Librazhd, dëbora përgjysmon shkollat
Librazhd - Gjysma e nxënësve vijojnë mësimet, ndërsa gjysma tjetër është mbyllur në shtëpi. Reshjet e dëborës në tërë rrethin e Librazhdit, më së paku kanë bllokuar dhjetëra fshatra të zonave të thella në këtë rreth. Për pasojë, është ndërprerë prej katër ditësh mësimi në shumë shkolla nëntëvjeçare, fillore dhe në kopshte. "Besoj se të hënën mësimi mund të rinisë vetëm në gjysmën e shkollave të bllokuara nga dëbora", ka pohuar dje në mesditë përgjegjësi i zyrës arsimore të rrethit të Librazhdit, Ferit Hysa. Sipas këtij të fundit, edhe dje mësimi ka nisur jo me të gjithë nxënësit për shkollat e komunës së Hotolishtit, Rrajcës-Sutaj, Polis-Gostimë, Librazhd-Qendër e në qytetin e Përrenjasit. Mbyllja totale e shkollave vazhdon në zonën e Lunikut, Orenjës, Stëblevës Stravaj-Fshat e në Sopot. Në zonat në fjalë, ende trashësia e borës ruan nivelin e 40 centimetrave dhe për më tepër shkrirja e saj është gati e papërfillshme për shkak të ngricave. "E thënë më shkurt, vetëm gjysma e shkollave vazhdon mësimet në rrethin e Librazhdit, ndërsa në gjysmën tjetër është pothuajse e pamundur", ka shpjeguar kreu i arsimit të këtij rrethi. Ndërkohë, mësohet se bashkëpunimi i zyrës arsimore me nënprefekturën dhe instancat vendore ka mundësuar furnizimet me dru zjarri për ngrohje nëpër të gjitha ato shkolla ku vijon procesi mësimor.