Komunizmi para syve të një fëmije
Albert P. Nikolla Ndjesia fillestare kur mbarova së lexuari këtë libër ishte e ngjashme me atë që kam provuar pas leximit të librit "Racizmi, shpjeguar vajzës sime" e shkrimtarit të madh maroken Tahar Ben Jelloun. Jelloun e shpjegon racizmin pa qasje shkencore dhe me një gjuhë krejt të thjeshtë e të kapshme. Të njëjtën linjë "Hinterlandi" ka përballë një fenomeni që është një koncentrim racizmash e urrejtjesh dhe shpjegimi për të keqen e tij shpesh është më i thjeshtë se ç'duket. Libri "Hinterlandi i kuq" nuk pretendon të jetë një libër studimor shkencor mbi misterin e së shëmtuarës komuniste. Jo! Por qasja që ky libër ka ndaj atij misteri është tepër interesante dhe, mendoj, e para e këtij lloji në kornizën e shkrimeve mbi komunizmin shqiptar.Pas viteve '90-të ka patur shumë sprova me mjaft vlerë për të analizuar kohën e diktaturës. Mes tyre, monumentale mbetet "Rrno për me tregue" e Atë Zef Pllumit, por do të veçoja edhe një ese, jo shumë të bujshme, të Kadaresë, "Ndërgjegjja e gjymtuar e shqiptarëve". Mirëpo vepra të këtij stili janë pak të "ashpra" në qasjen e tyre ndaj diktaturës. çfarë dua të them me termin " të ashpra"? Që komunizmi shqiptar është krejt "sui generis" dhe në një farë mënyre akoma "nuk ka dhënë shpirt" siç thotë Nano në libër dhe, për rrjedhojë, është agresiv ndaj analizave të ashpra e direkte. Grahmat e tij kulturore veprojnë akoma, prandaj, ajo çka e bën interesant Hinterlandin është pikërisht qasja e tij "e butë" me sytë e një fëmijë të pafajshëm që shikon në sy të burgosurit politik atje larg, në provincë. Ngaqë jam marrë e po merrem me studime që kanë të bëjnë me periudhën e komunizmit në Shqipëri, më është krijuar ideja se ka disa homologji strukturore bindëse që dëshmojnë lidhjen midis asaj çka ne përjetojmë sot, me atë çka është farkëtuar dje gjatë asaj kohe. Për këtë arsye mendoj se ky libër do të ngjallë kuriozitet dhe madje më shumë se botimet shkencore që janë të reduktuara për një numër të kufizuar njerëzish. Komunizmi i "Hinterlandit" nuk është gjë tjetër veçse "Mapoja" me shumë dyqane, ku autori, në secilin dyqan, gjen një histori dhe e shpjegon atë me një stil narrativ. Mapoja shërben si metaforë interesante për kthinat e shëmtuara të ngrehinës komuniste. çdo kthinë e komunizmit është një mister i vërtetë dhe për ta zbuluar, më mire se historitë njerëzore nuk shërben asgjë tjetër. Edhe vetë kjo mapo është ndërtuar në një ambient aq të përçudnuar, saqë me të drejtë autori thotë: " autori i këtyre pallateve duhet të këtë patur një mendje frankensteiniane" (f.8). Ata që e kanë lexuar "Kopshtin e Frankenstein-it" e kuptojnë tmerrin që fsheh një mendje frankensteiniane.Libri ofron disa pika interesante reflektimi mbi probleme kulturore, sociale e politike që ne bartim edhe sot. Për tu vënë re, në këtë kontekst, është edhe dallimi që del në pah midis komunistëve shqiptarë të para Luftës së Dytë Botërore dhe atyre të mëvonshëm që "janë të dhënë pas pushtetit" (f.14). Drama e varfërisë ideologjike e ka karakterizuar për krejt kohën periudhën komuniste. Edhe shenjat e para të një reflektimi ideologjik komunist në fundin e viteve '40 dhe fillim viteve '50 u shtypën me harbutërinë e diktatorit dhe e tillë, situata vazhdoi deri në 1990, me mjaft vazhdimësi edhe pas rënies së komunizmit."Qytetet e vogla janë si tavlla cigaresh ku gjen bishta njerëzish të fikur përgjysmë"- është një shprehje mjaft kuptimplotë e reduktimin mizor të konceptit të personit në komunizëm. Më ka habitur përherë fakti që gjatë hulumtimeve të mia periudhën e komunizmit, qoftë ne librat e E.Hoxhës, qoftë në revistën "Rruga e Partisë" nuk e kam hasur termin "person". Ka vetëm punëtorë, fshatarë e intelektuale. Mendoj se sulmi ndaj individit ishte përgatitur edhe nga ana semiotike dhe termi përshkrues "bishta njerëzish" është mjaft i gjetur."Këtë gotë e kam të fundit dhe e kam për Enver Hoxhën"(f.25). Sa instrumentalizues ishte regjimi? Tmerrësisht shumë! Shumica e revistave "Kultura popullore" të botuara para '90-s nuk bëjnë gjë tjetër veçse me një plan gati diabolik të qeverisë komuniste përpiqen që të penetrojnë propagandën edhe në veçoritë kulturore tradicionale shqiptare, atje ku vërtet nuk binte era komunizëm. Këto veçori antropologjike janë pré e Partisë sepse kanë të bëjnë me përmasat më të thella të shpirtit të një kombi e për rrjedhojë aty krijohet intimiteti Parti - Popull."Bërrylat e mbështetur mbi parmakë" - janë shenjë e kundrimit të pikëlluar të fëmijëve që s'kanë çfarë t'i bëjnë komunizmit por ama e kundrojnë dhe shpesh i futen në disa "Do not cross area" dhe shohin sytë e të burgosurve politikë. Shohin gulagët e pranishëm në periferitë e provincave, fytyrën e vërtetë të asaj shëmtire të shtetit. Shteti shpesh është i "pavëmendshëm" me këta çamarrokë që futen në skuta të errëta e shohin çka nuk shihet, flasin çka nuk flitet e dëgjojnë çka nuk duhet dëgjuar. Për autorin, është fati i të pasurit një fëmijëri interesante. Heminguej thoshte se premisa bazike për tu bërë shkrimtar i madh është një fëmijëri interesante!"Rrobaqepësia komunale parapëlqehej nga të gjithë ata që ishin bartës të moralit maintream..." (f.39). është evident fakti se një ndër pikat më të rëndësishme, edhe pse marksizmi nuk ka përpunuar një doktrinë unike morale, ishte predikimi i epërsisë morale të socializmit mbi kapitalizmin. Madje, nga kjo pikëpamje, lufta e klasave nuk ishte tjetër veçse përpjekja e vazhdueshme që "të këqijtë" jashtë klasës punëtore dhe shoqërisë kooperativiste të mund të bëheshin "të mirë", dhe atyre klasave të këqija tu vinte fundi e atëherë do të ishim në komunizëm, ose me saktë në një shoqëri pa klasa. Por ky "moral socialist maisntream" ishte aq fals saqë pasojat e një përshtatjeje kulturore ndaj tij, janë evidente në shoqërinë shqiptare sot. është pra, një moral që nuk përpiqet të shkojë në shpirtin e njerëzve por përqendrohet vetëm tek ajo që duket, tek flokët e prera shkurt apo pantallonat e ngushtë! Moral, të cilin mund ta kundërshtojë vetëm udhëheqësi apo "djemtë e bllokut". Në fakt, në libër ka një gjetje interesante mbi këtë motiv. "për habinë e të gjithëve, në vitet e fundit të jetës, ai (E. Hoxha) u bë më vanitoz e arriti deri atje sa zuri të mbante flokë të gjatë, gjë që nuk ia kishte lejuar asnjë shqiptari për 40 vjet me radhë" (f. 65). Urrejtja më e madhe, në luftën e klasave, ishte ndaj atyre që kishin një vizion tjetër ndaj moralit, një vizion personalist, që nuk ndalet tek ajo çka duket (fainomena - nga greqishtja) por shkon atje ku veprimet morale ngjizen, përgatiten, tek skutat e shpirtit njerëzor. Autori, në këtë pikë libri ngre një hipotezë interesante dhe thotë që: "Klerikët katolikë nuk e bezdisnin Enver Hoxhën, ngaqë ishin katolikë apo të krishterë. E bezdisnin ngaqë ishin të ditur e me ndikim dhe ngaqë - në ndryshim nga klerikët e tjerë - ishin antikomunistë."(f. 59). Kjo hipotezë më duket vërtet intriguese, sepse Enver Hoxha ishte kaq injorant, saqë nuk mund të ishte një antikatolik kulturor, pasi për të qenë i tillë presupozohet njohja e katolicizmit, gjë që ishte e pamundur për kulturën e cunguar të tij. Marrëdhënia e socializmit shqiptar me seksualitetin ka qenë përherë problematike dhe e shfaqur në formë tabuje. Ky fakt kishte krijuar një dëshirë trasgresive të jashtëzakonshme në shoqërinë shqiptare të asokohe. Kishte njerëz që bënin me dhjetëra kilometra rrugë në këmbë për të parë një orë skenë erotike në TV - Beograd (electric blue). Edhe vetë masturbimi nuk reduktohej si gjenital, ishte shndërruar gati-gati në një masturbim socialist në pritje të një imazhi që nuk po vinte! Personazhi Fred Rogu, duke u masturbuar, gris librin e Enver Hoxhës! Sadomazokizën alla shqiptarçe. Komunizmi, ose shoqëria pa klasa, ashtu si një grua e bukur e zhveshur, nuk po vjen, pra, masturbohuni por kujdes librat e Enver Hoxhës!Së fundi, në libër del ideja të cilën e kanë prekur mjaft autorë të huaj që i qasen socializmit. E kam fjalën për partinë që duke luftuar fenë, ja zë vendin asaj. "Zoti, pra, është Partia nga lindja deri në vdekje. Brrrr" (f.88). Në funeral është Partia. Ajo të shoqëron nga lindja deri në vdekje. Pa të nuk bën dot. është Partia që të jep shërbimin! Edhe atëherë kur të pret kokën, e bën për të mirën e shoqërisë, pra në fund të fundit edhe për të mirën tënde! "Tomorr Osja ka lindur në ..., ka ditur të kuptojë partinë..., ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje" (f.89). Heshtja, e cila në kulturën fetare është kuptimplotë si parapërgatitje e dëgjesës ndaj Hyjit, merr këtu kuptimin e kobshëm socialist: po pas këtij kush e ka radhën?Libri ka vlerë në shumë aspekte, por është i mirëpritur edhe për faktin se ka një dëshirë të madhe ndër ne shqiptarët, për ti bërë llogaritë mirë me atë kohë. E kemi kuptuar se shumë mistere të asaj kohe janë të pranishëm edhe sot në mënyrën tonë të të jetuarit, e të bërit politikë. Mendoj se ka ardhur koha për një qasje me "heshtje aktive" ndaj socializmit që përjetuam.Kritika ime ndaj librit qëndron në faktin se, ndoshta, do të duhej që ky libër të mos ndalej në 115 faqe por të vazhdonte rrugën, pasi gjatë leximit të krijon përshtypjen e një fibrilacioni emocional që kërkon shpejt e shpejt t'i thotë gjërat. Pra, fjalia e fundit do të kishte qenë më e goditur sikur në vend të "The end of the story", të ishte "The Story has just started".