E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librat e rinj gjatë një jave

Gjatë javës që po lëmë pas, libraritë e metropolit shqiptar janë pasuruar me disa tituj të rinj botimesh. Veprat e reja, të cilat tashmë gjenden të renditura pranë librave të tjerë janë botime shqiptare dhe të huaja. Tregime, poezi, romane të ndryshme të cilat mund t’i gjeni pikat kryesore të shitjes së librave.

Ndër ta mund të përmendim:

”Ajkuna në Shqipërinë Unite”, nga Leka Ndoja është libri me tregime i botuar këtë javë nga botimet “Pakti”. Disa nga tregimet që përmban libri: “Ajkuna në Shqipërinë Unite”, “Dora Maks”, “Buzëqeshja trashëgohet”, “Flirt turistik”, “Skenari sekret”, “Kënga e madhe”.

“Ajri i kryqëzimit”, nga Azem Qazimi, është libri me poezi botuar nga “Pakti”. Disa nga poezitë që përmban: “Mëngjes”, “Bahet, zhbahet”, “Bisha asht në kopsht”, “Fushë”, “Përtej kuqëlimit të çative” etj.

“Putra e majmunit”, një libër me përzgjedhje nga mjeshtrit e mëdhenj të tregimit, përkthyer nga Rudi Bobrati dhe Alban Bobrati, është libri botuar nga “Dudaj”. Disa nga tregimet: Frank Stockton me “Vajza apo tigri”, W.W.Jacobs me “Putra e majmunit”, Franc Kafka me “Mjeku i fshatit”. Ky libër përmban 30 tregime të shkëputura nga antologjitë më të famshme të prozës së shkurtër, emra nga më të mëdhenjtë, të identifikuar me këtë gjini letrare.

“Amaneti” nga Teodor Keko është libri me tregime botuar nga “Toena”, Tiranë. Ai rezulton ndër librat më të shitur në libraritë e Tiranës.

“Xhepat e gjyshit” i autorit Janaq Pani është libri me vjersha botuar nga “Toena”, një ndër librat më të kërkuar nga fëmijët. Janaq Pani është ndër poetët më të spikatur të letërsisë për fëmijë.

“Koha e kometës”, i pari për të rrëmbyer “Gladiatorin e artë”

Premiera e filmit “Koha e kometës” me regji të Fatmir Koçit, është i pari në garën e Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit në qytetin e Durrësit. Superprodhimi kinematografik shqiptar plot 2.5 milionë eurosh shfaqet i pari në këtë festival për çmimin “Gladiatori i artë”. Ndërkohë që edhe tre produksione të tjera shqiptare ja ë pretendentë për këtë çmim. Bëhet fjalë për filmin “Mao Ce Dun” me regji të Besnik Bishës, “Trishtimi i zonjës Shanjder” me regji të Pirro dhe Eno Milkanit, dhe “Sekretet” me regji të Spartak Miçanit. Gjithsej, janë plot 16 filma të cilët do të prezantohen përballë publikut shqiptar, përreth një javë, por njëkohësisht do të jenë edhe konkurrentët e çmimit të madh.

Disa prej emrave të cilët përzgjidhen filmat janë Anila Varfi, Xhevdet, Ferri drejtor i Qendrës kombëtare Kinematografike dhe Genc Përmeti. Ky eveniment që organizohet në qytetin bregdetar të Durrësit mbështetur nga Qendra Kombëtare Kinematografike, Bashkia e Durrësit, dhe nga shumë subjekte të tjera private në këtë qytet. Por evenimenti më i rëndësishëm i vitit, i filmit artistik me metrazh të gjatë nuk e ka pasur mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Pas filmave shqiptarë në ekranin e madh do të shfaqen edhe 14 filma të tjerë, mes të cilëve prodhimi italo-francez “Life sentence”; filmi kroat “True miracle”; bashkëprodhimi i artistëve nga Shqipëria dhe Kosova “Secrets”; filmi “Installation of love”, që vjen si bashkëpunim i artistëve nga Sllovenia dhe Gjermania; filmi grek “Correction”; ai estonez “Georg”; filmi çek “I served the King of England”; bashkëprodhimi anglo-iranian “Ahlam dreams”; filmi turk “White angel”; filmi norvegjez “Mirush”; bashkëpunimi boshnjako-kroat “Living and the dead”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›