E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libi, vriten 3 gazetarë nga bombardimet e NATO-s

Tre gazetarë të televizionit libian janë vrarë si pasojë e bombardimeve të avionëve të NATO-s ndaj 3 transmetuesve satelitorë me qëllim “heshtjen e kolonelit Muammar Gaddafi”.

Këtë lajm e ka konfirmuar Khaled Basilia, drejtori i redaksisë, ndërsa shtoi se këto janë akte terroriste dhe një dhunim i qartë i rezolutës së Kombeve të Bashkuara.

Avionët luftarakë të NATO-s kanë sulmuar tre transmetues të televizionit libian, në atë që aleanca e përshkroi si përpjekje për të ndalur transmetimin që po përdorej për të nxitur dhunën dhe kërcënimin e civilëve. Pas sulmeve, televizioni shtetëror libian transmetonte ende dhe stacioni dënoi atë që e cilësoi si shënjestër ndaj gazetarëve.

Në të tjera zhvillime, Kreu i Këshillit Kombëtar Tranzitor tha se shefi ushtarak i kryengritësve ishte arrestuar për hetime pas ankesave për keqmenaxhim të forcave të tij dhe ishte vrarë ndërsa po transportohej në një vend më të sigurt.
Mustafa Abdul-Xhelili ka hedhur poshtë raportet e mëhershme se Abdel-Fatah Junis është vrarë për tradhëti nga forcat e Al Kaedës. Ai tha për gazetarët se një komision është duke hetuar rrethanat e vdekjes së Junisit, por vrasësit sipas tij nuk janë identifikuar ende.

Junis ka qenë ish ministër i Libisë, i cili kaloi në anën e kryengritësve në muajin shkurt. Ai u vra të enjten së bashku me dy ndihmës të tij pasi u thirr në Bengazi për t`u marrë në pyetje.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›