E Diel, 1 Nëntor 2026

Libri i Historisë: Fazlliç u përdor politikisht nga opozita socialisteNga TemaMaturantët këtë vit, përveç historisë së vendit tonë, do të mësojnë edhe për sekserin serb, Damir Fazlliç, i cili, sipas hartuesve të librit “Historia e Popullit Shqiptar 1

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Libri i Historisë: Fazlliç u përdor politikisht nga opozita socialisteNga Tema

Maturantët këtë vit, përveç historisë së vendit tonë, do të mësojnë edhe për sekserin serb, Damir Fazlliç, i cili, sipas hartuesve të librit “Historia e Popullit Shqiptar 12”, është përdorur për luftë politike nga opozita socialiste ndaj kryeministrit Berisha. Në këtë libër ka zënë vend edhe çështja hetimore e rrugës Durrës-Kukës, me të akuzuar ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha, që sipas hartuesve të librit, është përdorur gjithashtu politikisht nga opozita. Përveç tyre, autorët e librit kanë shkruar edhe për kryeparlamentaren, Jozefina Topalli, e cila, sipas tyre, e ka bërë më aktive diplomacinë parlamentare, ndërsa përmenden edhe suksese të tjera të qeverisë Berisha. “Sukseset më të dukshme u arritën në sferën doganore dhe tatimore. Vendosja e taksës së sheshtë (10%), ulja e tatimeve të ndryshme, organizimi i mirë i TVSH, organizimi i veprimtarisë së QKR (Qendra Kombëtare e Regjistrimit) të subjekteve private përbënte një sukses të qeverisë së re shqiptare. Investimet e huaja filluan të bëhen të ndjeshme në jetën ekonomike të vendit, sidomos në sektorin e minierave, çimentos, materialeve të ndërtimit, energjitikës, privatizimeve etj. Përveç privatizimit të lënë në mes nga socialistët (për shkak të përfundimit të mandatit) të Albtelekomit, përfundoi privatizimi i INSIG, ARMO-s, OSSH (i ndarë nga KESH) dhe këto çmohen si suksese të rëndësishme. Zgjedhja e presidentit të ri, Bamir Topi, dhe zgjedhjet administrative e vendore të shkurtit 2007, sollën ekuilibra të rinj në jetën ekonomike, politike e sociale të vendit tonë. Këto ndikuan së tepërmi për gjallërimin e luftës politike, të arritjes së standardeve të kërkuara për NATO-n dhe MSA. Për disa reforma të rëndësishme pozita dhe opozita punuan së bashku duke sjellë shembuj të çmuar të demokracisë konsensuale. Një nga dukuritë më aktive në këtë periudhë ka qenë diplomacia parlamentare e drejtuar nga kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli. Debati midis qeverisë dhe opozitës u zhvillua rreth ruajtjes së pavarësisë së institucioneve të pavarura, forcimit të drejtësisë - e cila vazhdimisht çmohej si bastion i korrupsionit aktiv në shoqërinë shqiptare. Pjesë e kësaj lufte politike ishte denoncimi i qeverisë nga opozita për korrupsionin gjigant në rrugën Durrës-Morinë, duke akuzuar ish-ministrin e Punëve Publike, L. Basha, si dhe denoncimi i shumë rasteve të tjera për tenderët e KESH etj. Tronditës u bë shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec pranë Tiranës, ku humbën jetën 26 vetë. Ish-ministri i Mbrojtjes, F. Mediu, dha dorëheqjen, por qeveria u ngarkua me një barrë shumë të rëndë në lidhje me këtë aferë, aq sa gjithnjë e më shpesh nga opozita po quhej si “qeveria e Gërdecit”. Në këto debate u trajtua si një akt korrupsioni dhe “çështja Fazlliç” dhe opozita akuzoi qeverinë dhe kryeministrin”, - thuhet në tekstin e Historisë që maturantët do të mësojnë këtë vit.

PS: Të tërhiqet urgjentisht libri skandaloz i historisë

Partia Socialiste ka reaguar sërish dje për skandalin me librin “Historia e Popullit Shqiptar 12” dhe ka kërkuar tërheqjen e tij nga tregu dhe shkollat. Deputetja e PS, Ledi Shamku, tha se libri skandaloz, që e cilëson Gërdecin si një aksident teknologjik, ndërkohë që ka lënë në hije 14 shekuj të historisë së vendit tonë, duhet të tërhiqet urgjentisht nga Ministria e Arsimit.

“Denoncuam para dy ditësh politizimin antishkencor dhe të patolerueshëm të teksteve të historisë për shkollat e mesme. Kërkuam të hiqen menjëherë nga qarkullimi këto tekste antikombëtare që nuk thonë as edhe një fjalë të vetme për 14 shekuj themelorë të historisë sonë, ndërkohë që rendin të japin gjykime deri edhe për shpërthimin vrastar të Gërdecit, duke e quajtur atë thjesht një aksident teknologjik. Pritëm reagimin e Ministrisë së Arsimit, si institucioni përgjegjës që duhet t’u garantojë djemve e vajzave tona cilësinë e një edukimi kombëtar e modern, në liri të plotë gjykimi, por ministria e “epokës së re” të Sali Berishës reagoi duke e mbrojtur tekstin në fjalë me një gjuhë po aq të rreme sa edhe argumentet e tekstit”, - tha deputetja e PS. Sipas kësaj të fundit, Ministria e Arsimit, në vend që të garantojë libra cilësorë dhe të paanshëm, ka marrë rolin e gjykatësit dhe jep verdikte për çështje, për të cilat nuk është shprehur ende drejtësia, siç është rasti i Gërdecit. “Në këtë vend nuk po ka më institucione që bëjnë punën tyre, pasi Ministria e Arsimit ka marrë funksionet e Gjykatës, duke e shpallur ajo vetë verdiktin për shpërthimin e Gërdecit, për të cilin ende nuk ka folur drejtësia. Nuk po ka institucione, por thjesht shërbëtorë të zellshëm të neo-diktatorit, i cili njëlloj si paraardhësi i tij, Hoxha, zgjedh ta instalojë diktaturën përmes manipulimit të historisë kombëtare dhe ta përhapë këtë manipulim përmes edukimit shkollor”, - u shpreh në emër të PS deputetja Ledi Shamku.

Pas skandalit të publikuar nga ana e medieve të ndryshme dhe të denoncuar nga Partia Socialiste, Ministria e Arsimit reagoi, duke thënë se teksti i Historisë që po u jepet gjimnazistëve, ku thuren himne e lavde për Berishën, është një tekst që ka kaluar përmes disa procedurave rigoroze dhe që nuk ka asnjë ndikim politik. Ajo nuk pranoi që të tërhiqej nga ky tekst, ndërsa zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata, tha se ky libër po përdorej politikisht nga ana e opozitës.

“Jemi këtu për të sqaruar procedurën e miratimit të teksteve shkollore, mes të cilëve njërin prej teksteve alternativë “Historia e Popullit Shqiptar 12”, që po përdoret si kalë i lodhur beteje politike me mbulesë “shkencore”. MASH deklaron se reforma e liberalizimit të teksteve shkollore ndaj tregut të botimit dhe të shpërndarjes ka sjellë impaktin e pritshëm të cilësisë së tekstologjisë shkollore”, - tha dy ditë më parë Shamata.

“Ritheksojmë se, në çdo rast, ajo që ka munguar, ka qenë vetëm ndikimi zyrtar ndaj pikëpamjeve të studiuesve, të cilët kanë qenë të lirë të thonë mendimin e tyre të pavarur, të bazuar në fakte e kritere shkencore”, - vijoi më tej zëvendësministri i Arsimit.

Ai madje bëri të ditur se vlerësuesit e teksteve nuk kanë pasur asnjë mundësi të ndikohen, se kanë qenë të izoluar, kur kanë bërë shqyrtimin e tyre.

“Vlerësuesit kanë punuar në mjedise të izoluara dhe larg ndërhyrjeve nga përfaqësuesit e shtëpive botuese apo autorët e teksteve. Ata kanë qenë tërësisht të pavarur në gjykimet e tyre. Së fundi, gjuha e përdorur dhe përbaltja e institucioneve nuk përbëjnë në asnjë rast argument dhe aq më tepër argument shkencor, siç pretendohet. Nuk e di se çfarë ndjesie publike shkakton fakti që një tekst historie bëhet alibi për mos-hyrjen e opozitës në Kuvend. Tonet ultimative për tërheqjen e tekstit në një kontekst më të gjerë aktual e politik, nuk i bëjnë nder askujt”, - përfundoi Shamata.

Gafa, në 2001 Fatos Nano u bë sërish kryeministër

Përveç lavdeve ndaj qeverisë dhe kryeministrit Berisha, cilësimin e akuzave ndaj Fazlliçit apo për rrugën Durrës-Kukës, si të përdorura politikisht nga ana e opozitës, “Historia e Popullit Shqiptar 12”, përmban edhe një gafë të rëndë. Kështu, për zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, të cilat u fituan nga Partia Socialiste, në libër thuhet se kryeministër u zgjodh Fatos Nano. Gjë që në fakt nuk rezulton e vërtetë, pasi atë kohë kryeministër i vendit ka qenë Ilir Meta, pas tij më pas është zgjedhur Pandeli Majko dhe vetëm në vitin 2003, pas katarsisit të famshëm, në krye të qeverisë shqiptare është vendosur Fatos Nano. “Në zgjedhjet e vitit 2001, përsëri në pushtet erdhën socialistët, nën drejtimin e Fatos Nanos, i cili u bë sërish kryeministër”, - thuhet në librin e Historisë. Pavarësisht këtyre gafave trashanike, Ministria e Arsimit thotë se nuk do të tërhiqet nga ky libër

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›