E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncohet dhuna e ushtruar ndaj një qytetari nga policia

Dobjani: “Ndëshkoni policët që ushtrojnë dhunë kur i ndaluari nuk bën rezistencë”. Rekomandim zyrtar për tre policë të Komisariatit Nr. 1 në kryeqytet

Laureta Rryçi

Tiranë - Policia e kryeqytetit në mjaft raste është treguar e dhunshme me qytetarët. Rasti më i fundit ka ndodhur në oborrin e Komisariatit Nr. 1 të kryeqytetit. Një qytetar është goditur disa herë, edhe pse s’po bënte asnjë lloj rezistence. Ngjarja në fjalë rastësisht është parë nga një komisionar i Avokatit të Popullit. Ky i fundit ka dhënë alarmin duke kërkuar që drejtuesit e lartë të Policisë të marrin masa konkrete për parandalimin e këtij fenomeni. Rekomandimi që mban firmën e Dobjanit, tashmë ka mbërritur jo vetëm në tavolinën e drejtorit të Policisë së Tiranës, Muhamed Rrumbullaku, por edhe në tavolinën e drejtorit të Përgjithshëm, Ahmet Prençi. “Rekomandojmë dhënien e masave disiplinore ndaj punonjësve të policisë Ulian Shpataraku, Gjergji Ylli e Neritan Qeraxhi dhe marrjen e masave organizative për njohjen më mirë dhe respektimin nga ana e punonjësve të policisë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, - shkruhet në rekomandimin e Avokatit të Popullit.
Ngjarja
Sipas Dobjanit, më datë 24 shtator 2008, një nga komisionarët e kësaj zyre është bërë dëshmitar okular i një ngjarjeje të shëmtuar të ndodhur në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë. Rreth orës 15:45 të kësaj date, një makinë e policisë solli në oborrin e komisariatit një qytetar të prangosur. Pasi e zbritën nga makina e policisë i shoqëruar nga dy policë, ai ra pre e dhunës fizike barbare të një punonjësi tjetër policie, i cili e goditi disa herë me shkop gome në pjesë të ndryshme të trupit. Në rastin konkret dhe në momentin e dhunimit. Shtetasi i shoqëruar nuk po bënte asnjë lloj rezistence ndaj punonjësve të policisë. Në këto kushte nuk ishte i nevojshëm asnjë lloj përdorimi force nga punonjësi i policisë dhe as ushtrimi i dhunës ndaj tij. Shqetësues në këtë ngjarje ishte edhe fakti se megjithëse në momentin e keqtrajtimit fizik të qytetarit ishin prezent shumë punonjës të policisë në oborrin e Komisariatit të Policisë Nr. 1, asnjëri prej tyre nuk ndërhyri për të parandaluar sjelljen brutale, çnjerëzore e të kundërligjshme të kolegut të tyre.
“Pasi u informova për këtë ngjarje, urdhërova regjistrimin e këtij rasti me iniciativë dhe fillimin e hetimit për identifikimin e autorit të kësaj ngjarjeje”, - shpjegon Dobjani në rekomandimin e tij zyrtar. Më pas ka rezultuar se autori i saj ishte punonjësi i policisë Ulian Shpataraku, efektiv i Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë, me detyrë patrullë e përgjithshme. Ai u thirr nga përfaqësuesi i Avokatit të Popullit dhe u pyet rreth kësaj ngjarjeje. Gjatë pyetjes ai pranoi se e kishte goditur atë për shkak të acarimit si pasojë e kundërshtimit të dhunshëm dhe fyerjes nga shtetasi i shoqëruar. Ndërkohë u identifikuan edhe dy punonjësit tjerë të policisë, Gjergji Ylli dhe Neritan Qeraxhi, të cilët kanë bërë shoqërimin e shtetasit. Mësohet se qëndrimi i tyre jokorrekt u demonstrua jo vetëm me indiferencën në momentin e keqtrajtimit të të shoqëruarit prej tyre, por edhe gjatë pyetjes nga ana e përfaqësuesve të Avokatit të Popullit.
Rekomandimi
Veprimet e dhunshme të punonjësit të policisë Ulian Shpataraku ndaj shtetasit të shoqëruar N. Ll. janë në kundërshtim me misionin ligjor të Policisë së Shtetit dhe detyrën e punonjësit të policisë. PO kështu, shkelje cilësohen edhe qëndrimet indiferente të punonjësve të policisë Gjergji Ylli dhe Neritan Qeraxhi, duke mos ndaluar veprimet e kundërligjshme të kolegut të tyre dhe mosraportimin e shkeljes së kryer prej tij tek eprorët.
“Ne gjykojmë se qëndrimi i këtyre dy policëve që jo vetëm nuk parandaluan dhe raportuan ngjarjen, por në veçanti gënjeshtra e tyre gjatë pyetjes në institucionin tonë është një fenomen mjaft i dëmshëm dhe që duhet ndëshkuar rëndë, mbase më tepër se sa autori i dhunës. Qëndrimi i tyre është rrjedhojë e një mentaliteti të vjetër e që vazhdon të jetë i pranishëm në radhët e efektivave të Policisë së Shtetit”, - shkruhet në rekomandim.

10 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›