E Diel, 1 Nëntor 2026

Sa të sigurta janë llogaritë bankare të 1.5 milionë shqiptarëve



Ervin Koçi

Depozitat e 1.5 milionë shqiptarëve, të mbyllura në bankat private të nivelit të dytë në vend, dhe siguria e tyre, janë kryefjala e sotme e bisedave të qytetarëve të thjeshtë dhe specialistëve të ekonomisë. Agjencia e Sigurimit të Depozitave është institucioni që merret direkt me garantimin e këtyre depozitave, si dhe një strukturë sigurie për sistemin bankar në tërësi në Shqipëri. Në raportin më të fundit të ASD-së të publikuar pak kohë më parë thuhet: “Bankat shqiptare kanë rritur nivelin e sigurimit të depozitave të klientëve të tyre”. Në raportin e ASD-së thuhet gjithashtu se, “88 për qind e depozitave deri në 700 mijë lekë janë të garantuara”. Ndërsa në një krahasim me vende të tjera, bëhet e ditur se sigurimi është mbi nivelet mesatare dhe totalisht i përballueshëm për çdo situatë. Raporti vijon më tej se, “pavarësisht kritikave për kredi të këqija, situata është nën kontroll. Madje, të dhënat e paraqitura flasin për rritjen e të ardhurave në sistemin bankar si pasojë e kredive për bizneset dhe individë, por dhe si pasojë e rritjes së depozitave të individëve apo dhe të vetë bankave”. Nga ana tjetër shtohet se në aktivitetin e saj, “ASD-ja nuk ka hasur në vështirësi të bankave apo në rreziqe të tjera, ku dhe pas procedurës së shitblerjes së aksioneve apo bashkimit të bankave nuk janë vërejtur vështirësi”. Sipas këtij raporti, “rritja e financave është e ndjeshme, edhe pse jo në ritmet e një viti më parë”. Për këtë vit Agjencia mësohet se do të kërkojë rindryshimin e ligjit duke vendosur detyrime të reja për bankat që operojnë në Shqipëri, apo dhe për miradministrimin e mëtejshëm të procesit.

Kompensimi

Në raportin e paraqitur ASD-ja bën të ditur se, “tashmë janë dhënë garancitë e plota për kompensimin e gjithë individëve me depozita deri në 700 mijë lekë, në rast të ndërprerjes së licencës për ndonjë bankë”. Raporti i paraqitur nuk flet për situatën financiare aktuale të bankave, por është një raport vjetor i cili paraqitet edhe në Kuvendin e Shqipërisë në lidhje me garancinë që u jepet shqiptarëve në sigurinë e depozitimit të parave në banka, procedurë kjo që ndiqet në të gjitha vendet e botës. Sipas raportit, “viti 2007 ishte me zhvillime përgjithësisht pozitive dhe të qëndrueshme në sistemin bankar, ku në krahasim me vitin 2006 situata është shumë më e përmirësuar”. Në këtë pikë Agjencia ka tërhequr vëmendjen vetëm për dy banka, të cilat e kanë zbritur këtë siguri nën nivelin e paravendosur. Por ASD-ja siguron se “kjo nuk përbën problem, pasi situata është cilësuar e përkohshme”. Buxheti i Shtetit i ka akorduar një shumë përkatëse, e cila i shërben ASD-së si garanci për çdo situatë që mund të krijohet. Nga ana tjetër, vetë bankat, në çdo vit, si dhe në çdo krijim depozite, paguajnë një kuotë të caktuar minimale, e cila shërben dhe si rritje e buxhetit të ASD-së për të përballuar rreziqe të mundshme.

Klientët

Në lidhje me prezencën e klientëve në banka, ASD-ja bën të ditur se në të gjitha bankat janë vendosur procedura për informimin e klientëve mbi sigurimin e depozitave. Kjo si një shenjë treguese për garancinë e lekëve që janë mbyllur në bankat e nivelit të dytë. Për vitin 2007, ASD-ja njoftoi për një rritje deri në 200 mijë të individëve që kanë depozita në banka të ndryshme, krahasuar me vitin 2006. Kështu, ndërsa një vit më parë kishim 944 mijë individë me depozita deri në 350 mijë lekë, 99 mijë me depozita deri në 700 mijë lekë dhe 158 mijë me mbi 700 mijë lekë, për vitin 2007 numri ka pësuar një rritje të ndjeshme për të tri kategoritë. Kështu, për depozitat deri në 350 mijë lekë kemi 1.268 mijë persona, për depozita deri në 700 mijë lekë numri arrin në 111 mijë individë dhe mbi 700 mijë lekë, shkon në 180 mijë individë. Në shumë totale, numri i depozitave shkon nga 1 milion e 201 mijë persona në vitin 2006, në 1 milion e 500 mijë persona për vitin 2007.

Valutat

ASD bën të ditur se, “bankat e nivelit të dytë kanë rritur nivelin e sigurimit të depozitave në valutë”. Përsa i përket fondit në dispozicion të Agjencisë, bëhet e ditur se, “shuma fillestare e dhënë nga Buxheti i Shtetit ka pësuar një rritje të konsiderueshme qoftë nga sigurimet që bëjnë bankat, ashtu dhe nga rritja e fitimit mbi shumën fillestare”.

Roli i ASD-së në sigurimin e depozitave

Agjencia e Sigurimit të Depozitave është ngritur si institucion rreth 4 vite më parë, ndërsa gjatë gjithë aktivitetit të saj nuk ka pasur raste të ndërprerjes së licencës së bankave. Sipas ligjit, “ASD-ja, ka detyrim të kompensojë depozitat deri në 700 mijë lekë, në rast falimenti apo ndërprerje të licencës së bankave, dhe 15 për qind të pjesës mbi 350 mijë lekë”. Kjo me anë të sistemit të përcaktuar në ligj. Sipas raportit të Agjencisë, “qëllimi është rritja e besimit te bankat për depozituesit e vegjël”. Ndërkohë sqarohet se Agjencia ka detyrë që të kompensojë depozituesit brenda tre muajve nga ndërprerja e licencës së aktivitetit të një banke (falimentimit). Për këtë qëllim është miratuar rregullorja si dhe procedurat e kompensimit për çdo rast që mund të ndodhë. Nga ana tjetër sigurohet se sistemi bankar nuk ka rrezik tronditjeje, ndërsa flitet për një rritje të ndjeshme të të ardhurave dhe të nivelit të depozitave.

Depozitat e siguruara

Viti 2004 167.251

Viti 2005 182.621

Viti 2006 200.222

Viti 2007 223.926

Depozitat e pasiguruara

Viti 2004 142.621

Viti 2005 176.024

Viti 2006 215.597

Viti 2007 267.163

10 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›