Ndoka: Berisha ktheu Gërdecin në qeverisje
Kryetari i PDK-së sulmon ashpër Berishën dhe Topallin dhe bën publike prapaskenat për të përçarë PDK-në
TIRANË- Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ka qenë i drejtpërdrejtë dje në kritikat e tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Si rrallëherë, dje ai ka bërë përgjegjës kryeministrin Sali Berisha dhe Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli për përjashtimin e demokristianëve nga qeveria, por edhe për konfliktet që kanë shoqëruar strukturat e kësaj partie. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, Ndoka ka theksuar se ndryshimet e fundit në qeveri u bënë nën shantazhin e Gërdecit, duke bërë përgjegjëse direkte për këtë ngjarje, Partinë Republikane. “Ne kemi gjykuar dhe gjykojmë se ndryshimet e fundit në qeveri u kryen nën shantazhin e Gërdecit. U kthye në qeveri Partia Republikane që është përgjegjësie direkte për tragjedinë e Gërdecit dhe i larguan nga qeverisja demokristianët, ata që shëruan plagët e Gërdecit. Për fat të keq, Gërdeci qëndron si një re e zezë në qiellin e politikës shqiptare, e cila pritet të davaritet e të zbardhet nga drejtësia. Ne si parti e drejtësisë dhe e shtetit ligjor, kemi kërkuar dhe do të kërkojmë që kjo ngjarje të zbardhet, duke vënë para përgjegjësisë ligjore individët përgjegjës, kushdo qofshin ata”,- tha dje Ndoka. Ai theksoi ndër të tjera, se rikthimi pozitiv i PDK-së në skenën politike shqiptare, krijoi shqetësime serioze në qarqe të larta të Partisë Demokratike, duke shkaktuar, sipas tij, edhe jo pak xhelozi. “Dhe pikërisht për këtë, filloi një fushatë e organizuar për ta eliminuar atë politikisht. Pas disa përpjekjeve të dështuara për të na penguar në rrugën tonë, për fat të keq u gjendën disa individë të ashtuquajtur demokristianë, peng i së shkuarës së tyre të dyshimtë, apo të kapur nga shteti i sotëm, dhe u përdorën për të goditur PDK-në dhe lidershipin e saj”,- tha Ndoka. Madje kryetari i demokristianëve ka shkuar tej qëndrimit të tij, duke deklaruar se ndaj gjyqtarëve, për të vendosur pikërisht për siglën e partisë, ka pasur edhe kërcënime nga individë të veshur me pushtet politik. “Dhe kur përpjekjet për ta përçarë dhe vjedhur PDK-në ligjërisht dështuan, atëherë Kryetarja e Kuvendit krijoi një grup parlamentar me deputetë të blerë me fondet e krijuara me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe pronat publike, që të votonte përjashtimin e PDK-së nga qeverisja dhe të rikthente Gërdecin në qeverisje. Ky është një veprim i paprecedent, i pamoral dhe krejtësisht në kundërshtim me marrëveshjet e nënshkruara dhe me normat dhe parimet që rregullojnë dhe garantojnë marrëdhëniet normale midis dy partive”,- tha ai. Këshilli Kombëtar vendosi dje që PDK të vazhdojë të ushtrojë politikat e saj, si një parti e qendrës së djathtë, pa marrë ende një vendim zyrtar nëse do të shkëputen ose jo nga koalicioni.