Libi, rebelët:Gadafi do të ketë fatin e Bin Ladenit

Lideri libian, Muamar Gadafi, do të ketë të njëjtën fat si të Osama bin Ladeni, i cili u vra nga forcat amerikane, ka deklaruar sot një zëdhënës i kryengritësve libianë.
“Jemi shumë të lumtur dhe po presim për hapin e ardhshëm. Duam që amerikanët të bëjnë të njëjtën me Gadafin”, ka thënë zëdhënësi i kryengritësve, kolonel Ahmed Bani.
“E dimë se Osama bin Laden po luftonte kundër nesh, ai gjithashtu është armiku ynë”, tha ai, duke shtuar se kryengritësit libianë kanë dëshmi se simpatizuesit e Al-Kaedas kanë luftuar kundër tyre, transmeton Reuters.
Gadafi, i cili po lufton kryengritësit që kontrollojnë pjesë më të madhe të Libisë lindore, i ka përshkruar kryengritësit si banda të armatosura dhe të frymëzuara nga Al-Kaeda.