Doganat, importet nga vendet e Ballkanit zënë 46.4 për qind
Importet nga vendet e Ballkanit drejt Shqipërisë në periudhën janar-korrik 2008 zunë 46.4 për qind të totalit të importeve, duke rezultuar rreth 2.4 për qind më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Drejtoria e Pëgjithshme e Doganave, volumi i mallrave të importuar nga vendet e Ballkanit arriti në 1.247.938 ton mallra në 7 muajt e parë të vitit 2008. Ndërkohë, në periudhën janar-korrik 2008, importet nga vendet e Ballkanit llogariten në rreth 76.667 milion lekë ose 1848 milionë lekë më shumë se e njejtja periudhë e vitit 2007. Partneri kryesor në rajon, prej të cilit Shqipëria ka importuar më shumë se gjysmën e totalit të importeve ndër vendet ballkanike, është Greqia. Në 7 muajt e parë të 2008-tës janë importuar prej këtij shteti rreth 680.438 ton mallra, me një vlerë prej 35.297 milion lekë.
Prokurimet publike, biznesi kërkon bonuse për produktet “Made in Albania”
Komuniteti i biznesit kërkon mbështetje për produktet shqiptare të çertifikuara sipas standardeve europiane, gjatë prokurimeve publike. Kryetari i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ilir Zhilla, gjatë një takimi në kuadër të reduktimit të barrierave në prokurimet publike të zhvilluar këtë javë në Tiranë, u shpreh se ka ardhur koha për dhënien e bonuseve për të gjitha produktet "origjinale" shqiptare, hap ky i cili do të inkurajonte edhe prodhuesit dhe fermerët vendas. "Ajo çka ne kërkojmë është që kur konkurohet në prokurimet publike, produkteve shqiptare të çertifikuara sipas standardeve europiane, t'u jepet përparësi", deklaroi Zhilla. Sipas tij, tashmë ligji "Për Prokurimet Publike" është në përmirësim e sipër, ndërsa shumë shpejt do të ketë një tryezë me përfaqësues të komunitetit të biznesit si dhe Agjencisë së Prokurimeve Publike, ku do të parashtrohen edhe kërkesat dhe sugjerimet tona, në kuadër të përmirësimit të tij, për reduktimin e barrierave për biznesin.
10 Tetor 2008