E Diel, 1 Nëntor 2026

Libreza e Shëndetit, rastet kur nuk “hyn në punë”



Emanuela Sako

Për një pjesë të madhe të pacientëve që drejtohen në spitale, Libreza e Shëndetit nuk u hyn në punë. Për këtë arsye pacientët nuk mund të përfitojnë ekzaminimet falas. Mjekët shpjegojnë me faktin se pacientët nuk ndjekin procedurat ligjore të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë, e cila u njeh të drejtat dhe detyrimet e tyre. Kështu, pacientët nuk ndjekin mënyrën e vizitave sipas të cilave ata duhet të vizitohen njëherë tek mjeku i lagjes. Më pas është mjeku i lagjes që duhet t’i drejtojë ata tek specialisti i poliklinikës së lagjes dhe ky i fundit e drejton pacientin në spitalin qendror nëpërmjet një autorizimi. Vetëm në këtë mënyrë, pacientëve do t’iu njihet libreza shëndetësore dhe do të përfitojnë vizitën falas apo do të paguajnë dhjetë për qind të vlerës së kryerjes së vizitës. Shefi i Radiologjisë, Krenar Preza, sqaroi se pacientët nuk e ndjekin këtë radhë pune dhe për këtë arsye nuk mund ta përfitojnë ekzaminimin falas apo të paguajnë një përqindje të vogël edhe pse janë të pajisur me Librezë Shëndetësore.
Rastet
Specialistët sqarojnë se pacientët nuk ndjekin siç duhet rregulloret e përcaktuara me ligj. Kjo ndodh për arsye se ata kërkojnë që të mbarojnë punë sa më shpejt duke u drejtuar në mënyrë direkte në një nga spitalet e mëdha siç është QSUT-ja apo të tjerë. Përveç rastit kur pacientët nuk drejtohen më parë në poliklinikë, por shkojnë direkt tek specialisti, ka dhe disa raste të tjera kur Libreza Shëndetësore nuk njihet. Mund të përmenden dhe raste të tjera kur pacientëve nuk iu njihet, i tillë është rasti kur pacientët kryejnë vizitën në një nga poliklinikat e lagjeve të tjera dhe jo në poliklinikën e lagjes që i përkasin. Ndërsa klinikat private janë ato që i përjashtojnë plotësisht njohjen e Librezës së Shëndetit. Ministria e Shëndetësisë shpeshherë ka bërë diskutime për të hartuar një projekt ku Libreza Shëndetësore të njihet edhe nga spitalet private, nëpërmjet një marrëveshje të detajuar mes tyre dhe autoriteteve përkatëse shëndetësore.
Pacientët
Specialistët sqarojnë se pacientët janë më të prirur për të kryer një vizitë direkt tek specialisti në një qendër spitalore sesa të ndjekin hap pas hapi procedurat e tjera. Sipas mjekëve, kjo ndodh për shkak se në shumicën e rasteve poliklinikat i drejtojnë për në spitalet e mëdha tek specialistët dhe pacientët mendojnë se më e mira do të jetë po të shkojnë me dëshirën e tyre që në fillim. Sipas tyre, pacientët janë të gatshëm të shpenzojnë më tepër për të shmangur vonesat. Ndërsa pacientët pohojnë se mjekët e spitaleve janë më të specializuar dhe nuk kanë përse të shkojnë në poliklinika.

10 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›