Librat e Parashkollorëve, gabimet gjuhësore, konceptuale dhe ilustrative
Autori i Lajmit: Denisa Kona
Librat e parashkollorëve duhet të ishin modeli i parë më i mirë i mësimit të gjërave të thjeshta e të vërteta, mbi të cilat më pas do të ngriheshin koncepte më komplekse, të qëndrueshme. Ndonëse në treg ekzistojnë një larmi botimesh për këtë grupmoshë që i përket viteve të kopshtit, konkurrenca nuk ka mjaftuar për të shmangur gabimet në tekstet e shumta. Gabime të të gjitha natyrave (pa konsideruar këtu si të tilla lapsuset), ne kemi gjetur në shumë libra. Sot po fillojmë me Librin e Parashkollorëve ABC për Grupin e Parë dhe ABC, Parashkollorët (Grupi i Parë) që është Fletore Metodike Vizatimi.
Librat e parashkollorëve pretendojnë tu japin fëmijëve njohuri bazë në disa fusha të mendimit, përfshirë edhe njohurinë mbi ngjyrat bazë. Por autorët në këtë rast kanë klasifikuar gabimisht në libër (ABC për grupin e parë), pesë ngjyra, dy nga të cilat nuk janë bazë: Konkretisht, e gjelbra dhe e kaltra. E gjelbra është derivat i kobinimit të ngjyrës bazë blu me të verdhën, kurse e kaltra është derivat i kombinacionit blu -e bardhë. Gabimi i dytë është kaq i përhapur edhe në gjuhën e folur, saqë një tonalitet i fiksuar shtrembër që nga fëmijëria, do ta na shoqërojë gjatë gjithë jetës. Nga ana tjetër, cilësia e ngjyrave të revistave ka raste që lë për të dëshiruar. Pa mohuar ngjyrat e bukura dhe cilësinë e letrës së këtyre botimeve, në faqe të caktuara ka dyzim të figurave (për shkak të lëvizjes së sitave të ngjyrave gjatë shtypjes së tyre). Por problemin e ndiejnë në veçanti temat ku ngjyra nuk është thjesht stoli, por është esenca e informacionit, është vetë mësimi. Përshembull; në rastin kur pretendohet se jepet ngjyra e zezë por mes njollave të ngjyrave bazë fëmijët shohin një manushaqe të errët.
Emërtime të papërshtatshme
Në librin e parashkollorëve ABC gjen edhe emërtime të tilla si “Mjetet e komunikacionit”, që kërkon aftësinë e klasifikimit, ndërkohë që fëmija 3-4 vjeçar të cili i drejtohet ky libër nuk e ka ende këtë aftësi. Një makinë për të është një makinë dhe shumë makina janë shumë makina, që nuk arrijnë të krijojnë as klasën e makinave e jo më klasën më të zgjeruar të mjeteve të komunikacionit (e cila merr kuptim kur fëmija arrin të grupmojë sipas funksionit të përbashkët makinat, trenat, anijet dhe aeroplanët).
Le të marrim një nga fjalët më të përdorura në libër: fjala “sens”. Kjo fjalë e huaj që pranohet të përdoret në situata gjuhësore të caktuara, është përdorur në libër pa vend në rastin e fjalisë “Fëmija duhet të plotësojë me laps vizat e ndërprera, duke ndjekur sensin e lëvizjes”. Por lëvizja nuk ka sens, ka kah.
Gafa shkencore
Projekti numer 3 “Trupi im”, në këndvështrimin tonë lë për të dëshiruar në organizim. Aty ku lexohet “sytë”, shigjeta shkon vetëm tek njëri sy, kurse për veshët shigjetat shkojnë tek të dy. Buzët nuk kanë shigjetë dhe për më tepër janë futur gabimisht tek organet e shqisave (të ndijimit). Ajo në fakt ndijon brenda organit lëkurë, ndërsa nuk ka aftësi për të shijuar, sikurse pretendon ushtrimi. Më tej, kur flitet për pjesët e trupit, bëhet një klasifikim me mungesa; radhiten koka, krahët, duart dhe këmbët. Pa dhënë pjesë më të mëdha si trungu (dhe përbërësit e tij -shpina, vithet, kraharori barku), janë dhënë detaje si duart!. Imagjinoni të ndërtojë fëmija trupin njerëzor, vetëm me pjesët e dhëna në libër!
Në përgjigjen e një nxënësi do të konsiderohej gabim shkencor që me etiketimin “duar” të shigjetonte dorën e djathtë dhe parakrahun e majtë, siç ndodh në librin e parashkollorëve në Projektin “Trupi im” (Padyshim, kjo duhet të jetë një pakujdesi).
Në temën e dytë titulluar “Njohuri mbi seksin”, nuk duhej shënuar X shenja e përgjigjes për të dyja sekset, por duke respektuar edhe pamjen e kromozomit, për përgjigjen djalë” duhej vënë shenja Y.
Me një shikim më të kujdesshëm, këto gabime do të ishin riparuar. Këto botime kanë nevojë të përmirësohen nga viti në vit. Botimi që është hedhur në qarkullim 4-5 vjet përpara duhet të rishikohet për të shmangur ato gabime që janë vërejtur më pas.
Numërimi, inteligjencë jo vetëm, matematikore
Fëmijët është e vërtetë se numërojnë me ndihmën e gishtave. Por gishtat ndihmojnë mbledhjen e numrave si koncepte abstrakte dhe ata nevojiten pikërisht atëherë, kur nuk ka objekte reale për të mbledhur. Pra, gishtat zëvendësojnë objektet reale që duhen numëruar. Ndërsa paraqitja grafike 1 lule+ 1 lule+ 1 lule= 3 gishta nuk duhet të jetë korrekte. 1 lule+1 lule+1 lule= 3 lule. Në vend të tri gishtave mund të vizatoheshin tri lule. Sidoqoftë, një “gabim” për hir të didaktikës mund të tolerohet, por me kusht që fëmijës ti shpjegohet gojarisht, se kur mblidhen objekte të një lloji, në përfundim kemi përsëri po ato objekte, veçse më tepër. Kurse kur mblidhen objekte të ndryshme, shtohet klasa që i përfshin, por sendet veç e veç mbeten po ato. Vite më parë, në një eksperiment të bërë në kopshtet tona, u evidentua inteligjenca e një fëmije i cili kur e pyetën se sa bëjnë 3 mollë+ 2 dardha+ 2 ftonj, u përgjigj: Bëjnë 3 mollë+ 2 dardha+2 ftonj. Ai nuk tha si fëmijët e tjerë, 7. Pra, bëjnë 7 fruta, por nuk bëjnë 7. Ky lloj ushtrimi kërkon një inteligjencë të kombinuar, përtej asaj matemarikore.
Zbukurim i realitetit
Librat shërbejnë për ti mësuar fëmijët përmes zbavitjes, por njëherësh edhe për të zhvilluar drejt raportet sociale, raportet me objektet si dhe për të zhvilluar ndjenjën e së vërtetës. Kur fëmija gjen në libra, gjëra që nuk i përgjigjen realitetit, ka dy mënyra; ose do të mendojë që janë përralla, ose do të mendojë se në libra ajo që shkruhet, nuk është nevoja të ketë lidhje me atë që ndodh. E gjithë kjo “parathënie”- për një moment të tillë siç janë fjalët e mamit në libër, se “në kopsht ka lodra shumë të bukura, ka edhe libra”. Po kur kopshti ka vetëm lodra të shkatërruara dhe asnjë libër, çfarë zhgënjimi!
Fjalori i varfër i përshkrimit dhe pasojat e tij
Gjuha e fëmijëve nuk është aq e zhdërvjelltë dhe leksiku në moshën 3-4 vjeçare ka ende për tu plotësuar më tej, por kjo nuk do të thotë se librat duhen shkruar me aq fjalë sa fëmija përdor. Gjuha e përdorur nuk duhet të jetë as tepër e ndërlikuar, por pak hapa përpara të folurit fëminor, në mënyrë që të nxisë zhvillimin e tij (fusha proksimale e zhvillimit siç njihet). Mirëpo çfarë ndodh? Hera-herës takon nëpër libra, madje edhe shkollorë, përshkrime me fjalë të përsëritura që e varfërojnë tablonë. Ndërsa në rastin e librit të parashkollorit që po shqyrtojmë, në temën ku flitet për vjeshtën, kudo del fjala “i verdhë”. Por çfarë do ti themi fëmijës, kur ai gjen ose shikon një gjethe bojë të kuqe apo të kuqërremntë, një të kafenjtë, një si portokall?... Dhe ndodh për fat të keq, që nga fëmijëria fiksohet uniformiteti, në vend që të mprihet shikimi i të vegjëlve tek të veçantat e ngjyrave të një stine. Shumë të rritur habiten ende kur shohin gjethe të kuqe, pasi librat u kanë thënë se vjeshta është e verdhë, me gjethe të verdha apo të arta, se vjeshta shtron qilim të verdhë etj. dhe prandaj nuk e dinë se ajo ka kolorit, është shumëngjyrëse.
Në projektin 5 “Stina e dimrit”, gjenden formulime të tilla shabllone që karakterizojnë stinën si: “Dielli nuk ngroh”, qielli ka ngjyrë të errët”. Dhe vetëm kur rriten, shumë njerëz arrijnë të dallojnë metaforën “nuk ngroh” nga realiteti “ngroh më pak”, sepse, nëse dielli nuk do të ngrohte fare, as jeta nuk do të ekzistonte. Ndërsa ngjyra e qiellit nuk është tipar përcaktues i stinës së ftohtë. Ngjyra e qiellit ka lidhje shkakësore me rreshjet dhe ato janë të shumta edhe në vjeshtë e pranverë. Në dimër ka shumë ditë të kthjellëta, me qiell të kaltër, madje krejt pa re.
Shprehje e fjalë të tepruara
Poezitë apo vjershat e shkurtra të ndërfutura në librat e fëmijëve, për shkak të ritmit të preferuar prej të vegjlëve janë të dobishme. Duke i mësuar ato, fëmijët përvetësojnë edhe shumë fjalë të reja. Pa po, edukohen artistikisht dhe estetikisht. Por, jo rrallë, në vjershat e improvizuara në librat e parashkollorëve, (vjersha të cilat nuk kanë për autorë poetë të mirëfilltë), gjen shprehje që të degustojnë tërësisht. Nuk do ta kishte ënda, ti dëgjoje nga goja e të vegjëlve. Të tilla si vargu i parafundit i vjershës “Bie bora flokë-flokë”, “pse smë thua ti për besë/ që ti japim kovë e fshesë” (Eshtë fjala për njeriun prej dëbore. Një shprehje e tillë përbetimi “për besë”, dialektore për më tepër e të folurit gojor, është krejt e pavend në një vjershë parashkollorësh, ku nuk ka asgjë për besën. Këtu është një togfalësh parazit, i përdorur për hir të rimës, që fëmija as që ia di kuptimin. Për rrjedhim, do ta përdorë atë si një masë të ngurtë në trupin e vjershës, masë të pashkrishme (që nuk shkrihet), të cilën nuk mund ta asimilojë edhe për disa vjet të tjerë. Sa më tepër masa të tilla të patretshme të kenë krijimet për fëmijë, aq më shumë e humbasin ato rrjedhshmërinë, ndjeshmërinë dhe vlerën.
Në vjershën tjetër, “Burri frikacak” del një emër, Goni, që nuk merret vesh se cili është dhe nga na doli.
“Kështu e quante ajo lodrën e saj të shtrenjt녔 (F1.6). Një lodër sado e preferuar nuk mundet të jetë kurrë “e shtrenjtë” (në kuptimin e çmuar, pasi këtu nuk është fjala për shtrenjtësi çmimi). Në kuptimin metaforik, fjala “e shtrenjtë” nuk mund të përdoret veçse për njerëz të veçantë apo cilësi tepër të larta. Përdorimi pa vend i mbiemrit, do të çonte dora-dorës në përdorim abuziv dhe zbehje të forcës së tij. E, nëse duam që gjuha të mbetet një institucion, që ajo ta ruajë forcën, nuk duhet ti shpërdorojmë fjalët. Nuk kemi ku të gjejmë të tjera.
Gabimet gjuhësore janë një nga aspektet e gabimeve që zënë vend të faqet e librit parashkollor. Rregulli më i thjeshtë, që numri i emrit (kryefjalës) përcakton numrin e foljes (kallëzuesit) është shkelur në rastin e frazës “Me fëmijët duhet të bisedojmë për emrin e saj/ e tij”, kur duhet të ishte “me fëmijën… për emrin e tij”, ose “me fëmijët… për emrat e tyre”.
Gabimet gramatikore dhe mospërputhjet me figurën
Gabimet gramatikore nuk janë të shumta, por as edhe të pakta smund të quhen, pikërisht sepse koha e përgatitjes së këtyre botimeve nuk është ajo e mbushjes së faqeve të një të përditshmeje. Për më tepër, që këta libra ribotohen kohë pas kohe dhe kështu që është mundësia e ndreqjes së gabimeve të gjithëfarëllojshme. Kështu, në faqen 19 të Librit të Parashkollorëve ABC (Grupi i Parë) hasen këto gabime: “I tregojnë” (për u tregojnë); pjestarët (për pjesëtarët). Në faqen 21gjen “se kupton” (për se kupton). Gabimet me apostrofet janë të përsëritura. Në faqen 23 thuhet: “Ngjyros pemën”, kur në fakt janë dy pemë për tu ngjyrosur. Më tej, një vjershë për lulesheqerrën, e pailustruar me këtë lule, por me të tjera; të kuqe, të verdha etj. Nga ana tjetër, autorët nuk kanë mbajtur parasysh rregullin, që vjershat nuk duhet të rimojnë me folje.
Libra me standarde “abstrakte” ose standarde të paqarta
Krahasimet për hir të krahasimeve
Fëmija i grupit të vogël parashkollor ka mësuar të dallojë format e objekteve, por natyrisht bëhet fjalë për forma themelore si trekëndëshin nga katrori, apo të dallojë rrethin nga ylli. Nisur nga format bazë gjeometrike, ai nis të dallojë edhe forma më komplekse (që janë kombinim i larmishëm i këtyre formave dhe “ i derdhjes” graduale të tyre tek njëra-tjetra. Kështu, 4-vjeçari dallon trenin nga makina, topin nga kërpudha etj.
Për ta mprehur vështrimin e tij edhe më tepër e për të zhvilluar aftësinë krahasuese- njohëse të formave, ushtrime të tilla janë me vlerë. Por në libër gjen një ushtrim të tillë, që të habit se fëmijëve u vihen përpara lule që formohen nga vija tepër të thyera dhe atyre u duhet që, midis këtyre luleve me forma të çrregullta, të gjejnë dy lule të njëjta! Dhe lulet ngjajnë shumë mes tyre. Kjo u përngan lojërave “Gjeni ndryshimin” që janë për të rritur.
Vjersha dhe rrëfime pa fabul
Një prej temave quhet “ Lulja dhe bleta” por në këtë temë nuk ka brenda asgjë për bletën (bleta është ezauruar në një tjetër temë). Në librin “ABC “ nuk mungon edhe ndonjë fabul pa fabul si “Lule Margarita”, dhe një përfundim i gabuar: “Dhe që nga ajo kohë, petalet e saj janë të kuqe”. Të krijohet përshtypja se hartuesit e tekstit nuk e njohin as vetë llojin e lules, pasi edhe në simbolikat e disafishta, margaritat njihen si simbol i dëlirësisë sepse ngjyra tipike e tyre është e bardha. Për këtë arsye përdoren në buqetat e pagëzimeve dhe të kurorëzimeve martesore në kishë, por edhe për ditëlindje ose lindje. Ndërsa, ngjyrat e tjera janë ose të krijuara artificialisht ose janë të familjeve që kanë (mbi)emra të tjerë, edhe pse përfshihen në grupin e madh me emrin Margarita” si amarilla margarita, ose exotica margarita etj.
Një konfuzion gramatikor gjen në vjershën “Mollë e kuqe”, ku emri mollë del në njëjës, folja në rreshtin e tretë del shumës (i mbledhin). Më mirë do të kishte qenë në këtë formë: “Mollë e kuqe rrumbullake/ si faqet e fëmijëve/ Fëmijët të mbledhin në shportë kur ngjiten korijeve”. Kështu korrigjohet edhe numri, edhe veta, duke i lidhur më mirë dy pjesët e vjershës.
Struktura të gabuara parazite
Në lënien e detyrave për prindërit dhe edukatoret, gjetëm këtë formulim parazitar dhe aspak korrekt që ka filluar të përdoret në gjuhën shqipe nën ndikimin e përkthimeve të dobëta të strukturave nga gjuhët e huaja: “Çdo fëmijë përgjigjet në mënyrë të pavarur, për atë se çfarë ai ka mësuar”. Fare thjesht mund të ishte: “Fëmija (nuk ka nevojë për përemrin çdo) përgjigjet me fjalët e tij për ato njohuri (gjëra) që ka mësuar”. Ose Fëmija tregon vetë çfarë ka mësuar”.
Së fundi, Libri i Parashkollorëve (ABC, Grupi i Parë) mbyllet me një vjershë për 1 Qershorin, e dobët artistikisht dhe që do ti shkonte më për shtat festës së luleve se asaj të fëmijëve.
Fletore metodike vizatimi
Kështu mësohen të vegjlit shtrembër
Ngjyrat e përbëra, njohuri të përshpejtuara dhe të gabuara
Në dy botime, një libër dhe një fletore metodike vizatimi, gjen të njëjtën fjalë me dy forma: I pari, titullohet “..i parashkollarëve”, i dyti “…Parashkollorët”. Me O apo A? Duket se edhe në një grup pune, nuk bihet lehtë në një mendje dhe përdorimi i dy varianteve në dy tituj mund të merret për shenjë kompromisi ose të pasigurisë se cila prej tyre duhet përdorur.
Fletorja metodike që bazohet kryesisht te ngjyrat, pikërisht tek ngjyrat ka edhe pikën e dobët. Që në faqen e që duhej të quhej fq.1, shkruhet “e verdhë”, ndërsa njolla e bojës që e shoqëron, jep të gjelbër të hapur. (Për herë të parë këtu shikojmë se si numërimi i faqeve fillon që nga kopertina).
Pa marrë parasysh stadet e zhvillimit të aftësisë së fëmijës për të vizatuar, fëmijëve të grupit të vogël të kopshtit u kërkohet të vizatojnë një fytyrë me tipare, kur një të tillë mund tia kërkosh fëmijëve të grupit të madh të kopshtit.
Edhe këtu, në faqen 7 nuk mungojnë gabime të rëndomta si ky: Unë dhe shokët e mij (për mi). Në faqen 8, jepet për tu mësuar koncepti “brenda” dhe mungojnë ilustrimet (brenda çantës; jashtë çantës etj). Megjithëse duhet thënë se maksimumi i ushtrimit, mund të bëhet lidhja mes konceptit dhe fjalës në rastin më të vonuar, sepse vetë ky si koncept (brenda-jashtë) ka nisur të përvetësohet që me perceptimin e hapësirës, aty rreth moshës 1.5 vjeç me lojën e mbushje-zbrazjes, kur fëmija nuk lë sirtar e dollap pa hapur e pa nxjerrë sendet.
Ndërkohë, ndërsa diku jepen njohuri të kapërcyera, diku tjetër, jepen njohuri të parakohshme. përshembull; I thuhet fëmijës të kuptojë se çdel nga kombinimi i dy ngjyrave. Kjo njohuri nuk u takon fëmijëve të kopshtit. Ata vetëm i dallojnë ngjyrat nga njëra-tjetra dhe i emërtojnë. Nuk mund të kuptojnë se si rrjedhin nga njëra tek tjetra. Por si të mos mjaftonte me kaq, autorët e librit gabojnë edhe vetë në përcaktimin e ngjyrave të derivuara. (Të ishin konsultuar të paktën me ndonjë student pikture). P.sh, për autorët e kuqe + e zezë= me kafe. Kombinimi i dy ngjyrave të para nuk e jep të tretën, por jep vishnjen shumë të errët ose vishnjen e hapur, në varësi të sasisë së të kuqes dhe të zezës që përzihen. Ndërsa ngjyra kafe del nga kombinimi i më tepër se dy ngjyrave. Duhet e verdha ose derivate të tjera. Ndërkaq, ngjyra kafe identifikohet në ilustrim si tonalitet 90% me të zezën.
Për fëmijën është e tepërt ti thuhet se ngjyra portokall dhe ngjyra jeshile janë të përbëra (këtu ngjyra jeshile nuk del bazë si në hyrje të librit). Në faqen 15 të librit, tek torta me qirinj, njollës ngjyrë vjollcë i vihet emërtimi e kaltër.
Probleme dhe me ilustrimet
Në faqen 17 gjen një vjershë për peshkun PIPO. Vjersha flet për peshq ngjyrë ar, figura tregon peshq me ngjyra. Dhe më në fund, në fundin e faqes tek këndi “Çfarë mësoj?” thuhet që peshku nuk ushqehet si gjithë kafshët e tjera shtëpiake dhe të pyllit (më shumë krijon përshtypjen se peshku nuk ushqehet fare, sesa se peshku ushqehet ndryshe prej kafshëve të tjera). Fëmijës i lë të kuptojë se peshku nuk ha, sesa të kuptojë se çfarë ha.
Një pemë e Vitit të Ri mban si stoli objekte si aeroplan, makinë, çadër, por nuk është ky bredhi tipik dhe teksti që e shoqëron, duhet të thoshte se ky është një bredh i veçantë, i bërë me fantazinë e fëmijëve të kopshtit dhe nuk është ai që shihet në vitrina dyqanesh.(Tek libri i parashkollorëve)
Në faqen 22 të fletores metodike shkruhet: Ngjyros me kujdes macet” dhe është vetëm një mace për tu ngjyrosur. Në fund thotë “Vëzhgoj me kujdes dhe ngjyros figurën e lepurushit Kiko”, kur ky ishte dy mësime përpara. Paradoksalisht, libri i bën thirrje fëmijëve për kujdes, kur vetë është punuar pa kujdes.
Vetëm me një vështrim të shpejtë disaorësh mbi këto libra gjen kaq gabime, të cilat duhet të merren në konsideratë sepse siç e dinë mirë specialistët e pedagogjisë që janë edhe autorë të teksteve të tilla, diçka që mësohet shtrembër është më vështirë të çrrënjoset dhe të mësohet nga e para drejt. Librat e parashkollorëve janë një investim jo aq i madh financiar sesa investim për formimin e të vegjëlve. Ia vlen ti mbash më gjatë në duar…
Listë e thjeshtuar gabimesh
Ekziston Duhet
Standart Standard
Mëngjez Mëngjes
Elementët Elementet (Fraza është elementët e para të shoqërimit.
Ti Ti
Këndi i lojrave Këndi i lojërave
ngjyra,ngjyra ngjyra-ngjyra
gjyshja ra të flerë ra të flejë
si mbyll si mbyll
figurën e poshtme figurën e mëposhtme
e pa ngyrosur e pangjyrosur
mbas pas
Diplomë në Grupit të Parë …e Grupit të Parë
Për fëmijët e kopshtit janë përgatitur jo thjesht botime, por sete botimesh, që janë “embrioni” apo fillesat e lëndëve të ardhshme. I tillë është seti i librave “Veprimtari Gjuhësore” dhe “Veprimtari Matematikore”, shoqëruar edhe me fletoret përkatëse, për çdo grup të kopshtit. I kemi parë me kujdes, libra të vlefshëm. Për fat që më në fund edhe në Shqipëri ka botime të specializuara jo vetëm argëtuese (siç janë librat me përralla), por edhe didaktike për moshat 3-6 vjeç. Mirëpo, as në këto botime, sikurse në setin e librave që shqyrtuam dje, nuk mungojnë problemet në disa rrafshe. Paraqitja e mirë grafike dëmtohet në disa faqe nga figura të dyzuara, ndërsa gjëzat e përfshira në libra, janë të dobëta, pa muzikalitetin që u pëlqen fëmijëve, edhe të vështira (të pamundura) për tu gjetur. Ato mbetet të mësohen përmendësh, gjë që në këtë rast, nuk paraqet më vlerë. Por nuk mungon edhe ndonjë gjëzë e bukur si kjo: Krahëqendisur si qilim/ nëpër lule gjen ushqim/ (Flutura).
Gjithashtu, në libra nuk është ruajtur mirë fizionomia e tyre duke përfshirë në librin e matematikës edhe objektiva të tilla si zhvillimi i të folurit, njohja me kafshët etj. Me një organizim më të mirë të kompletit të librave, disa njohuri e tema të librit të matematikës duhet të përfshiheshin në librin e veprimtarisë gjuhësore dhe anasjelltas. Ose, të dy librat duhet të shkriheshin në një të vetëm me të gjitha temat, që zhvillojnë të menduarin e integruar.
Ndonëse titulli premton veprimtari matematikore, kjo natyrisht nuk i pengon autorët që ushtrimet të jepen në formë zbavitëse edhe si vjersha. Gjë e mirë do të thoshim: Edukim estetik krahas zhvillimit të aftësive matematikore. Por, le të shohim një shembull; Tri pula po vraponin/ sepse gjeli po afrohej/Ki-Ki-Ri-Ki/ Ndaluni pak/ Se me ju dua të flas/ Sa shpendë u bënë gjithsej?/
Atëherë, nëse ky është një ushtrim matematikor, nuk është një ushtrim logjik dhe nuk ka as vlera estetike. Pulat rrojnë me gjelat, nuk tremben prej tyre. Së dyti, a e dinë 4-5 vjeçarët se pula dhe gjeli quhen shpendë, në mënyrë që të gjejnë se sa u bënë gjithsej? Nëse nuk është e mundur që të japësh një ushtrim-lojë me efekt në tri fusha, është më mirë të bësh saktë njërën prej tyre.
Në objektivat e librit të veprimtarisë matematikore gjendet një detyrë e tillë: Të dallojë (fëmija) figurën e trekëndëshit, edhe kur asaj i mungon baza”. Eshtë interesante të ngresh detyra të tilla, ku fëmija të gjejë në objekte të ndryshme, figurat gjeometrike. Por një trekëndësh që i mungon baza nuk është më një trekëndësh. Ai është një kënd. Në vend të kësaj mund të thuhej që njëra nga brinjët e trekëndëshit nuk shquhet por është sidoqoftë brenda në trupin e yllit, përshembull dhe mund të hiqet sipër tij me laps.
Veprimtari matematikore, grupi II-të: Ky libër ofron përveç koncepteve matematikore, edhe njohje për botën e kafshëve, cilësitë e tyre, projekte për punë dore e vizatim, ushtrimin e të folurit etj. Shpesh, ato që emërtohen “Objektiva”, janë aktivitete praktike, kurse ato që shënohen si “fusha e veprimtarisë edukative”, janë mirëfilli objektivat e vërtetë (f.32). Ndërsa libri tjetër për veprimtaritë gjuhësore, nuk ka vetëm aspektin gjuhësor, për ta titulluar si të tillë. Në këtë botim më pak cilësor se ai i veprimtarive matematikore, zë vend edhe ndonjë vjershë bajate si kjo që gjendet në faqen 11: “Eja, eja shoku im/ Shpejt në kopsht të shkojmë/ Pritmë, pritmë edhe pak/ sa dhëmbët të laj/. Me të tilla “vjersha”, kanë fyer shijen, inteligjencën dhe ndjesinë e hollë të fëmijëve për të dalluar të bukurën. Këta pedagogjistë harrojnë se mosha nuk është “kriter” për të ndjerë hijeshinë apo pahijeshinë. Mbase nisen nga mendimi: “Hë, se fëmijë janë këta, kënaqen edhe me kaq”. Seç të krijohet një përshtypje e keqe, se kur shkruajnë librat e fëmijëve, autorët ndihen më pak të monitoruar, teksa shkruajnë vargje me shtrembërime për hir të rimës si ky: “Një shami në xhep e shtij”. E para nuk zgjedhohet shtij, por shtie. E dyta, është përdorim arkaik. Po vazhdojmë dhe me nja dy pakujdesi të tjera: Në faqen 14, “Pse Altini mban kapelen në dorë?”, Altini është një vajzë. Më tej zbulojmë një tjetër stonaturë: “Tek figurat e burrave prej dëbore…”. Togfjalëshi “burri prej dëbore” është gjysmë i mbyllur dhe nuk lejon modifikime. Nuk mund të ketë shumës, edhe pse çdo fëmijë mund të bëjë nga një burrë prej dëbore. Në momentin që fjala burrë kthehet në shumës, togfjalëshi humbet fuqinë e tij unifikuese kuptimore dhe tingëllon diçka tjetër. Të tilla “krijime” gjuhësore lejohen në gramatikën fëminore. Së fundi, po kujtojmë këtu kërkesën e paarsyeshme të njërës prej temave, për të prerë fotografitë e familjes. E përse? Për ti ngjitur në një ilustrim reviste. Fotografitë janë pasuri familjare dhe nuk duhen dëmtuar për qëllime edukative të cilat mund të përmbushen me shumë mënyra të tjera të padëmshme.
Librat e parashkollorëve, lojëra e ushtrime “pa moshë”
Specialistë të arsimit parashkollor janë shprehur disa kohë më parë se programet dhe tekstet e parashkollorëve janë të standardizuara, se çdo moshë ka standardet që duhet të përmbushë mbi bazën e të cilave matet zhvillimi, bëhet vlerësimi, por hartohen edhe programet. Ndërsa marrim në dorë dhe shfletojmë disa nga botimet e parashkollorëve, presim të kuptojmë diferencën mes tyre në shkallën e vështirësisë së koncepteve që ato përcjellin. Kapërcimet dhe kthimet pas janë aq të thekshme, saqë me zor mund të dallosh një tekst për 5-6-vjeçarë, nga teksti për 3-4 vjeçarë. Ndonëse ndryshimet tek fëmijët e këtyre grupmoshave janë të thella, tekstet nuk e pasqyrojnë mirë këtë rritje. Ndodh që në temat për më të vegjlit përfshihen koncepte më të avancuara dhe e anasjellta; fëmijëve më të rritur u jepen detyra të kapërcyera. Kjo tregon se standardet janë bërë “llastiqe” që tërhiqen dhe lëshohen, edhe pse nuk mund të kërkosh një vijë demarkacioni të fortë. Më parë se të punojnë autorët me librat e të vegjëlve, duhet të punojnë institucionet përkatëse si MASH, Instituti i Studimeve Pedagogjike, Instituti i Kurrikulave me standardet, gjë që duhet të nisë me anketime e testime të gjata e të besueshme, ndjekur në vijimësi, të grupeve të fëmijëve në çdo stad moshor. Deri më sot, standardet janë adoptuar, por edhe adoptimet mund të kenë probleme në vetvete.
Teksa shfletojmë një fletore didaktike për 3-4 vjeçarë, gjejmë aty njohuri për bashkësitë, të dhëna në atë mënyrë që i gjen me të njëjtën shkallë vështirësie edhe në klasat e ciklit fillor (deri tek e treta).
Gjuha e detyrave të librave, sa fjalë të mëdha për 4-vjeçarët
“Unë jam katrori” (Fq. 6). Parashkollori prezantohet kështu me figurën e parë, katrorin. Por në vend të katrorit, një drejtkëndësh i del para syve. Dhe fëmija nuk e di se një katror i zgjatur, i deformuar, shndërrohet në figurën gjeometrike të drejtkëndëshit. Të vjen keq që një libër parashkollori i mirë, si “Logjika dhe matematika për të vegjël (1)”, “të prish syrin” me figurat e deformuara.
Për të mos folur pastaj për dobësitë e gjithanshme të vjershave, të cilat nuk kanë lidhje me ndonjë art vjershërimi, por nuk përmbajnë as dhuntinë minimale të një improvizuesi popullor: Ato vuajnë edhe këtu , si edhe në librat e tjerë parashkollorë nga situatat e pakuptimta, “budallallëqe” për hir të rimave, mungesë e njohjes apo e zbatimit të rregullave të ndërtimit të vargjeve, mungesë fantazie…duke injoruar krejtësisht gjininë e vjershës. Ja një shembull ilustrues: E gjelbër bretkosa, kuak-kuak/ Lepurushi i kuq trembet sakaq…Dhe nuk është një lepurush lodër, por edhe në lodra, maksimumi lepurushin e bëjnë të kaltër ose rozë. Ndonëse nuk jemi poetë, ja ku gjejmë tani pa u lodhur, një varg më të përshtatshëm, edhe më brenda rimës, edhe me një tog anomatope që i shkon togut të vargut të parë: E gjelbër bretkosa kuak-kuak/ bardhush-lepurushit i bën zemra tak-tak”.
Prapë standardet…
Një libër parashkollori për grupin e parë që i përgjigjet moshës 3-4 vjeç, u drejtohet fëmijëve me fjalë që nuk dallojnë nga ato të një detyre për 6-vjeçarë apo 8-vjeçarë. Komunikimi nuk merr parasysh stadin e zhvillimit të fëmijëve. Ja përshembull: “Verifikoni çastet kohore…përputhjen…(f.24); “…Gjendjet e përparme…(f.23)”; “Numrat që bashkohen, krijojnë figurë (deri në numrin 64)…(f.22); “Kërkoni shkakun e lidhjes së objekteve me njëri-tjetrin (f.26)”. Në këto formulime, fëmija përballet me fjalë që nuk i përkasin grupit të fjalëve që duhet të zotërojë e njohë deri në 4 vjeç, për vetë kuptimin abstrakt të tyre. I kërkohet të verifikojë, i flitet për çast kur nuk ka nocionin e kohës, i serviret “përputhja”, kur këtë fjalë do ta kuptojë vetëm disa vite më vonë; flitet për “gjendje” dhe “të përparme”, të cilat nuk mund të perceptohen, rrjedhimisht, as të deshifrohen nga fëmija. I kërkohet të bashkojë pikat e 64 numrave, kur sapo ka nisur të mësojë numrat e parë, e ata fillimisht mekanikisht…Në librin e parashkollorit gjen fjalën “frymorët” për të treguar bashkësinë e bletëve, fluturave, karkalecave…kur fëmija 3-4 vjeçar ende nuk ka aftësinë e klasifikimit dhe të grupimit dhe për më tepër, kur të gjitha këto gjallesa, para se të futen në një klasë më të madhe, futen së pari në klasën e ngushtë të insekteve. Nëse do të përdorej emërtimi “insekt”, fëmijës do ti vlente më tepër për të grupuar të gjitha ato krijesa të vogla dhe do ti shtonte gradualisht shembujve të librit edhe të tjera nga përvoja e tij si grerëza, miza, mushkonja, etj. Duke vazhduar me të tjera formulime të papërshtatshme kërkesash, po sjellim shembujt e mëposhtëm: “Provoni kujtesën vizive duke ballafaquar…”; Kontrolloni qartësinë e konceptit i vërtetë-i gënjeshtërt…”. Në formulimin e kërkesave duhet të përdorej tjetër regjistër kur u drejtohen edukatoreve dhe tjetër regjistër kur u drejtohen fëmijëve. Në faqen 31 gjendet një detyrë për plotësim vargu, që është relativisht e vështirë edhe për të rriturit, ndërkohë që një nga elementet themelore të lojës janë dritat e ndezura në dritare, që thuajse nuk bien në sy për shkak të ngjyrës dhe hapësirës shumë të vogël. (Shikoni në figurë dhe zgjidheni detyrën).
Sikurse kemi parë edhe në libra të tjerë, edhe librat “Logjika dhe matematika për të vegjël” kanë probleme hera-herës me ngjyrat, dhe në fakt janë vërtet problem, kur ushtrimi është i lidhur me to. Njëri prej tyre thotë: “Qarkoni gjethet e verdha”, por aty veç njërës, nuk ka asnjë gjethe tërësisht të verdhë. Ato janë në raporte me të kuqen ose të gjelbrën. Ushtrimi pretendon se të tjerat që do të mbeten jashtë qarkimit, janë gjethet jeshile, por as jeshilet nuk janë jeshile.
Logjika dhe matematika për të vegjël, 3 e cila u dedikohet fëmijëve të grupit të tretë të kopshtit, që përgatiten për klasën e parë (për këtë arsye, tekstet e kësaj moshe duhet të shënojnë një hop të dukshëm krahasuar me tekstet e dy grupeve më të vogla të kopshtit), me gjithë fantazitë dhe ilustrimet e bukura dhe gërmën shumë të mirë, humbet pikë në cilësinë e keqe të bojërave në disa faqe, gjë që vështirëson zgjidhjen e detyrave. Një dorë e vizatuar keq, e që me zor dallohet në është pamja e parme apo e prapme e saj, kërkohet të gjendet në është e majtë apo e djathtë! (f.47). Ndërsa gabimet gjuhësore të forcojnë dyshimin se në stafin e autorëve nuk ka gjuhëtarë: Përemri “kush” që përdoret vetëm për frymorë, del për të pyetur për cilësi apo rrethana, të tilla si: Kush është e kundërta? I shkurtër, i hollë, jashtë etj. Ndër gabimet gramatikore që kemi vërejtur, po përmendim: Lojrat (për lojërat), elementë (për elemente), në kutia (për në kutira), lapsusin vogoni (për vagoni), spjegoni (për shpjegoni) etj.
Diplomat simbolike të parashkollorëve, që nuk tregojnë asgjë
Fjala diplomë (jo diplomat universitare) po hyn hershëm në fjalorin e fëmijëve. Nëse ata shkojnë në kopsht, në fund të vitit marrin një diplomë. Kjo letër që gjendet në faqen e fundit të librit, “i çertifikon” dijet e tyre. Por natyrisht që nuk është një dëshmi e vërtetë. Secili fëmijë e ka në librin e vet dhe me të “pajiset” sido që të ketë qenë përparimi i tij në kopsht. Një diplomë e tillë vizatimore, duke qenë një kotësi, e fut fëmijën e vogël në sistemin e gjatë të vlerësimit dhe sistemin burokratik të “letrave” që matin vlerat e tij. E që në fakt nuk i matin vlerat e tij. Disa kohë më parë, pediatria e zhvillimit mendor të fëmijëve u shpreh për “Ballkan” se standardet janë mjegullnajë dhe për të matur zhvillimin e fëmijëve, në kopshte duhet të përdoren testet e matjes së inteligjencës dhe testet që matin fushat e tjera të zhvillimit (social, emocional, motorik etj). Mbi bazën e rezultateve të tyre përcaktohet se cili fëmijë është aq i zhvilluar sa për të filluar klasën e parë. “Nuk janë gati të gjithë 6-vjeçarët për klasën e parë,- u shpreh klinicistja Engjëllushe Kuzumi, -dhe kjo nuk ka të bëjë me prapambetje mendore apo zhvillim të vonuar, por me ritme të ndryshme të zhvillimit”. 6-vjeçari mund ta ketë hopin e tij vitin pasues dhe ti arrijë apo kalojë moshatarët. Kur ata futen në shkollë pa qenë gati për të, ka rrezik që ta nisin pa dashuri, të stresohen dhe të demotivohen. Për këtë arsye, diplomat që ilustrojnë faqet e fundit të librave parashkollorë nuk duhet të mbeten zbukurime por të marrin funksione reale.
Ky lajm është publikuar: 05/05/2010