Libor Ruçek: Domosdoshmëri hapja e kutive në çdo zonë

Ideja e zëvendëspresidentit të Parlamentit Europian shtrihet në gjetjen e mirëkuptimit mes palëve në tryezën presidenciale të së shtunës. Ideja përmban nevojën për të hapur kutitë e votimit në disa zona
Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Libor Ruçek, mbështeti dje qëndrimet e Partisë Socialiste për domosdoshmërinë e hetimit të plotë të zgjedhjeve të përgjithshme, si dhe zgjidhjen e çështjes së hapjes së kutive. Ruçek i bëri deklaratat pas takimit me kryeopozitarin socialist, Edi Rama, në Strasburg.
Kutitë
Me rëndësi u vërejt shprehja e qëndrimit si domosdoshmëri për hetimin e zgjedhjeve, duke përfshirë hapjen e kutive. Ndonëse Ruçek iu përmbajt pozitës dhe autoritetit për të mos ndërhyrë në një çështje të tillë, ai tha se është e rëndësishme që hetimi për procesin e përgjithshëm të 28 qershorit të shkuar të bëhet plotësisht. Ruçek po ashtu u tregua korrekt në shprehjen e qëndrimit që e theksoi si personal, për një tjetër rrugëzgjidhje, për të cilën theksoi se mendon se mund ta lehtësojë ecurinë e negociatave presidenciale në Tiranë me fillim që nga ora 11 e së shtunës së 13 shkurtit. E gjithë linja e qëndrimit të Ruçekut ishte përmbledhtas me arsyetimin për të gjetur zgjidhje, se “hapja e kutive është domosdoshmëri”, se “nevojitet kompromis te presidenti” dhe se “duhet transparencë dhe hetim i plotë për zgjedhjet”. Libor Rucek u shpjegua për propozimin e tij mbi zgjidhjen, pasi iu shtrua pyetja se ajo që ka qenë e diskutueshme mes opozitës dhe mazhorancës, është fakti që opozita kërkon hapjen e kutive, si të vetmen mënyrë për ta çuar deri në fund hetimin, ndërkohë që mazhoranca e konsideron këtë si një tabu. Ruçekut iu kërkua përgjigja se çfarë komenti kishte ai këtë çështje. “Nuk më takon mua t'u them politikanëve shqiptarë se çfarë duhet të bëjnë. Ndoshta hapja e një pjese të kutive, në zona të ndryshme, pra hapja e disa kutive në çdo zonë, edhe kjo mund të ishte një zgjidhje”, - tha Ruçek, sipas njoftimit zyrtar të PS-së. Ruçek tha po ashtu, se “ajo që nevojitet, është që kryeministri dhe lideri i opozitës të ulen në tryezë dhe të punojnë për një kompromis, që është në të mirë të vendit”.
Tryeza
Nisma presidenciale me nxitjen e Këshillit të Europës dhe mbështetjen e diplomatëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian, Komisionit Europian dhe OSBE-së në Tiranë u përshëndet nga Libor Ruçek. Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian komentoi gjithashtu se kjo nismë e presidentit Bamir Topi do të mund të kishte në fund të udhës së saj suksesin e tryezës, në rast se palët angazhohen në bisedime, për të cilat tha se janë të nevojshme. Ruçek u pyet se a mendonte të arrihej kompromis që të gjendej njëkohësisht zgjidhje për hyrjen e opozitës në Kuvend, duke i dhënë fund bojkotit dhe që shumica pushtetare e pas 28 qershorit të pajtohej me kërkesën për hetimin tërësor të procesit që kritikohet se nuk përmbushi të gjitha standardet ndërkombëtare, pavarësisht se u certifikua se ishte më i miri i zhvilluar në Shqipëri. Ruçek tha se mendonte “që kjo zgjidhje do të ishte më e mira”, referuar pyetjes mbi kthimin e PS-së në Kuvend dhe hetimin e plotë të pranuar prej shumicës. “Unë besoj te ndërmjetësimi i presidentit, besoj se ai mund ta bëjë dhe besoj edhe se ai ka vullnetin e duhur për të ulur liderin e opozitës dhe kryeministrin në një tavolinë për të gjetur kështu kompromisin që i duhet vendit”, - tha Libor Ruçek. E padyshimtë për të ishte që hetimi të mos shihet thjesht si një rrugëzgjidhje, por të krijonte praktikën e mospërsëritjes së problemeve thelbësore me zgjedhjet, si rruga e forcimit të demokracisë. “Unë mendoj se nga ana tjetër, është shumë e nevojshme të kryhet hetimi për këto zgjedhje, që kjo t'i shërbejë jo asaj që ka kaluar, por sidomos së ardhmes dhe që në të ardhmen mos ketë as edhe një problem me zgjedhjet, ashtu siç nga ana tjetër, është e rëndësishme për opozitën që pas këtij kompromisi të futet në parlament dhe të vazhdojë rrjedhën normale opozitare”, - tha Ruçek, teksa shtoi se vlerësonte se “kjo do të ishte një rezultat shumë i mirë për të gjithë, veçanërisht për popullin shqiptar”.
Rama: Transparencë e plotë e zgjedhjeve, përfshi hapjen e kutive
Kryetari i PS-së tha se zëvendëspresidentit të PE-së, Libor Ruçek, i ritheksoi domosdoshmërinë e transparencës së plotë mbi procesin e shkuar zgjedhor, “për t’i dhënë fund korrupsionit elektoral”
Delegacioni opozitar i socialistëve të kryetarit të rizgjedhur tri herë radhazi, Edi Rama, u vlerësua me arritje serioze në ofertën për kompromis me pushtetarët e kryeministrit Sali Berisha dhe në të mirë të mospërsëritjes së problemeve themelore në proceset e ardhshme zgjedhore, që do të merrnin fund me hapjen e kutive të votimit si pjesë e transparencës së plotë të 28 qershorit. Rama bisedoi me partnerët ndërkombëtarë si pjesë e këshillimeve përpara tryezës te presidenti. “Transparenca e plotë, duke përfshirë edhe hapjen e kutive të votimit, materialeve zgjedhore, për të bërë të mundur që populli shqiptar të shikojë dritën e diellit, çfarë ka ndodhur para, gjatë dhe pas 28 qershorit”, - tha kryeopozitari Edi Rama. Për të është po aq e rëndësishme që transparenca të shërbejë më së miri për të ardhmen e garantimit të votës, duke u nisur nga nevoja që administratorët e procesit të mos jenë thjesht partiakë, por pjesë e faktimit të vullnetit të drejtë të shprehur nga zgjedhësit. “Transparenca e plotë, për të krijuar kushtet që administrata zgjedhore në të ardhmen të garantojë vullnetin e popullit dhe çdo komisioner të mos jetë thjesht komisioneri i forcës politike që përfaqëson, por qytetari që përgjigjet para ligjit për respektimin e tij në procesin më të rëndësishëm të demokracisë, siç është ai i zgjedhjeve”, - tha Rama. Ai komentoi bisedimet që zhvilloi me bashkëpunëtorët e tij dhe me zëvendëspresidentin e Parlamentit Europian, Libur Ruçek. Rama tha se “unë i ritheksova domosdoshmërinë e transparencës së plotë mbi procesin e shkuar zgjedhor, për të mos lejuar më që procesi i ardhshëm zgjedhor të jetë i ngjashëm me të shkuarin, për t’i dhënë fund korrupsionit elektoral”. Ai përshëndeti gatishmërinë e presidentit Bamir Topi për të ulur në tryezë kryeministrin Sali Berisha, që nuk lëshon pê dhe këmbëngul për të mos hapur kutitë e votimit. Rama ka komentuar qëndrimin e hapur të Partisë së tij Socialiste, që kërkon të vendosë në funksion të së ardhmes së vendit respektimin e votës, ashtu sikurse e hedhin në kuti shtetasit e vendit. “Ishte një pasdite e ngjeshur në vijim të një komunikimi intensiv me miq dhe partnerë ndërkombëtarë, të gjithë dashamirës të vendit tonë, të gjithë të dëshiruar për një zgjidhje të krizës që ka mbërthyer vendin tonë”, - tha Rama. Ai u shoqërua nga deputetët Arta Dade, njëherazi sekretare e Marrëdhënieve me Jashtë, Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj.