E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrësi mund të mbetet pa teatër, reagojnë aktorë dhe regjisorë

“Durrësi mund të mbetet pa trupën e tij teatrore dhe teatrin e tij ‘A. Moisiu’”. Ka qenë kjo deklarata e një grupi aktorësh dhe regjisorëve durrsakë, pas vendimit të Këshillit Bashkiak, për ta kthyer pas datës 31 gusht godinën e institucionit të Pallatit të Kulturës “A. Moisiu” në sallë kinemaje. Por aktorët e mbetur ende dhe regjisorët e teatrit të Durrësit nuk janë kundër hapjes së një kinemaje, e cila prej 18 vitesh i mungon qytetit bregdetar, madje sipas tyre, ai duhet të kishte dy të tilla dhe një verore. Por çfarë të ofron realisht sot godina ku po përgatitet të mbahet pas datës 23 gusht Festivali Ndërkombëtar i Filmit, organizuar nga bashkia e qytetit? Pamja që sheh në teatër duket konfuze, me tulla dhe me llaç. Është në prag të ndryshimeve strukturore të rëndësishme të ndërtesës për t’u përshtatur në një kinema për një festival që zhvillohet për herë të parë. Ajo nuk është asgjë para konfuzionit qe ekziston për formatimin dhe rimëkëmbjen e institucionit të teatrit profesionist në Durrës. Pavarësisht konfuzionit, një gjë është e qartë dhe pa ekuivokë, Durrësi, kështu siç po veprohet, rrezikon të mbetet pa teatër. E vërteta është se problemet në teatrin e Durrësit kanë qenë prezente edhe në administrata të tjera të bashkive paraardhëse, por administrata aktuale duket është më e vendosur të mbyllë skenën dhe ta kthejë sallën e teatrit në një kinema.

Teatri “A. Moisiu” sot

Në teatrin “Aleksandër Moisiu”, dikur një ndër teatrot më të njohur në vend, gjendja është e trishtuar. Gjithçka është katandisur në një punë gjysmëdiletante, gjysmëprofesioniste, me pak përfaqësime në festivale jokryesore, dhe me pak shfaqje për publikun e qytetit, ku bie në sy mungesa e tij në sallën që fatmirësisht tani po pajiset me sistemin e ngrohjes dhe ftohjes. Prej kohësh trupa “A. Moisiu”, e menaxhuar keq, ka mbetur një trup e reduktuar, e cila pak ditë më parë u plotësua me katër aktore femra. Pa dashur të komentoj emrat që u përzgjodhën, më shumë të krijohet përshtypja se administrata e bashkisë me këtë veprim nuk plotësoi trupën, por plotësoi disa kërkesa miqsh, duke mos e ditur se puna atje ka të ardhme. Tashmë trupa e teatrit “A. Moisiu” është një trupë përsëri e paplotë, pothuajse femërore, a thua se në çdo sezon do të luajë “Shtëpia e Bernarda Albës”. Ka edhe një vendim tjetër të bashkisë, sipas të cilit trupa “A. Moisiu” do të paguhet vetëm me rrogat dhe jo me pagesa artistike të projekteve skenike, gjë që sipas administratorëve të bashkisë do të vendosë drejtësi, por që praktikisht vështirësohen dhe praktikisht e bëjnë të pamundur ngjitjen në skenë të tyre, në kushte të pabarabarta me pagesat e majme me projekte të të tjerëve. Trupa e teatrit ka problemet e veta dhe për ato duhet diskutuar gjatë, por po të mbetemi në raportet e bashkisë, duket se ajo kërkon ta shkrijë teatrin. Në mënyrën se si do të veprohet me trupën, fare mirë mund t’u thuhet një ditë aktorëve: “Ikni në shtëpi!”. Akoma më të dukshme e bën këtë prirje angazhimi intensiv i bashkisë për ta kthyer sallën e teatrit në sallë kinemaje. Përse mungon ky angazhim për të gjetur mundësi të reja për gjallërimin e skenës teatrore? Është ndërruar edhe numri i karrigeve, 170 vende platea, dhe ekziston përshtypja se janë duke u bërë plane se si perdja e bardhë e ekranit të mbulojë jo vetëm perden e rëndë dhe të fisme të teatrit, por edhe gjithë ajo çfarë qëndron pas saj, një infrastrukturë e tërë teatrore, krejtësisht profesionale. Për fat të keq, ka zëra që thonë se “po planifikohet që godina të ndërrojë destinacion më tej e të kthehet në qendër biznesi”. Ka dyshime se hija e një klubi të parealizuar tek forumi i qytetit vërtitet mbi rrënojat e banjave antike që qëndrojnë nën këmbët e teatrit. Një klub tashmë po ndërtohet në katin e dytë të hollit, thonë se vetëm për festivalin? Është e tepërt të themi se çfarë rëndësie ka teatri, aq më tepër për ata që nuk i kemi parë të jenë të pranishëm në asnjë premierë teatri - shprehet një dramaturg i njohur i Durrësit. Atyre sado që t’u thuash se “teatri është i rëndësishëm”, gjithmonë do të mendojnë se më e rëndësishme do të jetë një gjë tjetër që përmbush nivelin e tyre kulturor. Dikur në sallën që tashmë po kthehet në kinema dhe për këtë trupë që tashmë është amorfe dhe pa vëmendjen e duhur, njerëzit mbanin radhë për të prerë biletat e premierës. Por jo vetëm dikur, edhe dy vjet më parë, në kohët moderne kur gjoja “publiku nuk e do teatrin”, me “ne të gjithë këndonim Margaritën” e regjisorit H. Çuli, durrsakët panë se si prenotoheshin biletat pesë ditë më parë, kur shfaqja arriti të gjente komunikim me spektatorin, dhe ishte fryma e spektatorëve që ngrohte ambientin e akullt të sallës së lënë në mëshirë të fatit.

Si do të jetë e ardhmja e teatrit?

Tanimë gjithçka duket se po rend drejt fundit, për ta lënë Durrësin pa teatër. Deri dje çdo gjë po justifikohej përtej një festivali filmi që duhet thënë se është i një rëndësie ndërkombëtare. Por një gjë është e sigurt, sallën e teatrit po e kthejnë në një kinema jo vetëm për festivalin dhe trupës profesioniste, edhe me vendime. Është e vërtetë që qyteti ka nevojë për kinema. Qyteti nuk ka as galeri artesh, as bibliotekë. I vetmi qytet në këtë shkreti kulturore ka nevojë për të gjitha këto. Por nëse duhen, përse duhen të transformohen ambientet ekzistuese dhe t’i heqim qytetit edhe teatrin? A nuk mund të ndërtohet kinemaja në një tjetër vend dhe këto ambiente të gjallërohen me menaxhime të mira bashkëkohore të sallës? Qyteti ka nevojë edhe për teatrin. Askush nuk bisedon për këto gjëra në teatër. Administratorë të bashkisë e të projekteve hyjnë e dalin duke dhënë urdhra për kinemanë. Harrojnë se aty ka edhe teatër, harrojnë se vendimet merren mbi fondet publike. Gjithçka aty është taksa e qytetarëve e cila kërkon të në shërbime dhe vendimet nuk mund të merren sipas tekave individuale. Të paktën në këtë rast normale është të bëhet një gjë: vendimet të mos merren të mbyllura, por hapur. Nuk dihet se cila trupë specialistësh me kompetenca ligjore e teknike vendosi për kthimin e ambienteve të teatrit në sallë kinemaje dhe sa është dëmtuar teatri prej kësaj. Nuk dihet si do të vejë filli i teatrit, sepse deri sot, nuk ka asnjë debat intelektual e profesionistësh, asnjë debat me trupën, me profesionistë të teatrit nuk është bërë se si duhet të veprohet për të pasur teatrin e denjë për qytetin që dikur ka njohur lavdinë teatrore të pakontestuar.

“Rilind” perëndesha e bukurisë, Afërdita

Një ditë më vonë pas nisjes së ekspeditës së përbashkët shqiptarë-amerikane “Amantia 2008”, janë gjetur zbulimet e para. Arkeologët kanë mundur të “sjellin në jetë” një terakotë prej balte të pjekur në formë kallëpi me figurën e një gruaje. Mendohet se është portreti i përket perëndeshës së bukurisë. Drejtori i Parkut, Gëzim Llojdia, shprehet se “terakota, që përbën formën “negative” të portretit të perëndeshës, është gjetur në pozicion të përmbysur, thuajse në sipërfaqe, në pjesën qendrore të bllokut të banesave antike të kësaj qyteze. Ajo ka përmasa 15 cm lartësi dhe 9 cm gjerësi”. Sipas tij, portreti në një kallëp prej balte paraqet një fytyrë të bukur të një gruaje me flokë në të dy anët e fytyrës, me një kurorë të vendosur mbi kokë, dhe me gjoksin të mbuluar me një hiton transparent, që mund të konsiderohet si një veshje joshëse. Ajo është shumë e ngjashme me të tjera portrete të Afërditës, perëndeshës së bukurisë dhe njëkohësisht nënës së Erosit, perëndisë së dashurisë. Arsyet që i bëjnë arkeologët të mendojnë se bëhet fjalë për një portret të perëndeshës së bukurisë, janë të shumta. Ata nisen nga vendi ku është gjetur terakota, mënyra e veshjes transparente, gjoksi i zhvilluar i figurës, linjat e fytyrës, kurora mbi flokë dhe mbi të gjitha prania në Amantia e Tempullit të Afërditës, që ndodhet në pjesën jugperëndimore të qytetit. Llojdia theksoi se pavarësisht se pamja e brendashkruar në terakotë lexohej lehtësisht, për arkeologët e entuziazmuar së tepërmi nga zbulimi i këtij objekti të rrallë, ishte e vështirë të dalloheshin tiparet, çka përbënte edhe veçantitë e portretit. Për të krijuar një ide më të afërt për përkatësinë dhe përngjashmërinë e figurës, me portretet më të njohura të lashtësisë, ata iu drejtuan skulptorit gjirokastrit, Stefan Papamihali (Skulptor i Merituar). Në bashkëpunim me artistin gjirokastrit, arkeologët mundën të realizojnë një kopje prej balte të portretit. Pas studimeve të bëra u arrit në konkluzionin se figura në terakotë ka shumë ngjashmëri me disa portrete të njohura të perëndeshës së bukurisë, Afërditës, të zbuluara më parë nga arkeologë të ndryshëm në vend. Megjithatë, pas marrjes në dorë dhe studimit më të hollësishëm të portretit të nxjerrë nga kallëpi prej skulptorit gjirokastrit, specialistët e arkeologjisë që e gjetën atë, nuk përjashtojnë mundësinë se portreti i gjetur për shkak të kurorës, mund t‘i përkasë edhe motrës së Zeuzit, Demetrës, perëndeshës së pllenimit, bujqësisë, familjes dhe martesës. Megjithatë, terakota e zbuluar, sipas drejtueses së ekspeditës, prof. Shpresa Gjongecaj, do t‘i nënshtrohet studimeve më të detajuara. Duke iu referuar arkeologut S. Anamali, drejtori i Parkut, Gëzim Llojdia, shprehet se “kulti i Afërditës ka qenë i përhapur në Amantia, e cila në këtë qytet antik mbante epitetin Pandamos, si përendeshe e dashurisë së lirë”. Sipas tij, deri tani nuk është zbuluar ndonjë paraqitje skulpturale e Afërditës. Në rrënojat e Amantias është zbuluar dikur një pllakë e vogël guri, që ishte një kushtim për perëndeshën Afërdita nga ana e Aristos, bijës së Aleksandrit. Projekti arkeologjik, si një bashkëpunim mes Institutit të Arkeologjisë, Universitetit të Sinsinatit (SHBA) dhe Zyrës së Parkut Arkeologjik të Amantia-Orikumit, i financuar nga Qendra për Trashëgiminë Shqiptare, që mbështetet nga “Packard Humanitie Institute”, synon të mbledhë informacione në terren për të përgatitur më pas një hartë të saktë digjitale për këtë qytet antik e mjaft të rëndësishëm të Ilirisë së Jugut, që administrohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në grupin e arkeologëve të kësaj ekspedite survejuese, që është pararendëse e një tjetër ekspedite më të gjerë në vitin e ardhshëm, bëjnë pjesë arkeologë vendas dhe të huaj, mes të cilëve, prof. Shpresa Gjongecaj, drejtore e Institutit të Arkeologjisë, prof. Ass. Dhimitër Çondi, prof. Ilir Gjipali, arkeologu amerikan prof. dr. Devid Hernandes, i Universitetit Sinsinati në SHBA, arkeologia angleze Mast Emili Glass dhe dy studentë shqiptarë, Mirgen Shametaj dhe Mentor Osmani.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›