E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libi kryengritesit propozojne armepushim

Ndërsa shtohen zërat për ndërmjetësimin e largimit nga pushteti të liderit libian, Muamar Gadafi, edhe opozitarët nuk duken më pak të dobësuar. Përballë mësymjes së forcave qeveritare, kryengritësit janë duke lënë një e nga një qytetet e fituara me mundim, pasi dhe sulmet ajrore të aleatëve kanë qenë të pakta për shkak të motit të keq.

Lideri i këshillit opozitar në Bengazi, Mustafa Abdul Jalil i ka thënë tv Al Xhazira se kryengritësit mund të marrin në konsideratë armëpushimin, përballë forcave shumë mirë të armatosura dhe të disiplinuara të Gadafit. “Qëllimi ynë kryesor është të arrijmë një armëpushim të qëndrueshëm”,- tha ai.

Aleatët perëndimorë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të vendosura se zgjidhja finale e konfliktit në Libi do të
jetë me largimin e Gadafit. Bisedimet vazhdojnë në këtë drejtim, pasi sipas gazetës “The guardian” një i dërguar i Muamar Gadafit ka qenë në Londër për bisedime sekrete, për të organizuar largimin e tij nga pushteti. BBC bën të ditur se Mohamed Ismail, ndihmës i djalit të Gadafit, ka zhvilluar bisedime me zyrtarë britanikë gjatë qëndrimit të tij në Londër. Dauning Strit nuk ka pasur asnjë koment. Edhe i dërguari i OKB-së në Libi, Abdelilah al-Katib, në bisedimet me kreun e kryengritësve në

Bengazi ka kërkuar vendosjen e armëpushimit të menjëhershëm. Të njëjtën kërkesë ai ia parashtruar edhe ndihmësve të kolonelit, në Tripoli, por me kushtin që trupat qeveritare të lirojnë rrethimin mbi qytetet kryengritëse. Kryengritësit mbështeten tashmë, edhe nga Liga Arabe, sipas të cilës, organizata do të jetë dakord me zgjidhjen që do pranojë opozita libiane. Katar ka njoftuar se do furnizojë me naftë, ilaçe e ushqime kryengritësit.

Këta të fundit aktualisht ndodhen në mbrojtje të rrugës që të con në Adxhabija. Ndërsa siç njofton BBC, konfirmohen shtatë civilë të vrarë dhe 25 të plagosur, nga sulmet ajrore. Tre nga viktimat janë fëmijë të moshës nga 12 në 16 vjeç, ndërsa tre të tjerë, djem 14- 20 vjeçarë. Zyrtarë të NATO-s premtuan hetim të menjëhershëm të këtyre njoftimeve. 

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›