E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librat, rritje çmimi për vitin e ri shkollor

Çmimet e teksteve shkollore pritet që të pësojnë rritje gjatë vitit të ri shkollor 2011-2012. Ky fakt bëhet i ditur nga autoritetet e Ministrisë së Arsimit, të cilat deklarojnë se do të ketë një rritje të tyre, kjo si pasojë e ndryshimit të inflacionit në vend. Sipas tyre, rritja nuk do të jetë e madhe, ndërkohë që çmimet përcaktohen në bazë të një formule si dhe nga propozimet e shtëpive botuese. “Komisionet e vlerësimit të shikojnë gabimet shkencore, interpretime të gabuara dhe kanë rreth 13 kritere, për të cilat, po u konstatua njëri nga këto, teksti rrëzohet. Përveç kësaj, teksti ka edhe vlerësimin e tij nga përmbajtja, ka vlerësimin e tij nga çmimi”, - shprehet Jovan Kristiqi, këshilltar i ministrit të Arsimit. Ndërkohë, Ministria e Arsimit njofton se afati i fundit për shtëpitë botuese, për dorëzimin e teksteve që duan të botojnë, do të jetë më 10 prill. Përzgjedhja e tyre do të bëhet në bazë të disa kritereve. “Në rast se çmimi del jashtë formulës, domethënë është më i lartë se sa kërkesa jonë, teksti rrëzohet. Këtë vit, ne do ta rrisim çmimin me 3.4%, aq sa ç’është e dhëna nga INSTATI. Një shtesë minimale që përflitet te 100-200 lekë të vjetra”, - thotë Kristiqi. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit, shtëpitë botuese kanë pasur një afat kohor rreth një vit për të përgatitur tekstet, kjo për të shmangur gabimet që ato kanë pasur më parë. Sipas njoftimit të Komisionit për Miratimin e Teksteve në MASH, për kërkesën e teksteve shkollore, për vitin shkollor 2011-2012, do të ndiqen këto afate: “dorëzimi i teksteve: 2 prill 2011; shpallja e fituesve: 22 prill; përzgjedhja e teksteve për ribotim (katalogu nr. 1, i vitit 2011): 1-25 mars; porositja e teksteve për ribotim: 28-31 mars; lidhja e kontratave: 1-22 prill; përzgjedhja e teksteve me alternativa të reja (katalogu nr. 2, i vitit 2011): 10-25 maj; porositja e teksteve: 28-31maj; lidhja e kontratave:1-22 qershor; shpërndarja e tekstit shkollor: korrik-25 gusht; shitja: 25 gusht-15 shtator 2011.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›