Libi, kapet shefi i shërbimeve sekrete të Gadafit

Kryengritësit libianë kanë arrestuar sot shefin e shërbimit informativ të liderit të rrëzuar Muamar Gadafi. Sipas të dhënave të para, kryespiuni libian, Buzaid Dorda sot pritet t`i dorëzohet Këshillit Kombëtar Kalimtar. Një ekip i reporterëve të agjencisë, Reuters vizitoi shtëpinë e Dordës, i cili dikur ka qenë edhe kryeministër i Libisë, ku kanë parë rreth 10 luftëtarë të armatosur dhe me uniforma maskuese duke ruajtur përreth shtëpisë.
Në fakt, Dorda në postin e kryeshefit të informimit erdhi në muajin maj, pas dorëheqjes së paraardhësit të tij, Musa Kusa, i cili atëbotë pati braktisur Gadafin dhe iu bashkua rebelëve. Në kryeqytetin Tripoli sot janë gjetur edhe dy varreza me 15 trupa të dekompozuar. Këto dy varreza u zbuluan në bazë të informatave që i kanë dhënë banorët lokalë.
Trupat janë dërguar në identifikim dhe ende nuk dihet se a ishin civilë, pjesëtarë të forcave të Gadafit apo të forcave kryengritëse.