E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës; “Gladiatori i artë” është gati

Edhe një ditë-natë na ndan nga një prej evenimenteve më të rëndësishme të këtij viti, Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit. Nesër pritet të marrë start edicioni i parë “International Summer Fest Film” në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Ndërkohë që të gjitha përgatitjet e duhura për hapjen dhe zhvillimin e tij pothuajse kanë mbaruar. Në çdo mur apo trung peme të zë syri posterat dhe programi i festivalit që kanë zënë vend në të gjitha rrugët kryesore të qytetit bregdetar, i cili për disa ditë do të mbajë sloganin “Arti, mbiemri i qytetit tim”. Statuja e Gladiatorit, e riprodhuar në postera me përmasa të ndryshme, është bërë këto ditë emblema e Durrësit, i cili do të mirëpresë nga 23-31 gusht shumë prej autorëve dhe aktorëve të 16 filmave konkurrentë të këtij festivali. Anila Varfi, një nga organizatoret e festivalit, shprehet se të shtunën në mbrëmje menjëherë pas ceremonisë së hapjes do të shfaqet prodhimi shqiptaro-gjerman “Koha e kometës” i regjisorit Fatmir Koçi. Pas shfaqjes së premierës së filmit të mbështetur në novelën “Viti i mbrapshtë” të Ismail Kadaresë, do të shfaqet filmi serb “Black horses”, - tha Varfi, sipas së cilës, në të njëjtën kohë në arenën e amfiteatrit antik të qytetit do të shfaqet një kolazh me disa nga prodhimet më të mira shqiptare në vite. Sipas të njëjtit burim, paraditeve në sallën e teatrit do të zhvillohen konferenca shtypi dhe debate mbi filmat e shfaqur në mbrëmjen e kaluar, ndërsa janë parashikuar edhe veprimtari të veçanta si, “Jeta në kinema”, kushtuar regjisorit të madh Stanley Kubrick, apo work shop-i “Arti i regjisë” nga regjisori Jiri Menzel. Varfi thekson po ashtu se të gjithë filmat konkurrues për çmimin e madh “Gladiatori i artë” do të shfaqen në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Në sallën e përshtatur si një kinema moderne është instaluar sistemi i kondicionimit, që do t’u shërbejë më pas shfaqjeve të teatrit dhe të varietesë. Pas filmave shqiptarë dhe serbë të mbrëmjes së parë, në ekranin e madh do të shfaqen edhe 14 filma të tjerë, mes të cilëve prodhimi italo-francez “Life sentence”; filmi kroat “True miracle”; bashkëprodhimi i artistëve nga Shqipëria dhe Kosova “Secrets”; filmi “Installation of love”, që vjen si bashkëpunim i artistëve nga Sllovenia dhe Gjermania; filmi grek “Correction”; ai estonez “Georg”; filmi çek “I served the King of England”; bashkëprodhimi anglo-iranian “Ahlam dreams”; filmi turk “White angel”; filmi norvegjez “Mirush”; bashkëpunimi boshnjako-kroat “Living and the dead” dhe filmi shqiptar “Mao Ce Dun”. Projektimi i filmave konkurrues do të përfundojë më 30 gusht me bashkëprodhimin shqiptaro-çek “Trishtimi i zonjës Shnajder”, të regjisorëve Piro dhe Eno Milkani, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet në mbrëmjen e fundit të muajit gusht”, - tha Varfi. Sipas saj, 12 filmat fitues të po kaq edicioneve të Festivalit të Filmit Shqiptar do të projektohen sipas programit të parashikuar çdo mbrëmje në orën 21:00 në mjediset e amfiteatrit antik të qytetit, ku do të shfaqen edhe një pjesë e filmave konkurrues. Në edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit në Durrës do të konkurrojnë për çmimin e madh “Gladiatori i artë” 16 filma, të cilët u përzgjodhën mes 51 aplikantëve nga 23 vende të botës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›