E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librat e Javes

03/05/2010 Kur peshon e shkuara

Titulli: “Vajzat me çelës në qafë”

Autor: Lindita Arapi

Botues: “Ideart”

Çmimi 600 lekë

Sa rëndon mbi ne e shkuara, e jona e etërve, e gjyshërve? Sa e mbajnë mbi vete pasardhësit barrën e dhimbjes e padrejtësitë që ndjenë të parët? A kapërcen vuajtja brezat, duke u transmetuar në kohë, duke u kthyer në peng që vranëson të tashmen e pasardhësve? A shëron rrëfimi vuajtjen?

Kjo është zanafilla e romanit të Lindita Arapit.

E reja Lodja Lemani, gjithmonë qarkuar nga një brengë pa emër, jeton e vetme në një qytet evropian. I vetmi mik besnik është një hije që e shoqëron që nga fëmijëria dhe që ka kapërcyer me të edhe kufijtë. Për të kuptuar izolimin e saj, Lodja rikthehet në vendlindje, në një udhëtim jo vetëm çmallës pranë familjes, por në kohë, në të shkuarën e saj, por edhe atë të dy grave, jeta e të cilave është e lidhur me fijet e fatalitetit me jetën e saj.

Në një rrëfim zig-zag kohor na ofrohet një tablo e trishtë e tre brezave femërorë, trauma deri më tani e parrëfyer e femrës shqiptare.

Prolog

Unë jam një viktimë, pa emër dhe pa varr! Ikur nga ajo botë në datën X, të muajit X, të vitit X. Pa emër se emri im nuk i intereson kujt më. Pa varr se nuk duhej të më gjenin as të vdekur.

Asaj dite më hodhën në një gropë, si të isha qen i ngordhur, nuk u hodhën trëndafila mbi mua, as edhe një i vetëm si kujtim i fundit nga ajo botë nuk mu dha, nuk u derdhën lot.

Sikur nuk mjaftonte që mbeta përgjithmonë anonim në diku-në e panjohur, që trupi mu kthye në park për të shëtitur krimbat, më mban erë dheu që më lag shiu, më bluan toka, nuk më vjen kush të më qajë, por më rrokullisën edhe me shqelma, duke më sharë “kërmë”, teksa më groposnin. Më fshehën mirë, as nam as nishan nuk lashë në atë botë, të mos gjendesha kur të më kërkonin.

Dikur kam qenë edhe unë mes njerëzve, njeri me cene e të mira si të gjithë, me ëndrrën ta jetoja jetën deri në fund. Madje me njeriun kam qeshur, i kam bërë të mira, e kam mbajtur në kurriz, kur nuk mundte të hidhte çap.

Tani më thërrasin viktimë. Ua them: Nuk ka fat më të keq se sa të ikësh nga ajo botë si viktimë!

Mirë që ta presin fillin e fatit sikur të jenë zoti, po të drejtën ti e merr me vete, dhe ashtu si vdekja nuk zhbëhet më, edhe një padrejtësi e tillë nuk ndreqet kurrë.

Në këtë botë ka lloj-lloj të ardhurish, ka nga ata që ju erdhi ora, nga ata që i vranë se donin të vrisnin, fatkeq që ikën nga një gabim i vogël padashur, e nuk kanë kujt ti ankohen veç zotit, po nga të gjithë, ne jemi më fat-keqët, më të përbuzurit.

Aq, sa nuk na e nxë goja ta themi që jemi viktima!

Të thuash që je viktimë, sikur pohon njëherazi edhe pafuqinë tënde për të mbrojtur jetën në atë datën X të muajit X, vitit X. Të kujtojnë me mëshirë, bëhesh për gjynah, edhe po të mos e dëshirosh mëshirën e tyre.

Të vjen të zhbëhesh, kokrrizë dheu të bëhesh! Po ja që nuk po u zhbëkam dot, nuk po bëhem dot dhé, pleh për lule. Andaj rënkoj, po nuk më dëgjon kush. Dhe nuk kanë faj. Ata që shkelin dheun mbi mua janë të mbijetuarit që nuk e kuptojnë ende gjuhën e Qoftëlargut.

Dua të tretem, kaq kohë që mështë shuar ora, e jam ende i patretur.

Po nuk më le pengu, në momentin e kalimit në këtë botë, ai më mbeti andej. Doli, si shpirti, me psherëtimën e fundit që nxora në atë botë, një psherëtimë e thellë, e përfytyroni çlloj psherëtime mund të nxjerrë ai që ikën nga bota juaj kot, për dhjamë qeni, e mori dhen.

Prandaj dërdëllis e mërmëris edhe me ju tani. Të më kthehet pengu.

Tjetër gjë nuk dua. As të përzihem në punët e botës sipër meje nuk dua. Kujtimi i një viktime bezdis, sikletos, e di. Thjesht dua të tretem!

Po pengu i mbetur nga ju, vazhdon të përcillet andej. Është peng i pashlyer! E unë pres.

Nuk jam i qetë, as unë, as ju në atë botë. Mjerë kë pikas ai, fillon e i peshon në shpirt përditë, me një peshë që shtyp. Ia heq gjumin personit që përzgjedh, e nxjerr nga trutë, e bën të endet nëpër botë i telekomanduar, pa e ditur se çkërkon. Edhe ajri rëndon nga pesha e tij. Nuk do të lemerisë, thjesht të gjallët kanë frikë nga përhitjet; ai vetë i pagojë është, as të përzgjedhurit nuk ia thotë dot, si do që të shlyhet.

I ndjekuri as nuk e kupton që është i përzgjedhur, kujton se është i mallkuar! Ata që nuk janë kapur nga demoni i tij, akoma më keq, e marrin për të shkarë, e bëjnë tull të ziun.

Lëmsh bëhet kjo punë, lëmsh leshi i keq!

Po unë nuk e ftilloj dot më lëmshin e botës së andejme. As pengun nuk e kthej dot, derisa të shlyhet.

Ai nuk do hakmarrje, nuk do gjak. Nuk kërkon që të dalë para gjyqit vrasësi, ato janë punët tuaja. Po edhe sikur të japë llogari, edhe sikur ta vënë të drejtën në vend, mua nuk më bëhet më dermani, nuk më thonë dot më “më fal”. Se jeta jepet vetëm një herë.

Pengu nuk kërkon që të përmirësohet bota duke shpërndarë mesazhin e vëllazërimit, një nga ato urdhëresat e dekalogut pra, që njeriu të mos vrasë njeriun, aq më keq tia marrë jetën dikujt brutalisht pa të drejtë. Këtë kemi mijëra vjet që e kemi thënë. Dhe mos ka ndryshuar gjë. Hiç. Mos të të rëntë për pjesë, siç më ra mua.

Ka një dëshirë të fundit, të thjeshtë, paqësore, që është edhe dëshira ime. Aty ku e shkuara i është lënë bjerrjes, ku tragjeditë janë mbajtur të kyçura, nuk merret frymë lirisht, edhe ajri mban erë dheu. Ai do thjesht që historitë të dalin në dritë, të rrëfehen, brez pas brezi, të mos vdesin nga harresa.

Pengu im andej po pret derisa një gojë të rrëfejë ato që kanë ndodhur, një dorë të hedhë në letër historitë e së shkuarës, ose së paku disa grimca të saj.

Vetëm kështu do të shlyhet. Do të paqësohet kur të jetë futur në kujtesën tuaj. Pastaj nuk ka çkërkon më andej. Do më kthehet.

Që edhe unë të tretem!

Dy fjalë për autoren...

Krijimtari në gjuhën shqipe:

“Kufomë lulesh”, poezi 1993

“Ndodhì në shpirt”, poezi, 1996

“Melodi të heshtjes”, poezi 1999

“Shenjat e dorës”, poezi të zgjedhura 2006

Krijimtari në gjuhë të huaj:

“Grenzverkehr Literarische Streifzüge Ost-Ëest”, ese, me bashkautor, 2004

“Wie Albanien albanisch furde”, studim 2005

“Am Meer nachts”, poezi, 2007

“Balkan beauty, Balkan blood”, tregime, bashkautore, 2008

përkthime:

“Fjala dhe koburja”, përkthim 2005

“Net shqiptare”, përkthim 2005

“Tregimtarë të gjuhës gjermane I, II”, bashkëpërkthyese, 2008, 2009

“Burra që urrejnë gratë”

Titulli: “Burra që urrejnë gratë”

Autori: Stieg Larsson

Roman

Përktheu: Alina Karaulli

Shtëpia botuese: “Dudaj”

Çmimi: 1200 lekë

Një libër mahnitës, që do tju mbajë zgjuar deri në agim. Historia e familjes Vanger është një histori e gjatë, e kobshme, mbushur me urrejtje, grindje familjare dhe kurnacëri të paimagjinueshme, që do ti bëjë historitë e Shekspirit të ringjallen pikërisht aty. Arsyeja e gjithë këtyre është e thjeshtë: hakmarrja. Prej shumë vitesh, mbesa e parapëlqyer e industrialistit të fuqishëm Henrik Vanger është zhdukur pa lënë gjurmë. Kufoma sishte gjendur kurrë. E kur Vangeri, tashmë tepër plak, merr një dhuratë që e hap çështjen sërish, ai vendos të ngarkojë Mikael Blomkvistin, gazetar i njohur hulumtues, që të rindërtojë ngjarjet dhe të zbulojë të vërtetën. Me ndihmën e Lisbethit, një grua e re, shumë e zonja dhe gjeni kompjuterësh, Blomkvisti heton me rrënjë historinë e familjes

Vanger, por sa më shumë rrëmon, aq më tepër zbulimet bëhen të

llahtarshme.

Trilogjia “Millennium”

Stieg Larsson (1954-2004) gazetar dhe tashmë shkrimtar i famshëm suedez, para vdekjes së tij tragjike e të beftë, një atak në zemër, në nëntor të vitit 2004 kishte përfunduar tri romane, pjesë të një trilogjie të quajtur “Millennium”: “Burra që i urrejnë gratë”; “Vajza që luante me zjarrin” dhe “Mbretëresha e kështjellave prej letre”. Para se të ndërmerrte sprovat e tij në letërsi, Stieg Larsson-i ishte i njohur për betejat e tij kundër racizmit dhe ekstremizmit të krahut të djathtë. Në mes të vitit 1980, ai ndihmoi për fillimin e projektit kundër dhunës “Ndal Racizmit!”, që u pasua me themelimin e “Expo-foundation” në 1995-ën, ku më vonë ai u bë drejtues i tij. Nga viti 1999 e më tej, ai u emërua kryeredaktor i “Expo”, revistë e fondacionit “Expo”. Miliona kopje nga librat e tij janë shitur në mbarë botën. Stieg Larsson-i vdiq menjëherë, pasi i dorëzoi botuesit të tij suedez tri romanet që përbëjnë trilogjinë “Millennium”. Fatkeqësisht, ai nuk jetoi për ta shijuar suksesin e veprave të tij.

Me dritën dhe errësirën “shqiptare”

Titulli: “Engjëj të armatosur”

Autore: Diana Çuli

Roman

Botimet: “Toena”

Çmimi: 600 lekë

Një punë shumëvjeçare kërkimore e hulumtuese mbi histori lufte e histori njerëzore të ndërthurura në tragjeditë më të rënda që ka prodhuar shoqëria shqiptare, një thellim në kohë dhe hapësirë për të kuptuar honet e shpirtit dhe kapërcimet e mendjes, një përshkrim i hollësishëm e ekzotik i njërës prej krahinave më interesante të Shqipërisë, bregut të detit, i karakterit mesdhetar të banorëve të tij, i pasioneve, vrulleve, traditave, legjendave të hershme dhe të tashme, të gjitha këto në sfondin e Luftës së Dytë Botërore.

Kritika ka vlerësuar trajtimin origjinal të temës së Luftës së Dytë nga ana e autores, temë që shpesh është skematizuar, paragjykuar ose shmangur nga autorët shqiptarë.

Diana Çuli me këtë vepër dëshmon forcën e saj artistike, tashmë të pjekur, aftësinë e vëzhgimit, sintezës, filtrimit në letërsi të çështjeve ekzistenciale si marrëdhëniet e individit me luftën apo paqen, me dashurinë dhe vdekjen, me vetë unin e tij në një botë të ndërlikuar shqiptare, ku drita dhe errësira nuk kanë kufij të qartë.

Një histori dashurie tragjike e vendosur në një sfond marramendës bukurie.

Autorja

Diana Çuli njihet si një nga shkrimtaret më të rëndësishme të letërsisë sonë. Autore e shumë romaneve, vëllimeve me tregime, dramave, skenarëve të filmave artistikë, ajo ka shkëlqyer sidomos në prozën e gjatë. Midis romaneve që ka botuar ndër vite, janë vlerësuar në mënyrë të veçantë: “Dreri i trotuareve”, “Diell në mesnatë” dhe “Engjëj të armatosur”. Madje romani “Engjëj të armatosur” është cilësuar si romani më i mirë i shkruar për periudhën e diskutueshme të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, si një roman që hap udhën e mund të shërbejë si një pikënisje e re për trajtimin në mënyrë jodogmatike të kësaj periudhe. Proza e saj është përkthyer dhe botuar në Itali, Francë, Kinë, Rusi etj. Veç fushës së letërsisë, Diana Çuli ka spikatur gjatë 17 vjetëve të fundit si një nga veprimtaret në mbrojtje të të drejtave të gruas, duke drejtuar “Forumin e pavarur të gruas”. Në legjislaturën 2005-2009, ajo është zgjedhur deputete në Parlamentin shqiptar.

Libra të shkrimtares të botuar nga shtëpia botuese “Toena”

“Diell në mesnatë”, roman

“Rekuiem”, roman

“... dhe nata u nda në mes”, roman

“Gruaja në kafe”, roman

“Dreri i trotuareve”, roman

“Engjëj të armatosur”, roman

Edhe njëherë për dashurinë….

Titulli: “Bikini”

Autori: Janush Vishnjevski

Përkthyes: Sokrat Gjerasi

Redaktor: Loredan Bubani

Gjinia: Roman

Shtëpia Botuese: “OMSCA-1”

Çmimi: 1000 lekë

Janush L. Vishnjevski u lind në vitin 1954 dhe është një nga shkrimtarët bashkëkohorë më të suksesshëm në Poloni. Banon në Frankfurt-mbi-Majn. Në vendin tonë janë përkthyer dy libra të tij: romani bestseller “Vetmi në rrjet” dhe vëllimi me tregime “Dashnorja”.

Romani i ri i Janush Vishnjevskit “Bikini”, i botuar në origjinal në vitin 2009, ka korrur shumë sukses. Në të rrëfehet historia e dashurisë së një gjermaneje me një amerikan, në fund të Luftës së Dytë Botërore. Nga Dresdeni i shkatërruar pas bombardimeve, nëpër Nju-Jorkun ku zien jeta, deri në atolin e virgjër, të paprekur nga qytetërimi, “Bikini”, kjo është odiseja e Anës, e vajzës gjermane. Ajo është e bukur, e flet shkëlqyeshëm anglishten dhe ëndërron për karrierën e fotografit. Nga zjarri i luftës atë e tërheq Stenli, një fotoreporter amerikan, i dërguar me punë nga redaksia e “Nju-Jork Tajms”-it në Evropë. Si të dashurosh kur ke parë kaq shumë të liga? Si të besosh kur di se njeriu i dashur priret ndaj pabesisë? Si të jesh i lumtur, kur nuk mundesh, por dhe nuk ke të drejtë të harrosh? A i shkonte ndër mend Anës se punimet e saj më të mira do të ishin fotografitë e qytetit të shkatërruar të lindjes dhe se do të ndodhej fillimisht në Nju-Jorkun ku gëlon jeta, pastaj në atolin e magjishëm Bikini…?

“Persizmat në gjuhën shqipe”

“Persizmat në gjuhën shqipe”, ky është libri i ri i autorit Tahir Dizdari, botim i fondacionit kulturor “Saadi Shirazi” në kuadrin e Vitit Ndërkombëtar të Afrimit të Kulturave”, shpallur nga UNESKO. Në fakt, disa vjet më parë u botua “Fjalori i orientalizmave në gjuhën shqipe”, përgatitur dhe hartuar nga Tahir N. Dizdari. Në këtë fjalor gjenden në renditje alfabetike fjalë dhe shprehje, emërtuese dhe përvetuese, me burim osmanishten (turqishten e vjetër, por dhe të re), arabishten dhe persishten. Brenda këtij fjalori studiuesit kanë identifikuar të paktën 600 fjalë-rrënjë me burim persishten.

Në kuadër të nismës së UNESCO-s për shpalljen e vitit 2010 si Vitin e Afrimit të Kulturave, fondacioni kulturor “Saadi Shirazi” vendosi ti rikthehej botimit të persizmave në shqipe, kësaj here në një fjalor të veçantë, përgatitjen e të cilit e mori përsipër gjuhëtari Emil Lafe, një prej bashkëpunëtorëve të kryehershëm të revistës “Perla”, dijetar me përvojë në botimet e karakterit leksikografik dhe enciklopedik. Ishte propozimi i tij që këtij fjalori ti bashkoheshin edhe disa studime të kryera në dy dekadat e fundme prej studiuesish shqiptarë për praninë e persizmave në gjuhën shqipe dhe për vendin e rolin e tyre në leksikun e shqipes. Gjithashtu redaktori i botimit i shtoi fjalorit një parathënie njoftuese dhe analitike dhe disa shtojca e tregues, që japin një përfytyrim më të plotë të persizmave në gjuhën shqipen dhe lehtësojnë përdorimin e këtij libri nga studiuesit. Të gjitha këto i japin librit të pranishëm fytyrën e një botimi të ri. Mbi të gjitha, “Persizmat në gjuhën shqipe dhe studimi i tyre” është një libër që dëshmon se persizmat në shqipe, për shumë arsye, janë jo vetëm sasiorisht, por edhe cilësisht më të shumta se sa paraqiten në “Fjalorin e orientalizmave”.

Njohja dhe studimi i persizmave në gjuhën shqipe dhe përgjithësisht në gjuhët ballkanike ka rëndësi jo vetëm gjuhësore. Gjuha, para së gjithash, është shenjuesja dhe forma e të shprehurit të kulturës, gojore dhe të shkruar. Gjuha është njëherësh informuese historike e lëvizjeve, lidhjeve dhe bashkëpërkimeve kulturore midis popujve.

Persizmat në gjuhën shqipe ilustrojnë shkallë të ndryshme konvergjence që ekzistojnë midis gjuhëve: prej afërsisë që vjen nga një burim i përbashkët gjenetik (indoevropian) dhe tipologjisë së njëjtë brenda kësaj familjeje (satem) tek njohja historike në lashtësi, në Mesjetën parosmane dhe më pas; prej gjuhës së folur e gjuhës së shkruar; prej botës laike dhe fetare; prej letërsisë dhe dijes e shkencës. Botimi i fjalorit “Persizmat në gjuhën shqipe” dëshmon ndër të tjera edhe ndërkombëtarizimin e persizmave jo vetëm në botën e Orientit, por edhe në Evropën Perëndimore.

Fjalori i persizmave ka rëndësi edhe për të qartësuar ndryshimin e kaheve të ndikimeve në kulturën shqiptare. Në fakt, fjalori i persizmave në shqipe, që po botohet, është e sigurt që nuk do të përftohet nga lexuesi si një fjalor dygjuhësh, madje as si një fjalor shpjegues, por thjesht si një fjalor tematik sipas kriterit të burimit parësor të fjalës.

Ky libër, që mban titullin “Persizmat në gjuhën shqipe dhe studimi i tyre” trajton në një këndvështrim të dokumentuar dhe njëkohësisht shkencor lidhjet midis pasurisë gjuhësore shqipe dhe asaj perse-iraniane, ku, nga njëra anë, spikatin potencialet e kulturës së shoqërisë shqiptare në fushën e gjuhësisë dhe, nga ana tjetër, i kushtohet vëmendje lidhjes së saj me një pjesë të gjuhës dhe të kulturës iraniane.

Sipas Shahrouz Falahatpisheh, Drejtor i fondacionit kulturor “Saadi Shirazi”, Tiranë, ky libër, i cili është përgatitur dhe botuar për mjedisin shqiptar, do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve të marrëdhënieve kulturore miqësore midis dy vendeve Iranit dhe Shqipërisë, si dhe në zgjerimin e tyre. Ai është gjithashtu pjesë e veprimit kulturor të këtij fondacioni në kuadrin e përgatitjeve për veprimtaritë që do të zhvillohen në vitin 2010, i shpallur nga UNESCO-ja si Viti Ndërkombëtar i Afrimit të Kulturave (International Year for the Rapprochement of Cultures).

Sipas prof. dr. Emil Lafes, përgatitës i librit, në këtë vëllim persizmat paraqiten me një redaktim të ri të plotë e të njësuar. Këtë e ka lehtësuar edhe botimi i “Fjalorit të orientalizmave” të Tahir Dizdarit në vitin 2005, i cili na ka dhënë mundësi të bëjmë kërkime e verifikime të reja. Shtojcat në fund të pjesës së parë, të përgatitura posaçërisht për këtë botim, ndihmojnë për të pasur një ide më të qartë rreth vendit të persizmave në leksikun e shqipes dhe ndihmojnë edhe shfrytëzimin e këtij libri nga studiues iranianë e orientalistë të huaj. Vëllimi ka edhe një pjesë të dytë, ku përfshihen disa nga artikujt studimorë për persizmat, të realizuar në kuadrin e veprimtarive të fondacionit “Saadi Shirazi”. Këta artikuj, nga njëra anë, ndriçojnë një varg problemesh të përgjithshme e të veçanta për hyrjen e persizmave në gjuhën shqipe dhe për vendin e tyre në pasurinë gjuhësore të shqipes, kurse, nga ana tjetër, shtrojnë probleme e krijojnë mbështetje për hulumtime të mëtejshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›