KESH gjen metodën për të "vjedhur": Vonon faturat
Energjia elektrike bëhet më e shtrenjtë nëse matësit lexohen me vonesë. Prej tre muajsh kjo është bërë një nga metodat më efikase për të mbushur arkën e filialit të KESH në Fier. Nëse faturat e energjisë plotësohen me vonesë, ka shumë mundësi që konsumi i energjisë të kalojë 300 kilovatët, duke bërë të mundur aplikimin e çmimit prej 120 lekësh çdo kilovat. Përballë këtij abuzimi, rreth 200 banorë të Fierit kanë organizuar dje në një protestë përpara zyrave të filialit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare në qytet. Protestuesit, kryesisht familjarë, por edhe pronarë biznesesh të vogla, thonë se faturistët e bëjnë matjen e energjisë një herë në 50 ditë duke ngritur në mënyrë artificiale çmimin e energjisë elektrike. "E kishin kontrolluar matësin e energjisë më 10 janar dhe erdhën për ta matur përsëri në fillim të muajit mars, pra rreth dy muaj më pas. Tani po vjen fundi i prillit dhe faturistët nuk po duken. Kjo bëhet me qëllim që kur të bëhet fatura, të jenë shpenzuar më shumë se 300 kilovatë dhe kështu do të mund të aplikohet çmimi prej 120 lekësh për kilovat", thotë Nuredin Sila, një banor i qytetit të Fierit. Një tjetër protestues tregon se kjo metodë "vjedhjeje" po ndodh që nga fillimi i këtij viti. "Nëse vitin e shkuar faturisti vinte një herë në 28 apo në 30 ditë, tani nuk vjen pa kaluar më shumë se një muaj e gjysmë", tregon Lume Velo. Protestuesit kanë kërkuar që t‘u matet energjia një herë në muaj, në mënyrë që të mos paguajnë në mënyrë të padrejtë me çmim të lartë. "Nëse do të më matej energjia konfrom rregullit, siç është parashikuar edhe në kontratë, atëherë unë do të paguaja deri në 3000 lekë në një muaj, ndërsa me formën abuzuese që po aplikohet paguaj deri në 4500 lekë të reja në muaj. Nuk mund ta përballoj këtë faturë", thotë Mynever Banaj, një nga protestuesit. Nga ana tjetër, drejtori i filialit të KESH në Fier, Arqile Kume, ka pranuar fenomenin në fjalë, pasi ka verifikuar një numër të madh faturash ku tregohej edhe data e leximit që kalonte të 50 ditët. Kume thotë se për shkak të këtij problemi ka mbledhur të gjithë faturistët dhe u ka kërkuar shpjegime. "Për 23 faturistë kam marrë masë vërejtjeje dhe heqje të ditëve të punës. Nëse vjen sikur edhe një ankesë tjetër, atëherë më duhet të largoj nga puna faturistët abuzues", thotë Kume. Edhe pse kreu i Filialit të KESH Fier flet për marrje masash ekstreme, në faturat e radhës përveç afatit të vonuar të leximit të matësve është vërejtur se secila faturë ka më shumë se 50 kilovatë që nuk korrespondojnë me sasinë e konsumuar realisht.