tensionin. Por ata më thanë se nuk ishte e mundur, pasi transformatori ishte i rrethuar nga dy metër ujë. Atëherë unë u kërkova që të bënin të pamundurën. Pak çaste më pas më mori në telefon një nga punëtorët, Simon çekrezi. Më tha se do e ulte ai thikën që shkëpuste tensionin te transformatori, por shtoi gjithashtu se nëse do humbte jetën, unë duhet të kujdesesha që djali të merrte pensionin e tij. E mbylli telefonin pa më dhënë mundësinë të ndryshoja urdhrin. Më pas mësova se ishte zhveshur, ngjitur mbi çatinë e stacionit dhe prej andej kishte kërcyer mbi transformator duke e ulur thikën e prerë, duke shkëputur korrentin që në ajër, pa i rënë ende trupi në ujë. Këtij dhe të tjerëve u kam dërguar emrat për të na dhënë nga një shpërblim, sepse ne jemi ndërmarrje me vetëadministrim dhe i marrim rrogat me vonesë. Sepse e meriton.Pra kështu, duke rrezikuar jetë njerëzish, i keni shpëtuar shtetit 40 milionë euro?Shiko, neve na mori rrjedha. Nuk e menduam shumë. Nuk patëm kohë të bënim llogari. Mbase tani unë nuk do ta bëj sërish një gjë të ngjashme po të më jepet rasti. Mbase me të gjithë ndodh njëherë në jetë një situatë e tillë.