E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libia, Greqia mbështet NATO-n, por jo aktive në sulme

ATHINE- Greqia ka vënë në dispozicion të NATO-s bazën e Sudës në Kretë, bazën e Aktios në Prevezë dhe atë të Araksos në Peloponez, si mbështetje për sulmin ajror që nisi mbrëmë ndaj forcave ushatarake të Muamar Gedafit.

Qeveria e Athinës ka vendosur që forcat greke të mos marrin pjesë drejtpërdrejt në bombardime, por të mbështesin me të gjitha mjetet sulmin e forcave të NATO-s dhe të jenë në gatishmëri të plotë për cdo nevojë të Aleancës.

Greqia ka në dispozicion një radar fluturues që do monitorojë trekëndëshin Kretë-Sicili-Tripoli, 2 helikopterë super Puma dhe një fregatë që do patrullojë ujërat e Mesdheut midis Kretës dhe Libisë. Ka informacione se 4 avionë F-16 mund të përdoren për të monitoruar hapësirën ajrore libiane.

Bazat ushtarake do të ofrojnë mbështetje teknike, furnizimin me karburant të avionëve dhe mundësinë për uljen e ngritjen e tyre. Pritet që të mbërrijë në bazën e Sudës një nëndetëse bërthamore, ndërkohë që edhe Franca do ta përdorë këtë bazë për avionët e saj luftarakë.
Ndërkohë 8 avionë luftarake belgë, që ndodheshin në Greqi për një stërvitje ushtarake, janë instaluar në bazën e Araksos, dhe qëndrojnë në gatishmëri. Në bazën e Aktios, NATO do të vendosë radarët e saj.

Pas përfundimit të konsultimeve që u zhvilluan në Paris, ku u vendos ndërhyrja ushtarake në Libi, kryeministri grek Papandreu tha se "takimi tregoi vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare për zbatimin e rezolutave të OKB-së, në veçanti natyrisht për të mbrojtur jetën e njeriut në Libi.
"Për fat të keq, pavarësisht nga garancitë që dha se do zbatonte vendimet e OKB-së për armëpushim, Gadafi i vazhdoi aktet e dhunës, ndaj bashkësia ndërkombëtare ndërmori këtë vendim" - tha kryeministri grek.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›