E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libia no fly zone miratohet rezoluta kunder Gadafit

Ndërsa Parlamenti Europian ka votuar një rezolutë në mbështetje të zonës së ndalim fluturimit mbi Libi, tashmë janë ministrat e mbrojtjes të vendeve anetare të NATO-s që kanë nisur diskutimin. Në një samit të posacëm në dy ditë, ministrat diskutojnë përgatitjet e aleancës për cfarëdo vendimi që do të kërkojë ndërhyrjen e forcave ushtarake të NATO-s. Sekretari i përgjithshëm, Anders Fogh Rasmussen ka deklaruar se një aksion ushtarak i NATOS në Libi duhet të plotësojë tre kushte, të jetë i domosdoshëm, të ketë një mandat të qartë dhe një mbështetje të gjerë në rajon.

Pavarësisht se kryengritësit kërkojnë dëshpërimisht vendosjen e zonës së ndalim- fluturimit, një veprim i shpejtë i NATO-s nuk është i pritshëm, pasi kërkohet një mbështetje më e gjerë nga OKB. Britania dhe Franca kërkojnë autorizimin e Kombeve të Bashkuara për vendosjen e zonës së ndalim fluturimit mbi Libi, po analistët thonë se Rusia dhe Kina nuk do e mbështesin këtë veprim. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Roberts Geits është treguar i kujdesshëm kur paralajmëroi se zona e ndalim-fluturimit do të kërkonte goditje ajrore për të dobësuar aviacionin libian dhe kur ka shprehur dyshimin sesi mund të pritej edhe një ndërhyrje tjetër amerikane në Lindjen e Mesme.
Agjencia Reuters megjithatë u referohet ushtarakëve që thonë se një zonë ndalim –fluturimi mbi Libi mund të vendoset së shpejti.

Ndërkohë, Franca pranoi autoritetin e kryengritësve libianë që koordinojnë përpjekjet për rrëzimin e gjeneral Gadafit nga qyteti i Bengasit. Ndërsa, vetë Gadafi vendosi shpërblim të majmë për kallëzimin e vendndodhjes së krerëve të këtij autoriteti. Parisi është bërë kështu vendi i parë që ka ndërmarrë një hap të tillë. Presidenca franceze tha se do të dërgojë ambasadorin në Bengasi dhe do të pranojë të dërguarin e Libisë në Paris.

Rusia, njëra nga furnizueset kryesore me armë të regjimit të Gadafit, sot ka ndaluar të gjitha shitjet e armëve në Libi, duke pezulluar çdo kontratë. Ndërkohë, situata në terren vazhdon të jetë e rënduar, ndërsa raportohen luftime të ashpra përgjatë rrugës nga Bin Xhauad në qytetin port të Ras Lanuf. Ky i fundit ka rënë nën zjarrin e fuqishëm të forcave pro Gadafit dhe ka njoftime se ka kaluar nën kontrollin e qeverisë. BBC thotë se kryengritësit po tërhiqen nga Ras Lanuf, pas sulmeve me raketa dhe artileri të rëndë. Tv shtetëror njoftoi edhe për rimarrjen e portit tjetër të naftës, Sidra në perëndim të Ras Lanuf. Me herët, luftime janë raportuar nga Zauaja, një qytet që tashmë duket se ka rënë në duart e forcave qeveritare të Gadafit. Ndërkohë, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thotë se Libia ka rënë pre e “luftës civile”.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›