Librat e rinj të fundjavës
Stendat e librarive këtë fundjavë ofrojnë për lexuesit më shumë tituj me autorë shqiptarë. Histori e aventurave alpinistike titullohet libri i shkruar nga Aleksandër Bojaxhi dhe botuar në shtëpinë botuese Toena. Në të përshkruhen historitë e aventurave për arritjet më kulmore në sportin e alpinizmit pa harruar dhe disa prej emrave më të shquar të këtij sporti në vendin tonë.
Një dokumentar, por i shkruar në një libër. Kështu e përshkruan botimin e tij, autori Kleo Lati, një rrëfim mbi kryeqytetet me të famshme të botës. Nën titullin "Diamante të gurtë", libri sjell ndjesi personale, por edhe të dhëna historike mbi qytetërimin e botës. "Diamante të gurtë" është libri i dytë që autori Kleo Lati boton brenda një kohe të shkurtër, pas romanit "Dhe yjet dridhen nga dashuria". Muzakajt, Balshajt apo të tjera familje feudale shqiptare sillen me faqet e pashkruara të historisë së tyre në librin e fundit të Pëllumb Xhufit. Historiani ka hedhur në treg botimin voluminoz "Nga paleologët tek Muzakajt" si pjesë e një studimi të gjatë të tij. Në radhën e titujve të rinj vjen një tjetër autor shqiptar. Taip Sulko sjell librin "Antologjia e shpirtrave" tregime e novela të shkruara ndër vite. Në publicistikë autori Theodhori Proko ka sjellë botimin "Rikthim i vonuar". Por megjithëse janë më shumë botime me autorë shqiptarë këtë fundjavë janë sjellë për lexuesin dhe disa autorë të huaj. Kështu libri Shqipëria gjatë Luftës 1939-1945 është sjell për lexuesin nga Bernd J. Fischer. I botuar nga shtëpia botuese Çabej, i përkthyer në gjuhën shqipe nga Krenar Hajdëri. Në të sillen përmes gjurmimeve, analizave, krahasimi dhe shpjegimi në mënyrë shkencore i ngjarjeve në Shqipërinë e Luftës së II Botërore. Kjo periudhë e diskutuar e historisë së vendit tonë shihet nga ky autor me sy të paanshëm. Libri Paqe e rrënuar vjen nga David Andelman. Libri vjen si botim i Toenësdhe është shkruar në mënyrë të ngjeshur e bindëse. Për më tepër, shpjegon më qartë se çdo vepër tjetër se si dështimi i paqëtimit më 1919 përcaktoi historinë e mëvonshme e madje atë të ditëve tona. Athina e Zezë (Fabrikimi i Greqisë Antike (1785-1985)), është libri i autorit Martin Bernal, që vjen në gjuhën shqipe nga përkthyesit Dritan Thomollari dhe Iliriana Angoni. Në të qytetërimi grek është parë si rezultat i një përzierje të helenëve që flisnin një gjuhë indo-Europiane. Kombet dhe nacionalizmi në erën globale është libri i Anthony Smith. Tema e këtij libri argumentohet me një arsyetim bindës dhe me kujdes të palodhur për realitetin e jetës moderne. Vështrimi i Smthit është në kohën e duhur e i zhvilluar bukur dhe me realizëm. Autorja italiane Gabriella Magrini vjen me romanin "Zjarri i gënjeshtrës". Në qarkullim shtëpia botuese Omsca-1 ka hedhur dhe librin "Vepra të shquar të dramaturgjisë" të shqipëruara nga Gjergj Bubani. Qysh në moshë të re Gjergj Bubani e drejtoi vështrimin kah veprat dramaturgjike të letërsisë botërore, për shqipërimin dhe vënien e tyre në skenë për publikun shqiptar. Dy qenë shtysat: talenti e pasioni dhe vetëdijesimi për rolin e fuqishëm të teatrit në zhvillimin kulturor e në qytetërimin e një populli. Gjergj Bubani ka shqipëruar dhjetë vepra drama-turgjike, nga të cilat po përmbledhim këtu tri prej tyre që i kishte më për zemër: dramën Kufoma e gjallë të Leon Tolstojit, tragjikomedinë Akim dhe komedinë Njeriu që pa vdekjen me sy të Viktor Eftimiut."Vilhem Majster" është romani i Gëtes i cili është përshtatur në shqip nga Anila Omari. Romani konsiderohet si me i madhi gjerman i shkruar deri tani nga viti i largët 1796.