Universiteti i Vlorës, në udhëkryq. “Quo Vadis”?Nga Prof. As. Jorgo Mandili, Departamenti i Fizikës, UVJa ç’po ndodh në Universitetin e Vlorës: Zhurmë, dezinformime, keqkuptime, moskuptime, inate, kërcëllitje dhëmbësh, arrogancë, e-mail-e kërcënuese,
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Universiteti i Vlorës, në udhëkryq. “Quo Vadis”?Nga Prof. As. Jorgo Mandili, Departamenti i Fizikës, UVJa ç’po ndodh në Universitetin e Vlorës: Zhurmë, dezinformime, keqkuptime, moskuptime, inate, kërcëllitje dhëmbësh, arrogancë, e-mail-e kërcënuese, presione fizike, telefonata anonime vazhdojnë pambarim nga pushtetarë, gazetarë, individë të caktuar, grupe interesi e gjithfarëlloj zuzarësh e rrugeçërish politikë, institucionalë e mediatikë, të pakënaqurish, të korruptuarish, dallaveraxhinjsh e sekserësh, sikur ne jemi kriminelë dhe jo një institucion akademik, i cili përpiqet me të gjitha resurset e veta potenciale, intelektuale e materiale që ta transformoje UV në një universitet modern
Universiteti ynë për herë të parë funksionon si një universitet perëndimor. Mënyra se si bëhen regjistrimet, kodet e lëndëve, kreditet, programet mësimore (sistemi informativ i Universitetit të Vlorës (SIUV), programet e reja mësimore, referencat e teksteve, aktivitetet shkencore në rritje, buletinet e revistat shkencore (E vetmja peer-reviewed Journal i kërkimit shkencor në fushat e matematikës së aplikuar në Shqipëri, “The Albanian Math Journal”, botohet në UV), konferencat ndërkombëtare të organizuara nga UV (i vetmi universitet shqiptar që organizon konferenca me prestigj shkencor ndërkombëtar, siç është ACA 2010, etj., etj.), na dallojnë së tepërmi nga universitetet e tjera të vendit.
Ne kemi arritur diçka tepër ambicioze me gjithë këto ndryshime, akademike, administrative dhe teknike. Dhe të gjitha këto ndryshime, falë punës së palodhur, netëve pa gjumë, energjive të pashtershme aftësive të veçanta intelektuale, vizionit liberal amerikan, përvojës shumëvjeçare në universitetet amerikane të rektorit të këtij universiteti, prof. Shaskës, mobilizimit dhe mbështetjes së fuqishme të pjesës më progresiste të stafit akademik dhe të studentëve. Kjo ndoshta i shqetëson dhe i lë pa gjumë gjithë atë farë “ushtrie” të përmendur më lart.
Është gjithë kjo ushtri që me mbështetjen e disa medieve televizive dhe të shkruara, ku flamurin e mban “TV Klan”, “ORA NEWS” dhe gazeta “Koha Jonë”, që dezinformuan opinionin publik, që tallen me prindërit dhe nxënësit e dobët, jo se u dhimbsen, jo se kërkojnë zgjidhje për ta, jo se mendojnë për arsimin e lartë, por thjesht për përfitime dhe interesa klanore, politike apo personale.
Ligji i Arsimit të Lartë braktiset, kërkesa e Senatit të UV që përpara një viti anashkalohet dhe ndërkaq kërkohet regjistrimi me forcë, shkarkimi i rektorit, pushimi i pedagogëve që e mbështesin. Nuk përmendet që MASH me në krye zonjën Elida Hoxha, gjithmonë ka punuar kundër UV, si për programet e reja, për kuotat, për mjediset, për mesataren, për kampusin e ri, për doktoraturën e matematikës, për masterat etj., në një kohë që universitetet e tjera dhe sidomos ato private marrin me lehtësi të çuditshme çfarë u duhet. Përse u përdorën dy standarde nga MASH dhe veçanërisht nga zonja Elida Hoxha?
Po çfarë ndodh në të vërtetë në UV? Përse është ngritur në këmbë gjithë kjo farë “ushtrie” institucionale e mediatike kundër rektorit, pedagogëve, Senatit e rektoratit?
Mos vallë u dhimbsen nxënësit apo prindërit e tyre? Mos vallë shqetësohen për standardet e arsimit të lartë? Mos vallë janë më shumë patriotë nga ne që punojmë natë e ditë për ta transformuar UV në një universitet modern? Mos vallë i ha meraku që diplomat në universitetet tona merren kot? Jo, aspak! Në të gjitha deklarimet e MASH dhe të medieve që e mbështesin nuk përmendën fare standardet akademike, niveli shkencor, por vetëm masivizimi, populizmi: dy arsyet kryesore që po e shkatërrojnë dhe atë ç’ka mbetur nga arsimi i lartë.
Edhe armiku më i madh i Shqipërisë do t’ua kishte zili metodat dhe format që përdorin këta lloj njerëzish për të frenuar, denigruar e sabotuar ecurinë e këtij universiteti, i cili brenda një kohe shumë të shkurtër u transformua në një institucion bashkëkohor.
Por arsyeja e vërtetë e këtij mllefi poliedrik të dirigjuar nga një mentalitet kanunor, tribal, inatçor, kriminal është se ngjarjet e ditëve të fundit në UV nxorën në shesh një problem që të gjithë e dinë: shtet, pushtet, media, që të gjithë e pëshpëritim nëpër tavolina; prindërit, mësuesit, nxënësit e studentët, e çdo njeri në Shqipëri dhe jashtë saj, por që bëjnë sikur e dinë dhe nuk e shikojnë.
Problemi është që arsimi parauniversitar në përgjithësi dhe ai universitar në veçanti janë bërë për të vënë duart në kokë, për të vënë kujën.
Këtë e vërtetoi e gjithë zhurma e ditëve të fundit për mos-regjistrimin e studentëve me mesatare poshtë notës 6, sipas një vendimi të drejtë, të bazuar në Ligj, të Senatit të UV. Ky vendim i nxori “petët e lakrorit” të gatuar nga qeveritë e majta dhe të djathta për arsimin gjatë këtyre njëzet vjetëve.
Arsimi i Lartë mbledh ato çfarë i dërgon arsimi parauniversitar, gjendja e të cilit përtej fasadës dixhitale me “salla kompjuterësh e me internet” sidomos në zonat rurale është në gjendje të mjeruar: shumica e nxënësve nuk dinë të shkruajnë emrin e tyre, pa le të flasësh për formimin e tyre intelektual e shkencor. Skema e tanishme e pranimit në universitete ka dështuar plotësisht. Asnjë ndryshim cilësor nuk ka arritur.
Përse vazhdohet të harxhohen pará, mund, energji, kohë me të famshmen “Meritë - Preferencë”, kur dyert e universiteteve janë të hapura edhe për nxënësit që mbarojnë gjimnazin me korrespodencë, edhe për ata që janë ngelës? Kjo skemë e paligjshme shkel të drejtat e njeriut: në vend të Komitetit Ekzekutiv që i caktonte se ku do të shkonin maturantët, tani kemi nxjerrë komitet ekzekutiv të sofistikuar që quhet APRIAL. Kjo skemë është në kundërshtim me të drejtat e IAL, të cilat me ligj kanë të drejtën të pranojnë studentë sipas kritereve që vendosin ata. Kjo skemë pengon konkurrencën midis universiteteve.
Ajo favorizon vetëm universitetet private, pas të cilave, siç thonë gojët e liga, qëndron një politikan. Larg qoftë po të jetë kështu, se dihet pastaj fati i universiteteve publike!
Prandaj kjo skemë duhet flakur sa më shpejt. Shpresojmë te ministri i ri i Arsimit, i cili me vizionet e tij perëndimore njihet si reformator.
Në përfundim të gjimnazit, përveç pasigurisë së vërtetësisë së notës, kontingjenti i nxënësve del edhe gjithë pretendime për të vazhduar se s’bën studimet e larta. Shumë mirë! Por hyrja në universitet duhet të ketë disa kritere. Të forta madje!
Ju i dini më mirë nga unë kriteret që vendosen në universitetet prestigjioze, por le të mos krahasohemi me ta. Në vende të tilla si Kenia, Singapori apo Zambia, në website të universiteteve të tyre vihet re se nuk pranohen në fakultete studentë që kanë dalë me mesatare të ulet në maturë.
Mesatarja shfaqet në shumicën e universiteteve si kriter pranimi edhe në vende të tilla si Sllovenia.
Pra, gjithkund synohet cilësia, jo sasia. Dyndje studentësh të dobët nëpër universitete shkatërrojnë përfundimisht vlerën e diplomës dhe çorodisin masivisht tregun e punës.
Në universitete duhet të shkojnë nxënësit me mesatare të lartë nga shkolla e mesme, sepse është humbje e madhe kohe e energjish të përpiqesh në universitet të mësosh nxënës që nuk dinë të lexojnë apo shkruajnë mirë. Nga ana tjetër, këta studentë i zënë vendin një studenti që e meriton, por kryesorja, këto janë një faktor psikologjik negativ për studentët cilësorë, të cilët janë të detyruar të marrin mësime të nivelit të një shkolle fillore.
Jo çdo njeri mund e duhet të shkojë në universitet. Përse MASH nuk hap shkolla të larta për profesione të ndryshme, ku nxënësi i dobët mund të bëhet një hidraulik, elektricist, mekanik, i shkëlqyer dhe do të ndihet mirë edhe me veten, edhe me shoqërinë, se sa të thyejë xhamat për t’u regjistruar me zor në universitet?
A mund të regjistrohet njëra prej atyre vajzave me mesatare poshtë gjashtës, e trukuar si për shfaqje cirku, kur iu përgjigj gazetares së TV lokal e indinjuar: “Unë jam një vajzë moderne, që kam shumë ëndrra në sirtar dhe ju nuk mund të më pengoni të realizoj ëndrrat e mia, sepse unë jam vajzë me botë dhe me shumë miq e shokë dhe kam të drejtën time, sepse studentët bëjnë jetë të bukur dhe unë e dua këtë jetë të bukur. Pse, çfarë kam unë që të mos bëj jetë të bukur?” Sigurisht, nuk mund të presësh më shumë nga një student me mesatare gjimnazi 5.1. Përse duhet të fitojë të drejtën e studimit kjo vajzë, kjo bartëse e handikapatëve të formimit leksikologjik? Apo që nesër ta shohim në parlament dhe të marrë vendime për arsimin?!
Universitetet publike mbahen në këmbë me paratë e taksapaguesve. ǒkërkoni ju të përgatisim ne? Njerëz me formim të dyshimtë për shtetin dhe popullin? A mos vallë shteti i kërkon të tillë?
Na i thoni që ta dimë si të veprojmë. Por jo të na detyroni me arrogancë, frikë, nënshtrim, urdhra e presione të gjithfarëllojshme. Përse, me patjetër, duhet të regjistrohen? Fundja le të regjistrohen në universitete të tjera që kanë nevojë për studentë dhe problemi zgjidhet.
Në kohën që vendimi i senatit të UV jep mesazhin që në UV diplomat nuk merren kot dhe kur ne prisnim që kjo përpjekje pozitive e UV, sado e veçuar në kuadrin e arsimit të lartë, për të vendosur një barrierë potenciale, për një nivel cilësor të atyre që shkojnë në universitete, të vlerësohej, dhe përkrahej nga MASH, media dhe universitete të tjera të vendit si një veprim pozitiv në përputhje me nenin 33 të Ligjit të Arsimit të Lartë, ju kërkoni të na “kryqëzoni” dhe Rektorin ta “digjni” në turrën e druve si “heretik”, si antikonformist, i cili nuk pranon të zbatojë urdhra që janë në kundërshtim me ligjin, se një intelektual i guximshëm është i fortë dhe këtë forcë ia jep dija. Ju kujtojmë se në Rilindjen Evropiane lajtmotivi i intelektualeve ishte “Dija është forcë” në kundërshtim me mesjetarët, sipas të cilëve “Besimi është dija bazë”.
Por, pavarësisht këtyre, ne ndjehemi të vlerësuar, kur dëgjojmë shumë qytetarë e intelektualë, kur lexojmë me dhjetëra e-mail-e që na mbështesin dhe që thonë
“Bravo ju qoftë!” se universitetet u bënë më keq nga fillorja.
Desha të veçoj këtu gazetaren Edlira Gjoni të “Tirana Observer”, dt. 23 shtator, e cila thekson: “M’u duk i guximshëm dhe i drejtë vendimi i UV për të mos regjistruar në degët e tij studentë me mesatare poshtë gjashtës. Madje m’u duk i vonuar ky reagim në emër të cilësisë. Por atij vendimi që iu kundërvunë pa asnjë argumentim kandidatët për studentë, i erdhi menjëherë kundër edhe MASH. Për fat të keq!
Kur një nxënës është i paaftë të shkojë me mendtë e veta deri te pesa në gjimnaz, si ka mundësi të pretendojë që të pranohet në universitet për t’u diplomuar si avokat, gazetar, psikolog, matematikan, fizikan apo inxhinier?! E në vend që të frenohet çoroditja e tregut të vlerave, të të nxënit, ajo po nxitet akoma më shumë, kur në mënyrë zyrtare kandidatët për studentë poshtë gjashtës inkurajohen nga drejtoresha famëkeqe e MASH, zonja Elida Hoxha, se do të regjistrohen me patjetër nëpër fakultetet ku janë shpallur fitues.
MASH dhe ato mediet servile duhet të mësohen të mos bëjnë presione, kërcënime, “prerje kokash”, se vendimi i marrë nuk është dëshirë subjektive e një rektori, por një vendim kolegjial i një Senati me një ndërgjegje civile që kërkon t’i thotë STOP karton-diplomave pa vlerë, i mbështetur nga një staf akademik në unitet mendimi dhe veprimi, kur vjen fjala për cilësinë dhe pavarësinë akademike.
Këto janë parimet themelore të edukimit universitar të parashtruara në ligjin e Arsimit të Lartë, të miratuara në parlamentin shqiptar dhe ne do t’i mbrojmë me çdo kusht këto parime me fanatizëm, se universiteti nuk është pronë e MASH, por e popullit që paguajnë taksa për të arsimuar fëmijët e tyre dhe për t’i pajisur ata me diploma që të konkurrojnë me sukses, si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Dhe kushtet ne i kemi plotësuar.
Reforma që është bërë në administratë dhe sistemin informativ të UV ka realizuar një eficiencë, ku Universiteti i Vlorës funksionon si një universitet amerikan. Çdo student ka transkriptin e vet, merr informacion për orarin, programin, syllabuset, konsultat, qendrën tutoriale, notat për 48 orë, për gjithçka që i duhet. Kjo reformë kuptohet që e bëri administratën më efikase e me kosto më të ulët. Ky sistem dhe disa masa institucionale i lanë me gisht në gojë disa sekserë apo pedagogë e dallaveraxhinj, të cilët e kishin kthyer UV në qendër biznesi. Studentët u çliruan nga “gjobat e majme” të disa pedagogëve, të cilët tashmë bëjnë edhe peticione për heqjen e rektorit. Ky sistem largoi edhe shumë të tjerë, të cilët me ndërhyrjet e tyre, miqësitë e farefisnitë merrnin diploma kot. Atëherë, si mendoni ju, nuk mund të ngjallë reaksion një ndryshim i tillë, i cili çoi në minimizimin e korrupsionit dhe në zhvegjetimin intelektual të disa pedagogëve apo punonjësve që nuk u përgjigjeshin dot ndryshimeve të tilla? Për herë të parë në Universitetin e Vlorës u organizuan kurset verore për studentët, të cilët eliminuan vjeshtën dhe provimet e mbartura që ishin bërë “gangrena” e UV ose arena e pazarllëqeve për të marrë provimet me pará. Kuptohet se të gjitha këto ndryshime kanë irrituar dhe irritojnë të gjithë atë “ushtri” që kemi përmendur më lart, sepse gjithë këtyre njerëzve iu prenë të gjitha lidhjet dhe aksesi për të futur hundët në universitet. Për herë të parë pas 15 vjetëve u bë promovimi stafit me rigorozitetin më të lartë, sipas ligjit të Arsimit të Lartë. Edhe kjo ishte një arritje e paparë për UV, e cila me siguri ka irrituar ata pedagogë, të cilët për një kohë të gjatë vetëm kanë vegjetuar në UV dhe s’kanë bërë asnjë përpjekje për kualifikimin e tyre.
Atëherë, me të drejtë pyesim: A duhet t’i pritet koka rektorit për të gjitha këto ndryshime dhe arritje? Pavarësisht se ç’mendon zonja Elida Hoxha, Senati vendosi që mbi bazën e këtyre arritjeve kishte ardhur tashmë koha për cilësinë. Prandaj si fillim vuri mesataren 6 duke lënë hapur problemin për vitin tjetër për të vendosur për një mesatare mbi shtatë.
Këto janë argumentet tona, që besoj zonja Elida Hoxha duhet t’i gjejë të arsyeshme. Në qoftë se ju, zonja Elida, keni “argumente të tjera” përveç kokëfortësisë tuaj dhe dashakeqësisë ndaj UV dhe pretendimit se, meqenëse këtyre studentëve u ka dalë emri në gazetë, me patjetër të regjistrohen - dhe për këtë ju këmbëngulni, sepse e kuptoni që këtë katrahurë e keni bërë ju personalisht për neglizhencë apo për paaftësi, por ndërkaq nuk keni guximin të kërkoni falje ose të gjeni një rrugë për ta zgjidhur.
Rruga është e thjeshtë dhe mund t’jua tregojmë ne. Të gjithë ata studentë të përpunohen me formularin A3 për në universitete të tjera, të cilat kanë nevojë për studentë, përveç UV. Në rast të kundërt, në qoftë se ju do të vazhdoni të përdorni forcën apo të nxitni nëpërmjet medieve dhe gazetave studentët që të pushtojnë UV, atëherë dijeni se ju do të përballeni me një bojkot total, derisa problemi të zgjidhet.
Por ne shpresojmë dhe besojmë te profesor Tafaj, i cili këtë problem e gjen të mbartur nga paraardhësit. Për më tepër, në këto vitet e ardhshme kemi shansin të drejtohemi nga një akademik që e njeh me imtësi universitetin dhe Arsimin e Lartë dhe që tregon përkushtim e kujdes të veçantë për djemtë e vajzat shqiptare që kanë mbaruar jashtë vendit, të cilët, duke sakrifikuar edhe interesat e tyre personale me kontributin e tyre intelektual, po tregojnë se edhe në Shqipëri ka mundësi që një universitet të ndryshojë. Shembulli më i mirë për këtë është UV, shembull i cili duhet të përqafohet nga të gjitha universitetet e vendit.