Përmbytja, banorët sytë nga shteti
Nga i dërguari ynëDy javë pas pikut të përmbytjes, në Obot e Dajç mund të shkosh me autoveturë. Madje gomat e makinës nuk lagen në asnjë rast nga uji. Ai është tërhequr drejt detit duke lënë pas llum, rrugë të ngrëna në anët, pemë rrënjënxjerra e mbeturina plastike që tregojnë se niveli i tij ishte rreth 1 apo 1.5 metër në lartësi. Ndërsa rruga që rrotat e makinës po shkurtojnë të përsjell në mendje pamje të njëjta me ato që dy javë më parë i fiksuam duke vozitur me varkë. Në të dyja anët e saj duket qartë se banorët e Obotit dhe Dajçit janë kthyer, bashkë me bagëtitë e tyre të shtrenjta. Se jeta ka rifilluar, pavarësisht erës brisk të ftohtë, pavarësisht se toka e tejfryrë me ujë në ndonjë rast kërkon çizme të mira për të mbërritur në dyert e banesave. “Në shtëpi uji u fut në rreth 20 centimetër. Ajo praktikisht është e pabanueshme, dyshemeja ka bërë bark, suvatë e mureve janë të fryra nga uji, por ne e sajuam sa mundëm dhe u futëm, sepse do jetojmë, se kemi fëmijë të vegjël”, e thotë me pak fjalë ngjarjen më të madhe postpërmbytje të gjithë zonës Sandër Franaj nga Oboti, i njëjti që në oborrin e shtëpisë ka mijëra rrënjë bimë dekorative tashmë të dëmtuara, i njëjti në shtëpinë e të cilit ishim dy javë më parë. Por më i preri në fytyrë për çfarë ndodhi me pasurinë e familjes së tij është i biri, Floriani, ish-emigrant në Itali. “Të mbaruar, po nuk i ndihmoi shteti”“Ndihem si ai kali, kur i gozhdojnë patkonjtë. E lidhin gjithandej, por e kapin fort edhe për nofulle. Sepse gozhdët e ngulura në mish dhëmbin shumë. Edhe mua tani po më duket vetja si ai kali, sikur e kam nofullën të bllokuar, nuk po më vjen keq për shtëpinë e të tjerat, por për biznesin e shkatërruar”, është fjalia e parë që thotë Florian Franaj, emigranti që për gjashtë vjet me radhë kultivoi mijëra bimë dekorative në oborrin e shtëpisë, të blera me kursimet e një jete, që tashmë janë kalbur apo janë duke u kalbur nga përmbytja e tejzgjatur. Ka shpëtuar për mrekulli dhe vezullojnë në diell vetëm një pjesë, që Floriani e ka strehuar në ballkonin e shtëpisë. Pjesa tjetër, pothuaj e tëra, është mbuluar me llum, poshtë të cilit gjethet kanë filluar të zverdhen, ndërsa rrënjët, të paktën në njërin lloj bime që Floriani e demonstron, janë tërësisht të kalbura. Si për të plotësuar gjithë panoramën e asaj që ka ndodhur, i njëjti rrëfen edhe takimin me priftin e zonës. “I thashë se falënderoja Zotin që më shpëtoi familja dhe ai mu përgjigj tekstualisht: ‘Zoti të ka shpëtu familjen, por ajo mbrapa don të hajë, fëmijët duan të ushqehen”. Ky mesazh apo edhe llogaritë në tokë të thatë e kanë detyruar ish-emigrantin të mendojë seriozisht të kthehet pas, në kurbet. “Nuk e di se si do i vejë filli kësaj pune. Sepse unë sivjet do e korrja atë që kisha mbjellë për vite më radhë. Nuk e di nëse specialistët do e vlerësojnë këtë investim timin, nuk e di nëse ata munden të bëjnë përllogaritje të sakta, nuk e dimë as kur do duken këtej për këtë punë”, vazhdon të argumentojë njeriu që thotë se për këto arsye ndihet si ai kali që i fusin në mish gozhdët e patkonjve. “Nuk është çudi të kthehem sërish në Itali me gjithë familjen. Nëse shteti nuk do na kompensojë, këtë do bëj, edhe pse vendin e punës ma kanë zënë tashmë. Këtë jam duke menduar. Nëse ky investim do quhet i humbur, atëherë s’më mbetet zgjidhje tjetër”, përmbyll fjalët e pakta Florian Franaj.Fëmijë mes përmbytjes Ca më tej shtëpisë së Florianit, dy javë më parë pamë ca fëmijë që luanin në një avlli, edhe pse uji donte vetëm pak centimetra të futej në brendësi të shtëpisë. Sot, pas dy javësh, fëmijët janë ende në oborr, veçse guxojnë të zbresin edhe poshtë, pasi uji është tërhequr. Shtëpia është e Gjon Franajt dhe fëmijët të djalit të tij. Në familje bëhen tetë vetë dhe që të tetë nuk u larguan asnjë çast gjatë ditëve të vështira të përmbytjes. “Tentuam të iknim te një motër e imja, por fëmijët këmbëngulën që të mos e linin gjyshen vetëm. Kështu që vendosëm të rrinim”, rrëfen Kristina, nusja e shtëpisë dhe njëkohësisht nëna e tre fëmijëve të mitur. “Një ditë djali 5-vjeç, Andrea, na ra në ujë duke ndjekur topin, por fatmirësisht në ballkon qëlloi halla e tij që e nxori në kohën e duhur. Nuk ja kemi treguar këtë ngjarje të atit”, thotë Kristina duke vënë gishtin në buzë për të na komunikuar se edhe ne nuk duhet të hapnim gojën, meqë i shoqi, Emiljani, po afrohej ndërkohë. “Kisha vetë një lundër, gjeta edhe një motor, prandaj nuk e lëviza familjen. Vendosëm që nëse uji do të na futej në brendësi, të iknim. Fëmijët ishin problem, por unë kisha ca dru zjarri dhe kështu e mposhtëm të ftohtin e mungesën e energjisë duke u mbledhur pas oxhakut”, rrëfen i zoti i shtëpisë. Por edhe pse kjo familje ka ndoshta rekordin më të spikatur, pasi ka refuzuar deri në fund evakuimin, duke mbajtur pranë, mes rrethimit nga uji edhe fëmijët, dëmet i përllogarit të shumta. Vetë Emiljani tregon sesi janë dëmtuar suvatë e mureve në gjithë shtëpinë, se si ka humbur pulat e gjelat e detit, një derr e të tjera, por edhe lëshon fjalë të mira në adresë të kundërreagimit të shtetit. “Na kanë sjellë ushqime boll, përfshirë edhe koncentrat për bagëtitë. Sipër ujit na i kanë plotësuar të gjitha gjërat që na mungonin. Prezenca e ushtrisë, ditën dhe natën, me skafe, na ngrohte edhe nga ana psikologjike. Ishim të sigurt, lëviznim edhe natën. Sepse më 1995, kur patëm të njëjtën përmbytje, ushtria vetëm ca thasë me miell hodhi nga ajri me helikopter. Ca morën, ca jo. Gjithsesi më e rëndësishmja vetëm tani fillon. Sepse të gjithë po presim që shteti të na bëjë llogarinë e dëmeve”, ul ritmin e të folurës babai i tre fëmijëve, të cilët nuk i largoi asnjë çast nga shtëpia e rrethuar nga uji.Një e fshehtëTë shkosh në Dajç, në fshatin tjetër më të dëmtuar nga përmbytjet duhet të kthehesh sërish mbrapsht për në Shkodër rrugës së Muriqanit dhe të futesh në rrugën që shkon për në Velipojë. Edhe në Dajç ujërat janë tërhequr totalisht duke lënë vetëm shenjat që nisnin nga një shirit i përdorur nga policia për të mos lejuar kalimin e mjeteve më poshtë, drejt Velipojës, shkuar te pemët e rrëzuara anë rrugëve, për shkak të gërryerjes. Ndërsa banorët janë kthyer që të gjithë. Jeta ka nisur edhe në lagjen hyrëse, që u përmbyt e para fare për shkak të daljes nga shtrati të Vijës së Urrelave, një kanali artificial që ka lidhje me Bunën. Një jetë që për banorët e këtyre anëve do të thotë edhe kujdesje për bagëtitë e shumta me anë të së cilave sigurojnë të ardhurat e pakta për të mbajtur familjet. Prandaj shpesh nëpër rrugë sheh karroca me bar të thatë, që shërben si ushqim kryesor për bagëtitë. Një nga më të dëmtuarit e kësaj lagjeje është Kol Temalaj, shtëpia e vjetër e të cilit, është ndërtuar në një nivel të ulët. Kola rrëfen se gjatë përmbytjes niveli i ujit në brendësi ka qenë rreth një metër dhe se gjithçka është dëmtuar. Por dëmin më të madh ai konsideron atë që i është bërë mureve. “Do prishur suvaja nga e para, do përforcuar muri e të tjera punë që na dhemb koka kur i kujtojmë. Por nuk është ky problemi më i madh. Më e keqja që mendojmë është se ne mund të përmbytemi sërish e sërish. Sepse askush nuk e di se ç’kohëra do të vijnë”, rrëfen çfarë ka në zemër Kola. I njëjti, ca më tej, përgjatë bisedës, tregon edhe një histori gati të pabesueshme. “Ne jemi të dënuar nga ky shtet. Sepse ka një marrëveshje me Malin e Zi, që në kohën e Jugosllavisë, që Vija e Urrelave të mbetet e hapur, pasi në të kundërt, nëse Buna fryhet tej mase, përmbyten fshatrat e anës tjetër të kufirit. Madje në 1996, shteti ka përdorur dinamit për ta thelluar grykëhyrjen e ujit në këtë kanal me qëllim që malazezët të mos dëmtoheshin”, rrëfen të fshehtën e panjohur Kol Temalaj. fe.de.