E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Negociojmë kushtet ligjore, Gjiknuri: Kërkesat tona janë të tillaNga TemaKreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i ka bërë dje thirrje opozitës që të hyjë në parlament. Në një deklaratë Patozi është shprehur se PD është e

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

PD: Negociojmë kushtet ligjore, Gjiknuri: Kërkesat tona janë të tillaNga Tema

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i ka bërë dje thirrje opozitës që të hyjë në parlament. Në një deklaratë Patozi është shprehur se PD është e gatshme që të negociojë për kërkesat e Partisë Socialiste, me kushtin që ato të jenë brenda kuadrit ligjor. “Ne jemi plotësisht të gatshëm dhe të hapur për të shqyrtuar të gjitha pretendimet dhe kërkesat e tjera të Partisë Socialiste, me kushtin e vetëm që ato të jenë në respekt dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, - tha Patozi.

Sipas këtij të fundit, opozita duhet të rikthehet në parlament, edhe për faktin e vazhdimit të reformave, por edhe të shqyrtimit të mangësive të evidentuara nga ana e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 28 qershorit. “Ne e duam opozitën në parlament për të zhvilluar një debat normal politik në aulën e institucionit më të rëndësishëm të shtetit. Ne duam opozitën në Kuvend për të vijuar pa u ndalur reformat e mëdha integruese, për të cilat vendi ka nevojë jetike. Por mbi të gjitha ne duam që bashkë me opozitën të shqyrtojmë dhe trajtojmë me shumë seriozitet të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e raportit të OSBE/ODIHR. Kjo ka qenë një praktikë që është aplikuar me shumë sukses në legjislaturën e kaluar, kur ne miratuam ndryshimet kushtetuese dhe Kodin Elektoral, që na çoi drejt zgjedhjeve të 28 qershorit”, - përfundoi deklaratën Patozi.

Reagimi

Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, tha dje se procesi i hapjes së kutive të votimit është plotësisht ligjor dhe se deklarata e krerëve të mazhorancës është antiligjore, alibi për t’u larguar nga e vërteta e zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjiknuri tha se Partia Socialiste nuk po kërkon rinumërim apo rishikim të vendimeve administrative apo gjyqësore për rezultatin e zgjedhjeve, pasi këto vendime kanë marrë formë të prerë, dhe komisioni hetimor nuk është rruga ligjore për t’i shfuqizuar. Deputeti socialist tha se objekt i ankimimit të PS në Kolegjin Zgjedhor ka qenë shpallja e pavlefshme e vendimeve të KQZ, pasi nuk ishte marrë në konsideratë dispozita imperative për të drejtën e dy anëtarëve për të kërkuar rinumërim, dhe jo që gjykata të kryente rinumërimin fillestar siç pretendohet nga mazhoranca. “Alibia se kutitë e votimit nuk mund të hapen, pasi ka vendim gjykate, është një përpjekje tinëzare për të fshehur të vërtetën që ndodhet në këto kuti. Partia Socialiste përfiton nga rasti t’i kthehet edhe njëherë kushtit themelor të marrëdhënieve të kushtëzuara me Kuvendin, atë të hapjes së kutive problematike zgjedhore. Kundrejt kësaj kërkesë krejt legjitime, Berisha dhe mediet pranë tij kanë stisur justifikimin se ato nuk mund të hapen, se ka një vendim gjyqësor. Nisur nga kjo përpjekje tinëzare e mazhorancës, na lind detyrimi të sqarojmë opinion publik se kërkesa jonë është e drejtë dhe aspak në kundërshtim me ligjin. Duam të bëjmë me dije se Komisioni nuk do të zëvendësojë gjykatën, pasi nuk mund të marrë vendime për rezultatin e zgjedhjeve. Ajo çka kërkohet është brenda kuadrit kushtetues e ligjor që ka një komision hetimor, duke e veshur këtë me argumentet që ka dhënë edhe Gjykata Kushtetuese: “Qëllimi i ngritjes së komisioneve hetimore është për të njohur dhe verifikuar në thellësi një fenomen, një ngjarje, një veprimtari, me synimin që në përputhje me realitetin, të nxirren përfundime mbi nevojën e miratimit, plotësimit ose korrigjimit të ligjeve të veçanta apo të kontrollohet zbatimi i ligjeve, nxirret përgjegjësia mbi mënyrën e qeverisjes dhe bëhen rekomandimet përkatëse me qëllim parandalimin dhe eliminimin e fenomeneve negative, si dhe përmirësimin e gjendjes në të ardhmen”, - tha dje Gjiknuri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›