E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rubens Shima: Fytyrë të re për Galerinë Kombëtare

Gjendja aktuale e Galerisë Kombëtare të Arteve është jashtë standardeve normale për ekspozimin e koleksionin e saj. Kjo është arsyeja e një ndërhyrjeje të menjëhershme të strukturës së saj. Drejtori i GKA-së, Rubens Shima, gjatë një interviste për “standard” tregon se nëse ky proces nuk do të fillonte gjatë kësaj periudhe, galeria do të rrezikonte ndoshta edhe ekzistencën e saj. Shima ka bërë të ditur në mënyrë të përmbledhur se cilat janë ndërhyrjet e procesit të rikonstruktimit të galerisë që pritet të finalizohet në muajin nëntor të këtij viti. Puna e këtij rinovimi do të përfshijë rinovimin e katit të dytë dhe të tretë të galerisë, digjitalizimin e të gjithë ambienteve, të koleksionit, bërjen gati të veprave të restaurimit, vendosje kornizash, si dhe në fazën përfundimtare pritet edhe një botim në formën e katalogut. Gjithashtu, rëndësi do t’i kushtohet edhe sistemit të kamerave, sistemit klimatik dhe kondicionimit, sistemit të ndriçimit etj. Këto janë pikat ku do të mbështetemi në ndërtimin e një galerie sa më koherente. Kjo është faza e parë e këtij projekti. Faza e dytë do të përfshijë ndërhyrjet në hollin kryesor të saj dhe në fondin e saj artistik, i cili ka probleme madhore dhe akute.

Suela Furriku

Procesi i rikonstruksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve ka qenë një nga pikat më të forta që ju keni theksuar menjëherë pas ardhjes në postin e drejtorit të këtij institucioni. Kur kanë filluar ndërhyrjet e para?

Procesi i rikonstruksionit të galerisë ka filluar që me ardhjen time në postin e drejtorit të GKA-së. Është menduar rinovimi i Galerisë së Arteve në katin e dytë dhe të tretë të saj. Kjo, sepse këto ishin edhe zonat më emergjente, pasi ishin hapësirat ku ishin vendosur linjat muzeale dhe për rreth 15 vjet nuk ishte bërë asnjë lloj ndërhyrjeje në to. Kjo ishte një situatë e patolerueshme, e cila nuk përmbushte asnjë standard të ekspozimit të veprave të artit. Nuk kishte linja muzeale të mirëfillta, por vetëm copëza ekspozitash të ndryshme të hapura ndër vite; askush nuk kuptonte asgjë, ishin varur vetëm disa punë, edhe ato keq e ngucur dhe kaq. Sistemi i ajrimit klimatik mungonte; sistemi i ndriçimit ishte i gjithi i amortizuar dhe pothuajse jashtë funksionimit; sistemi i alarmit po ashtu; gjendja tekniko-fizike e sallave ishte skandaloze, pra pa asnjë lloj kondicioni dhe parametri që kërkon një vepër arti për t’u ekspozuar. Në këto kushte u pa me urgjencë që të fillojë sa më parë puna në sallat e ekspozimit dhe për t’i kthyer ato në kushte të denja ekspozimi. Paralelisht me rinovimin e sallave të GKA-së filloi edhe puna për konceptimin e ekspozimit të koleksionit të GKA-së. Po të vizitoje Galerinë Kombëtare para pak kohësh nuk kuptoje asgjë. Ishte vërtet një lloj kakofonie vizive dhe një rrëmujë artistike, e cila për vizitorin, me plot të drejtë, ishte e pajustifikueshme. Ai hynte në Galeri dhe nuk kuptonte asgjë, madje nuk merrte as njohuritë bazë për të kuptuar se përse arti shqiptar kishte ndjekur këtë lloj procesi formimi. Nuk ekzistonte asnjë lloj mënyre didaktike që ka çdo Galeri sot në botë, madje edhe në Kongo, me rend kronologjik, për të mësuar periudhat që ka kaluar arti i atij vendi. Si rrjedhim, pyetje të tilla si: cilat kanë qenë elementët që kanë ndikuar në këto periudha, influencat, kush kanë qenë autorët e të tjera në këto kategori problemesh, mbeteshin të pazgjidhura. Në arkivat e GKA-së nuk ka ekzistuar dhe ende nuk ekziston asnjë studim mbi periudhat e ndryshme të historisë së artit shqiptar. Gjithçka ishte vendosur me pakujdesi të plotë, janë emërtuar periudhat me hamendje, p.sh. arti pavarësisë ose arti i rilindjes dhe nuk e kupton dot se pse kjo periudhë ka këtë emërtim, pasi nuk ekziston asnjë argumentim shkencor-artistik; e kështu për të gjitha periudhat me radhë.

Cilat kanë qenë problemet që ky institucion është përballur dhe ku do të ketë ndërhyrje më shumë?

Ajo që ne do të bëjmë tani në Galeri nuk është një ndërhyrje drastike, por në të do të ketë linja muzeale të reja, ndërsa ato ekzistueset do të zgjerohen. Ajo çfarë do të bëhet tani është selektimi i materialit pamor dhe ndërtimi i koleksionit të ri për ekspozim, narrativë e historisë së artit shqiptar e ndarë në tre periudha: fillesat e pikturës shqiptare; periudha e realizmit socialist dhe periudha e modernizmit. Këto janë tre periudhat që ka lëvizur arti shqiptar. Të gjitha këto periudha do të kenë pavijonet e tyre të veçantë. Pasi të studiohet i plotë i gjithë materiali pamor do të bëhet edhe selektimi i tij, pasi dihet që GKA ruan në fondin e saj rreth 4.000 vepra arti, të cilat nuk mund të ekspozohen të gjitha. Nga këto do të zgjidhen ato që përfaqësojnë më mirë këto periudha.

Pra, në mënyrë të përmbledhur, procesi i rinovimit do të përfshijë: ndërhyrjet në katin e dytë dhe të tretë, digjitalizimin e të gjithë fondit dhe koleksionit të Galerisë, pastrimin dhe restaurimin e veprave të përzgjedhura nga pluhuri dhe braktisja e disa dekadave, vendosjen e kornizave, dhe në fund vjen faza përfundimtare që është botimi i katalogut. Gjithashtu, rëndësi do t’i kushtohet edhe sistemit të kamerave, sistemit të ajrimit klimatik dhe kondicionimit, sistemit të ndriçimit etj. Këto janë elementet e domosdoshëm për një Galeri Kombëtare. Kjo është faza e parë e këtij projekti. Faza e dytë do të përfshijë ndërhyrjet në hollin kryesor të GKA-së dhe në fondin e saj artistik, i cili ka probleme madhore dhe akute. Të dyja këto projekte të përfunduara janë dërguar në Ministrinë e Kulturës dhe mendoj se në vitin që vjen kjo ministri do të akordojë një buxhet të domosdoshëm për një fazë të dytë.

Kur mendohet të përfundojë i gjithë ky proces ndryshimi?

I gjithë ky proces pune mendohet të përfundojë në fillim të muajit nëntor të këtij viti.

Cili ka qenë fondi që ka mbështetur procesin e rindërtimit të këtij institucioni kulturor?

Fondi i akorduar nga ministria ka qenë jashtëzakonisht i vogël, por ka pasur një fond ndihmë nga Bordi i Zhvillimit që ka dhënë një fond shtesë për këto ndërhyrje. Buxheti i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është një fond prej tre milionë lekësh të reja. Janë mbyllur negociatat për të marrë një fond të dytë shtesë nga Bordi i Zhvillimit, i cili është dhe donatori kryesor që do të kujdeset për të gjithë anën estetike të ekspozimit të koleksionit të GKA-së. Këtu në këtë fond përfshihen edhe mënyrat e ekspozimit dhe të gjithë elementët e tjerë të rëndësishëm që kërkon një vepër arti për t’u ekspozuar, pasi dihet që në GKA deri më tani nuk ka ekzistuar asnjë infrastrukturë e tillë ekspozimi si korniza, podiume, paspartime etj., gjëra të domosdoshme këto, pasi shumë vepra dalin për herë të parë në sallat e GKA-së.

Fondet janë të pamjaftueshme, por megjithatë ndërhyrjet ishin të detyrueshme, pasi nëse nuk do të bënim këto lloj ndërhyrjesh tani, Shqipëria shumë mirë nuk do të kishte më një Galeri Kombëtare të Arteve nesër. Ishte një gjendje jashtëzakonisht skandaloze dhe teknikisht deri e rrezikshme për jetën e stafit punonjës dhe vizitorit. Unë e kuptoj se nuk ka pasur interes për t’u bërë të tilla rinovime, pasi GKA është lënë si një ambient i braktisur, si një shtëpi e rrënuar, sepse koncepti që ka ekzistuar për GKA-në deri më sot ka qenë njëlloj si ai për një qendër servisi: merr dhe ik. Në GKA kryesisht ka funksionuar vetëm kati i parë, ku zhvillohen ekspozita, ndërsa për katin e dytë dhe të tretë nuk ka pasur asnjë lloj interesi dhe nuk është bërë asnjë lloj investimi, sepse asnjë nuk ka dashur një linjë muzeale.

Si mendoni, pse struktura e GKA-së ka rënë pikërisht në gjendjen që po më përshkruani ju?

Unë mendoj se nuk ka pasur një ide të qartë mbi funksionet që duhet të ketë një Galeri Kombëtare, ngaqë gjithmonë ka pasur interesa të ndryshme që kjo Galeri të qëndrojë e pastabilizuar. Ajo është parë më tepër si një qendër që mund të shfrytëzohet për bërjen e projekteve të ndryshme sesa një muze që komunikon me publikun dhe fton vizitorët për të parë dhe njohur artin shqiptar. Ajo duhet medoemos të ekspozojë koleksionin e historisë së të gjithë artit shqiptar. Ky muze duhet të fillojë të ndërtojë identitetin e tij. Pas përfundimit të punës do të fillojë edhe strukturimi i një katalogu të linjave të Galerisë. Ky është botimi i parë që duhet bërë dhe pse jo më vonë, në vitet në vijim, mund të kemi edhe një botim të një antologjie të artit shqiptar, botime specifike të periudhave të ndryshme etj. Duhet që të kthejmë fytyrën nga vetja dhe të ndërtojmë koleksionin, i cili do të na udhëheqë se çfarë botimesh duhen bërë dhe çfarë jo.

Kur pritet të jenë gati ambientet që i përkasin realizmit socialist?

Sallës së realizmit socialist do t’i kushtohet vëmendje për aq sa ajo meriton. Duhet kuptuar se 80 % e veprave në fondin e GKA-së përbëhet nga punë të realizmit socialist. Edhe kjo periudhë duhet studiuar dhe parë me kujdes në gjithë zhvillimin e saj, pasi mund të gjejmë aty elemente të fillesave të modernizimit në artin shqiptar.

Po me veprat e Leninit dhe të Stalinit, çfarë po bëhet?

Janë vepra që janë marrë në mbrojtje nga Galeria Kombëtare, pasi edhe ato janë pjesë e rëndësishme e zhvillimit të artit në Shqipëri, pavarësisht se monumenti i Stalinit nuk ka autor shqiptar, por një nga skulptorët më të njohur në ish-Bashkimin Sovjetik. Unë i kërkova ministrit Ylli Pango që këto vepra t’i ktheheshin GKA-së dhe duke u marrë kështu në mbrojtje, të bëheshin pjesë e koleksionit të saj.

A do të jenë të ekspozuara?

Jo, nuk do të jenë të ekspozuara, pasi për arsye teknike dhe fizike nuk mund të jenë. Dimensionet e tyre janë shumë të mëdha dhe vetëm pesha e tyre shkon deri në shtatë ton bronz. Sallat e Galerisë sonë nuk mund të mbajnë vepra të tilla për ekspozim, por gjithsesi ato janë nën mbrojtje dhe pjesë e koleksionit të GKA-së. Nga ana tjetër në të ardhmen gjithçka mund të ndodhë, sepse në një plan afatgjatë këto monumente do t’i shërbejnë shumë Galerisë Kombëtare, sepse janë pjesë e një kapitulli artistik të mbyllur në historinë e artit shqiptar dhe veç vlerës artistike ato bartin dhe tërheqin një fluks të lartë vizitorësh, kryesisht të huaj. Nuk do të jetë çudi që pas dy dekadash Stalini dhe Lenini të na shesin biletën e GKA-së.

Durrës

Kulmi i festivalit “Vera e Ohrit”

Edicioni i 48-të i Festivalit “Vera e Ohrit” arrin kulmin e suksesit. Teatër, balet, muzikë koncertale dhe ekspozita të arteve pamore kanë qenë zhanret që janë interpretuar nga kompania teatrore “Albanian Dance Theatre”, të cilat janë mirëpritur dhe kanë tërhequr vëmendjen e shumë artdashësve. Drejtori i kësaj kompanie, Gjergj Prevazi, është shprehur se trupa u paraqit me shfaqjet e shkurtra “Njeriu me këllëf” nga Çehov dhe “Parfumi” nga Suskin. Spektakli i dancit modern nga Tirana tërhoqi vëmendjen e qindra shikuesve, artistë vendas dhe të huaj, pjesëmarrës në këtë festival, u organizua në mjediset e jashtme të Kishës mesjetare të Shën Sofisë.

Prevazi tha se balerinat Aleida Kondaj, Milena Nurka, Filomena Gargano dhe Suela Hoxha në shfaqjen e parë përcollën mesazhi çehovian të vetëkufizimit njerëzor, që përjetohet si dramë individuale. Më pas së bashku me balerinin Elton Cefa në pjesën “Parfumi” artistet e reja sollën kompleksin tabu të seksit përballë shoqërisë moderne. Për afro një orë e 30 minuta artistët e rinj nga Tirana interpretuan në gjininë e teatrit të dancit modern në dy spektakle të mbushura me elementë skenikë dhe koreografikë në subjekte të veçanta letrare. Seleksionuesi i Festivalit, Gjorgj Jolevski, tha se “shfaqja të trondit emocionalisht, duke tejkaluar parashikimet e organizatorëve”. Koreografja maqedonase, Iskra Shukarova, e vlerësoi vazhdimësinë në rritje të koreografit Prevazi si dhe risitë që sjell çdo spektakël i tij. Regjisori Ivan Popovski ka theksuar gjithashtu se në Ballkan ende nuk ka kërkime artistike të kësaj natyre dhe të këtij niveli. Është befasuese që kjo shfaqje vjen nga Shqipëria, shprehet regjisori Popovski, i cili në këtë edicion të festivalit të Ohrit u paraqit me spektaklin “Katër stinët”, interpretuar nga një trupë moskovite.

Kompania teatrore “Albanian Dance Theatre” është themeluar në vitin 2000 dhe ka fituar simpatinë e publikut dhe specialistëve me shfaqjet “Tranzicion” dhe “Kontrast”, në bashkëpunim me kompaninë zvicerane “Carambole”. Ajo është pjesëmarrëse në 11 festivale në vende të ndryshme, si Itali, Zvicër, Bosnje-Hercegovinë, Egjipt, Maqedoni etj. Regjisori-koreograf, Gjergj Prevazi, vjen për të tretën herë në Festivalin e Ohrit. Katër vjet më parë ai solli spektaklin “Kah vetvetja” me trupën e Shkupit, në vitin 2006 u paraqit me pjesën “S’po dëgjohet gongu”, vënë në skenë me trupën e Baletit të Kosovës.

Prevazi tregon po ashtu se një nga kulmet e edicionit të 48-të të Festivalit të Ohrit ishte koncerti madhështor në teatrin antik i sopranos shqiptare Inva Mula, në të cilin morën pjesë më shumë se 3 mijë shikues. Festivali veror i Ohrit zgjat afro një muaj e gjysmë, pasi ka marrë startin më 13 korrik dhe do të përfundojë më 22 gusht.

Vlorë

Nis ekspedita gjysmëshekullore “Amantia 2008”

Ka filluar procesi i punës së një bashkëpunimi shqiptaro-amerikan për ekspeditë në “Amantia”. Drejtori i parqeve arkeologjike “Amantia dhe Orikum”, Gëzim Llojdia, është shprehur se projekti, i konceptuar si një survejim arkeologjik, është një bashkëpunim i Institutit të Arkeologjisë, Universitetit të Sinsinatit në SHBA dhe Zyrës së Parkut Arkeologjik Amantia-Orikum, financuar nga Qendra për Trashëgiminë Shqiptare dhe e mbështetur nga “Packard Humanite Institute”. Në këtë projekt, që drejtohet nga arkeologia Shpresa Gjongecaj, janë përfshirë arkeologë amerikanë dhe shqiptarë, mes të cilëve, arkeologët Ilir Gjipali, Dhimitër Çondi, David Hernandez, Emily Glass dhe drejtori Gëzim Llojdia. Drejtuesja e këtij projekti, Shpresa Gjongecaj, drejtore e Institutit të Arkeologjisë, shprehet se “survejimi është hapi i parë i hedhur në një qendër arkeologjike pas një periudhe rreth 50-vjeçare, që nuk është vëzhguar”. Nga ana e tij, arkeologu amerikan, David Hernandez, thotë se “ky survejim është tepër i rëndësishëm për arkeologjinë në Shqipëri edhe për faktin se mes shumë qendrave antike, Amantia është një qytezë e rëndësishme, ku gërmimet janë kryer për herë të fundit rreth 50 vite më parë dhe gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur informacione të reja rreth saj”. “Ne shpresojmë që me këtë projekt të kontribuojmë për të krijuar një imazh të plotë për monumentet e Amantias, jetën e saj, zhvillimin dhe ecurinë, të cilat janë të rëndësishme për arkeologjinë, turizmin, trashëgiminë kulturore”, - përfundon ai.

Projekti konsiston në ndërtimin e hartës topografike me mjete dixhitale, duke përcaktuar në ardhmëri vendin ku do të mund të gërmohet për të zbuluar ato pasuri, që koha dhe shekujt kanë fshehur nën dheun e Amantias. Hernandez sqaron se topografia dixhitale filloi nga stadiumi, vepra më e plotë, më e rëndësishme dhe më e veçanta në Ballkan, duke vazhduar më tej me Qafën e Pazarit, për të identifikuar objektet që mund të kenë ekzistuar në kohën e qytetërimit të mesëm ilir, kur Amantia përjetoi zhvillimin e madh ekonomik dhe ishte një pikë e rëndësishme strategjike përgjatë rrjedhjes së dy lumenjve. Më pas, survejimi arkeologjik do të vazhdojë në vendin e emërtuar “Lëmi i Peçit”, ku gjenden 2 monumente të rëndësishme: Tempulli i Afërditës, që daton me shekullit III para Krishtit etj.

Po ashtu, survejimi do të përshkojë murrin rrethues të qytetit dhe objektet e tjera arkeologjike që janë zbuluar përpara viteve ‘90. Drejtori Gëzim Llojdia thotë se zbulimet arkeologjike në këtë qendër të lashtë ilire filluan në vitin 1949, me një ekspeditë arkeologjike të kryesuar nga Hasan Ceka, Skënder Anamali dhe Frano Prendi, të cilët ranë në gjurmët e stadiumit të Amantias, vepër e ilirëve, ndërtuar në shekullin III para Krishtit. Ai thotë se në 18 vitet e fundit, kjo është ekspedita e parë arkeologjike në këtë qytezë antike, 680 metra mbi nivelin e detit dhe që pasqyron qytetërimin e lashtë ne Ilirin e Jugut

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›