Vidhte kioska e lokale, kapet adoleshenti
Policia e Fierit ka vënë në pranga një adoleshent, i cili kërkohej prej kohësh, si i dyshuar për vjedhjen e disa lokaleve dhe kioskave në qytet. Adoleshenti, vetëm 15 vjeç, nxënës i vitit të parë të gjimnazit të Levanit, duke pasur fizik të imët ishte bërë specialist i vjedhjeve, pasi ai arrinte të hynte lehtësisht në kioskat dhe lokalet që plaçkiste me grupin e tij. Policia ka gjetur gjurmët e tij në katër vjedhje, ndërsa po heton edhe për raste të tjera vjedhjesh që kanë ndodhur gjashtë muajt e fundit në rrethin e Fierit. Pas marrjes së informacionit për vendndodhjen, policia ka arritur që të vërë në pranga 15-vjeçarin M.Mersini, ndërsa ky po shkonte për në shkollë. Burimet zyrtare policore thonë se i mituri, në bashkëpunim me të dyshuarin tjetër, Vangjel Hajdini, aktualisht i arrestuar dhe në bashkëpunim me Spartak Muharremi dhe Vasil Alushi që janë shpallur në kërkim ishin autorë të vjedhjes së disa kioskave që ndodhen në rrugët kryesore të lagjeve të Fierit.