E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, gjahtari plagos veten me çifte

Një 40-vjeçar nga rrethi i Fierit është plagosur rëndë dje, me armën e tij të gjahut. Aristir Sako, 40 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Daullas të Komunës Qendër në rrethin e Fierit është plagosur në shpatull dhe në krahun e majtë nga saçmat e një çifteje gjahu që mbante në shtëpi. Mjekët thanë se ai ka marrë tri plagë nga saçmat që kanë përshkuar një pjesë të nyjës që lidh shpatullën me krahun. Plagosja me armën e gjahut ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes. Aristir Sako ka qenë në banesën e tij në fshatin Daullas kur ka nisur ta pastrojë armën e gjahut, e cila ishte e mbushur. Policia që nisi hetimet për këtë ngjarje tha se arma është shkrepur aksidentalisht nga pakujdesia, pasi Sako nuk e kishte kontrolluar më parë nëse ishte e mbushur. 40-vjeçari i plagosur, baba i dy fëmijëve e praktikonte shpesh gjahun dhe zotëronte një leje për armën e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›