E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mircea Cornsteansu, vlerësime pozitive për Teatrin Kombëtar

Sekretari i Unionit të Teatrove Evropiane mbërrin në Tiranë për të parë shfaqjet teatrore
Sekretari i Unionit të Teatrove Evropiane ka mbërritur në Tiranë për të dhënë vlerësimin e tij për veprat teatrore që janë vendosur në skenën e Teatrit Kombëtar. Mircea Cornsteansu dje gjatë një takimi me drejtorin e TK Kristaq Skrami theksoi se teatri shqiptar do të kishte shumë përfitime si anëtar i Unionit të Teatrove Evropiane. Shfaqjet më të përzgjedhura, kritere më të forta dhe fonde që vinë jo vetëm nga buxheti i shtetit, duket se do të jenë përfitimet e Teatrit Kombëtar pas 23 majit, datë në të cilin institucioni teatror i kulturës do të bëhet pjesë e Unionit Evropian të Teatrove. Por vulën për këtë anëtarësim duket se do ta vënë dy shfaqjet teatrore, "Trojanet" dhe "Filumena Marturano". Këto dy vepra do të prezantohen para një komisioni të këtij organizmi. 32 është numri i teatrove evropiane që aderojnë në këtë union, mes tyre kryesisht teatro shtetërore. Ndërkohë që i gjendur në Tiranë për të parë veprat teatrore që janë vënë në skenë nga regjisorët shqiptarë, Sekretari i Unionit të Teatrove Evropiane, Cornsteansu thekson ndër të tjera se me anëtarësimin e teatrit në këtë organizëm e ardhmja do të jetë më e mirë. Kam parë shfaqjen Trojanet, më ka pëlqyer, është një shfaqje e mirë. Dhe këtu po shikoj një trupë profesioniste. Mendoj se  e ardhmja do të jetë më e mirë, pohon ai. Ndërkohë që ndër përfitimet e Teatrit Kombëtar si anëtar i kësaj organizate ai rendit me të tjerave dhe shkëmbimin e eksperiencave, apo dhe ardhjen e shumë emra të njohur të teatrit botëror të cilët mund të vijnë në Tiranë për të vendosur shfaqjet në skenën shqiptare. Kur një teatër bën pjesë në këtë organizatë kulturore ai ka disa përfitime. Ka shkëmbime eksperiencash, sepse mund të shohë se çfarë bëjnë të tjerët. Mund të jetë shumë përfitime në fonde, por ai duhet të paguajë një shumë prej 5 mijë eurosh në vit. Ndërkohë që shumë emra të njohur mund të vijnë në teatër për të vendosur shfaqje teatrore. Teatri Kombëtar mund të ftojë këtu edhe emra të tillë si Peter Bruk apo të tjerë që tashmë janë emra të suksesshëm, thekson Sekretari i Unionit të Teatrove Evropiane. Për drejtorin e Teatrit Kombëtar ky është një hap shumë pozitiv. Por gjithçka do të saktësohet në mbledhjen e përgjithshme që do të mbahet nga data 21 deri më 23 maj në Drezel të Gjermanisë. Teatri Kombëtar është i ftuar të marrë pjesë për herë të parë në këtë mbledhje. Programi parashikon ndjekjen e dy-tri shfaqjeve dhe takime me ministren gjermane të Kulturës, presidentin e ETC-së. Kriteret për të hyrë në Unionin Evropian të Teatrit është një shans me risk të vogël financiar, ku TK duhet të paguajë një shumë prej 5 mijë eurosh në vit. Teatri Kombëtar është nga të parat institucione të kulturës në vend që po bëhet pjesë e institucioneve ndërkombëtare kulturore evropiane. Vetë presidenti i ETC-së, Zhan-Klod Beruti, i ka ftuar drejtuesit e TK-së për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme. Anëtarësimi i Teatrit Kombëtar pranë kësaj organizatë synon promovimin e teatrit edhe përmes lehtësirave që krijohen për pjesëmarrje në festivale të ndryshme, ku funksionojnë marrëdhëniet me menaxherët apo kritikët e teatrit.  Ndërkohë që do të ketë dhe aplikime projektesh të përbashkëta e më tej për kontaktin e vazhdueshëm me teatrin avangardist dhe tendencat më të fundit. Ndërkohë që dy vepra të cilat do të përfaqësojnë teatrin shqiptar janë vënë në skenë nga emra të njohur të teatrit, por ato i përkasin dhe autorëve të dramaturgjisë së njohur botërore. Tragjedia Trojanet nga Euripidi risjell në vëmendje të publikut vuajtjet e gjithë grave pas vdekjes së burrave të tyre. Gratë dorëzojnë trupat e bashkëshortëve, djemve dhe vëllezërve duke pritur me ankth fatin e tyre, në duart e fituesve të luftës. Pjesa është vënë në skenë nga regjisori greku Vangelis Theodoropoulos. Personazhi i Hekubës është personifikimi i tragjedisë trojane, e cila në skenë vjen nën interpretimin e aktores Margarita Xhepa. Personazhe të tjera të tragjedisë luhen nga emra të njohur të artit skenik shqiptar si Rajmonda Bulku, Luiza Xhuvani, Gulielm Radoja, Ema Andrea, Neritan Licaj Arben Derhemi etj. Filumena Marturano ka qenë një ndër veprat më të suksesshme në skenën teatrore. Ajo ka arritur që të renditet mes veprave të preferuara nga publiku. Historia e dramës bën fjalë për Filumena Marturanon, një ish-prostitutë që jeton prej njëzetepesë vjetësh si gruaja e pakurorëzuar e Domeniko Sorianos, një napolitan borgjez dhe i kamur. Filumena ka rritur në sekret të plotë tre fëmijë me tre burra të ndryshëm. Pas një bashkëjetese prej shumë vitesh, ajo e detyron atë të martohet me të zyrtarisht, duke bërë gjoja sikur të ishte në prag të vdekjes. Domeniko Soriano pranon të martohet, por gjithçka ishte vetëm një lojë e saj. Filumena e zbulon arsyen e kësaj loje, që kishte nisur për ti dhënë një mbiemër tre fëmijëve të saj, atë të Domeniko Sorianos. Regjisori i shfaqjes është Albert Minga, ndërsa në rolet kryesore interpretojnë aktorët Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, Artistja e Popullit Tinka Kurti, Vangjel Toçe, Neritan Liçaj, Gjergji Mena, Arben Derhemi, Fadil Kujofca, Nigela Ruka etj. Skenografia dhe kostumet janë përgatitur nga mjeshtri i skenës Artisti i Popullit, Agim Zajmi.

***********************************
Unioni Evropian i Teatrove
U themelua në vitin 1991, një iniciativë e ndërmarrë nga Giorgio Strehler. Qëllimi i këtij institucioni është të kontribuojë në integrimin evropian dhe në mënyrë më specifike nëpërmjet teatrit. Të përhapë politikën teatrore, si dhe duke promovuar shkëmbimet kulturore. Këto politika teatroret të Unionit Evropian të Teatrove përfshijnë bashkëprodhimet, bashkëpunimet, dhe shkëmbimet artistike mes teatrove anëtarë të tij, duke respektuar identitetet kulturore dhe traditat e popujve të ndryshëm. Në fillimet e tij Unioni Evropian i Teatrove kishte vetëm 7 anëtarë dhe përbëhej nga teatro publike evropiane, ndërsa sot anëtarë të tij janë 32 teatro. Si anëtarë të këtij unioni evropian përmendim teatrin "Piccolo Teatro di Milano", (Itali), "Dusseldorfer Schauspielhaus" (Gjermani), "Royal Shakespeare Company" (Britani e Madhe),   "Theatre National de Strasbourg" (Francë), "Moscoë Theatre" (Rusi) etj.

Last Updated on Monday, 27 April 2009 10:39

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›