E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librat shkollorë, shpërndarja 29 gusht-19 shtator

Çmimet e librave nuk kanë ndryshuar, me përjashtim të shkallës së inflacionit

Shpërndarja e teksteve shkollore në të gjitha shkollat e vendit do të nisë nga data 29 gusht. Autoritetet e Ministrisë së Arsimit deklarojnë se afati për tërheqjen e tyre do të jetë deri më 19 shtator, ndërkohë shprehen se këtë vit nuk do të ketë mungesë të librit shkollor. “Nga data 29 gusht deri në datën 19 shtator këto tekste do të jenë nëpër shkolla me çmimin e shumta deri te çmimi i kopertinës. Ndoshta mund të shiten dhe më pak. Çmimet e librave nuk kanë ndryshuar, me përjashtim të shkallës së inflacionit që ne kemi marrë 3.5%. E shumta një 5 lekësh shtesë”, - shprehet këshilltari i ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi. Pas afatit të përcaktuar nga Ministria e Arsimit për tekstet shkollore, libraritë kanë të drejtë të tregtojnë tekstet mësimore, madje edhe më shtrenjtë, pasi ato janë biznes privat. “Në qoftë se do të ketë prindër apo nxënës që nuk janë kujdesur, atëherë procesi i blerjes së librit do të jetë më i vështirë. Ai do të shitet në librari, por ne nuk mund të ndërhyjmë në librari në lidhje me çmimin që caktojnë ato. Çmimi ynë është fiks, sa kohë ai shitet në shkollë”, - sqaron më tej Kristiqi. Këtë vit kanë përfunduar edhe kontratat me shtëpitë botuese. Nëse ato nuk do të dorëzojnë librat në afatin e caktuar në shkolla, në bazë të kontratës penalizimet janë të ndryshme, duke filluar nga gjobat e deri te heqja e të drejtës për të marrë pjesë në botimin e teksteve vitin e ardhshëm shkollor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›