E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet gati tu falin 6.5 miliard lekë bizneseve debitorë



Në vijim të ligjit për amnistinë fiskale që qeveria do të apikojë ndaj një pjese të subjekteve të biznesit, Administrata Tatimore, do të jetë institucioni i radhës që do të zbatojë këtë procedurë. Bizneset i kanë një detyrim prej 6.5 miliardë lekësh administratës tatimore, ku një pjesë e madhe janë subjekte vendore. Sipas projektit të amnistisë fiskale, nga këto 5.9 miliardë lekë janë gjoba dhe rreth 586 milionë lekë janë kamatat për vonesa. Ndërsa detyrimi për administratën doganore arrin në 7.2 miliardë lekë, duke e çuar në total detyrimin fiskal në plot 13,7 miliardë lekë, gjoba dhe kamata për borxhet. Nga falja e kamatëvonesave në sigurimet shoqërore dhe shëndetësore përfitojnë 6169 subjekte me detyrime të prapambetura për periudhën 1994 deri në fund të 2005-s. Sipas projektit të amnistisë, shuma që do të falet për këtë pjesë është rreth 282 milionë lekë, të trashëguara në vite. Shuma e kamatëvonesave po barazon sipas specialistëve detyrimin bazë. Një tjetër pikë e amnistisë janë detyrimet e papaguara të drejtuesve të automjeteve, në taksën e regjistrimit dhe transportit rrugor. Për të pastruar këtë listë bëhet falja e detyrimeve, nëse drejtuesi paguan për vitin 2006, 2007 dhe 2008 dhe mjeti të riregjistrohet. Sipas të dhënave zyrtare, të regjistruara rezultojnë 350 mijë makina, ndërsa në qarkullim janë rreth 210 mijë.

10 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›