Librat e rinj, ja çfarë mund të lexoni në ditët e nxehta
“Perandori vdekja e mbretërore” është titulli i romanit historik të autorit Conn Jggulden, që në qëndër ka jetën dhe veprën e perandorit romak, Jul Cezari. Në këtë vepër ndërthuret rrëfimi i historisë, me aventurën, ambicien me rivalitetin, trimërinë dhe me tradhtinë.
I detyruar të largohet nga Roma, djaloshi Jul Cezar nis shërbimin në një anije romake, e cila bie pre e një kurthi të ngritur nga piratët në ujërat e rrezikshme të Mesdheut. Pas disa muajsh mjaft të vështirë si peng të piratëve, Juli me shokët e vet legjonarë, braktisen në brigjet e shkreta të Afrikës së Veriut.
Tom Rob Smith sjell librin “Fëmija e 44”, në të do të zbuloni se si në Bashkimin Sovjetik stalinist edhe dyshimi më i vogël për tradhëti ndaj shtetit apo fjala e gabuar në kohën e gabuar mund ta çojnë një njeri të pafajshëm drejt ekzekutimit. Në “Fëmija e 44”, do të zbuloni se si një hero lufte, idealist, i cili beson se po ndërton një shoqëri të përkryer, bëhet dëshmitar i marrjes në pyetje të një njeriu të pafajshëm.
Llambro Ruci, sjell si prurje të re librin “Himara zërat e Akrokerauneve”. Në këtë libër, autori ka sjellë rrëfime përshkrime si dhe dokumentë, lidhur me këtë krahinën e Himarës.
E ndërsa, Adriona Auxhaku vjen me librin studimor “Arsyeja ndërmjet mitit, iluminizmit e refleksionit”. Vëmendja e studimit është drejtuar këtu drejt rrymave të reja bashkëkohore të mendimit filozofik e sociologjik modern. Duke lexuar punimin, bindesh plotësisht për vlerat që ka studimi si në drejtim të parashtrimit të teorisë kritike, në tër rrugën e zhvillimit të saj ashtu dhe në njohjen e rolit të kësaj teorie në kritikën e ndaj shoqërisë ekzistuese.
Ndërsa për sa i përketë të apasionuarve pas gatimit vjen libri “Gatuaj e shijo”. Të gatuash nuk do të thotë vetëm të përgatisësh pjata të shijshme, por edhe të jesh e zonja të gjesh gjithmonë mënyrën më të përshtatshme për rastin a ngjarjen dhe sidomos të përshtatshme për kuletën.