Libri i Hitlerit, Shoqata e Hebrenjve: Do hapim gjyq për të

Historiani Apostol Kotani
Pas botimit të Mein Kampf reagon Shoqata: Fyerje për hebrenjtë.
Shoqata shqiptaro-izraelite në Shqipëri po mendon seriozisht të ngrejë padi penale ndaj botuesit të librit të Hitlerit, Mein Kampf, i cili është hedhur në tregun shqiptar vetëm pak ditë më parë. Nga debati që po shkakton botimi i këtij libri, nuk mund të mbeten indiferentë edhe përfaqësuesit e shoqatës shqiptaro-izraelite, të cilët më shumë se kushdo tjetër janë të prekur nga kjo histori. Apostol Kotani, një nga historianët më të vjetër shqiptarë, që është marrë gjatë me historinë e marrëdhënieve shqiptaro-izraelite, e që ka botuar edhe disa vepra në lidhje me këtë çështje, shprehet se botimi në shqip i Mein Kampf është fyerje për popullin hebre, për vuajtjet e tij. Sipas tij, botimi i këtij libri në gjuhën shqipe fyen edhe vetë popullin shqiptar, që më shumë se askush tjetër i ka mbrojtur ata gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas tij, ky është një fakt i njohur botërisht dhe ardhja në shqip i Mein Kampf i duket tërësisht e pavend. Historiani Apostol Kotani, i cili është një nga themeluesit e Shoqatës së Miqësisë Shqiptaro-Izraelite, shprehet për mediat se kryesia e kësaj shoqate po diskuton dërgimin e çështjes në Gjykatë. Kështu që kjo histori nuk do të mbetet thjesht në kuadrin e debatit, por do të jetë drejtësia shqiptare që do të merret me këtë fakt. Deri në momentin që askush nuk bën një padi penale ndaj subjektit në fjalë, botimi në shqip i manifestit të Hitlerit mund të ndiqej vetëm nga Zyra Shqiptare e të Drejtave të Autorit, e cila mund ta penalizojë shtëpinë botuese Belina H vetëm me një gjobë. Që çështja të ndiqej në rrugë ligjore, duhej patjetër që një organizatë, qoftë kjo edhe e të drejtave të njeriut, të ngrinte padinë penale për nxitje të urrejtjes, që ajo të merret përsipër nga gjykata shqiptare. Edhe pse Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Izrael nuk e ka vendosur ende se çdo të bëhet në këtë rast, nuk përjashtohet mundësia që të jetë gjykata ajo që do ta ndajë dilemën mes lirisë së shtypit dhe nxitjes së urrejtjes. Nëse do të rezultojë kjo e fundit, botuesi Beqir Haluli, mund të rrezikojë edhe dënimin me heqje lirie. Në bazë të nenit 265 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë: Nxitja e urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve. Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve raciale, nacionale ose fetare, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja me qëllim përhapjeje e shkrimeve me përmbajtje të tillë, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.
Zyra e të Drejtave të Autorit
Ne e gjobisim, padinë e bën Landi i Bavarisë
Liri shtypi, apo nxitje e urrejtjes racore? Kjo është dilema para së cilës janë vendosur shumë njerëz të fushës së botimeve këto ditë. Por për Zyrën Shqiptare të të Drejtave të Autorit nuk duhet të ketë mëdyshje. Ajo funksionon në bazë të ligjit. Duke qenë se shtëpia botuese Belina H nuk disponon të drejtat e autorit për botimin e librit Mein kampf të Adolf Hitlerit, autoriteti që duhet të hyjë në lojë është pikërisht ZSHDA. Pas shpërthimit të debatit mbi botimin e librit të Hitlerit, u interesuam pranë këtij institucioni, i cili ishte vënë në dijeni të botimit të Mein kampf pikërisht nga mediat. Nga shqyrtimi i të dhënave në regjistrat administrativë të të drejtave të autorit në ZSHDA, rezultoi se ky subjekt nuk është i regjistruar si subjekt botues për aktivitetin e tij dhe nuk ka depozituar për regjistrim sipas dispozitave të ligjit Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të, të ndryshuar, asnjë kontratë për përkthimin, botimin, shpërndarjen e këtij libri në gjuhën shqipe me mbajtësin e ligjshëm të së drejtës së autorit të kësaj vepre, na bëjnë me dije specialistët e kësaj ZSHDA. Aty gjithashtu informohemi se që prej vitit 1945 (pas vdekjes së Hitlerit), mbajtës i ligjshëm i të drejtës së autorit për këtë vepër është shteti gjerman, Landi i Bavarisë e nga sa mësojmë, të marrësh këtë të drejtë është jashtëzakonisht e vështirë. Duke iu referuar ligjit Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të, konsiderohet kundërvajtje administrative dhe që ndëshkohet me gjobë çdo subjekt që vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji duke riprodhuar/botuar veprën pa titull të ligjshëm, pa autorizim/ kontratë me shkrim, nga autori ose të mbajtësit të së drejtës. Menjëherë pas publikimit të lajmit për botimin e Mein kampf në shqip, ZSHDA iu drejtua institucioneve shtetërore QKR dhe DPT për të marrë informacionin zyrtar mbi shtëpinë botuese Belina H, me qëllim ushtrimin e kontrollit dhe inspektimit të këtij subjekti dhe marrja e masave të mëtejshme, që sipas nenit 130 të LDA, është sanksionimi me gjobë. Por, përveç legjislacionit për të drejtat e autorit, është edhe Kodi Penal që parashikon në Nenin 149 si kundërvajtje penale riprodhimin e plotë ose të pjesshëm të veprës, pa autorizim të autorit apo mbajtësit të kësaj të drejte si në rastin e Mein kampf. E në këtë rast penalizimi është më i ashpër. Varion nga gjobitja te dënimi me 2 vjet heqje lirie. Por, në këtë drejtim, Zyra e të Drejtave të Autorit i ka duart e lidhura. Të drejtën e procedimit penal për shkeljen e mësipërme e mban vetëm titullari i ligjshëm i të drejtës së autorit të veprës, të cilit i janë shkelur të drejtat e autorit dhe është i dëmtuar nga vepra penale, sipas Neni 59 i Kodit të Procedurës Penale. Pra ZSHDA nuk e ka kompetencën ligjore të veprojë e ndërhyjë ex-officio për të nisur procedimin gjyqësor penal apo civil sipas ligjit të saj organik, përveç se përfaqësuesi ligjor i mbajtësit të të drejtave të autorit mbi vepër, pra shteti gjerman, shprehen specialistët e zyrës së shtypit pranë ZSHDA-së.
Mark Marku: Libri duhet të bëjë jetën e vet
Në kushtet e sotshme libri mund të sigurohet edhe në gjuhë të huaj, pra ai që dëshiron ta lexojë, e gjen mundësinë. Parimisht, duke ndaluar diçka, nxisim edhe më shumë kureshtjen. Nga pikëpamja kulturore, është mirë që libri të bëjë jetën e vet dhe lexuesi mund të mbajë një qëndrim të ftohtë ndaj tij, thotë Mark Marku. Sipas tij, ky botim nuk përbën ndonjë rrezik dhe nuk jemi në rastet e ndalimit të librit. Në kushtet e Europës së sotshme është e vështirë që të nxisë lëvizje naziste. Përpara Luftës së Dytë Botërore, nazizmi ka shfrytëzuar rrethanat e caktuara ekonomike, politike, shoqërore, të cilat nuk janë sot, megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk duhet të jemi vigjilentë, pasi historia edhe mund të përsëritet, thotë ai teksa shton se botimi i këtij libri duhej shoqëruar me një parathënie të mirë, debatet dhe kritikën përkatëse. Sa i përket shkeljes së të drejtave të autorit, ai thotë se me ligj kjo kundërvajtje ndëshkohet.
Auron Tare: Kush do, e blen on line
Për mendimin tim, botimi i librit të Hitlerit në shqip nuk përbën një temë për debat. Amazon.com, gjiganti i shitjeve online, shet Mein kampf online dhe nëse dikush dëshiron ta blejë, e ka në shtëpi brenda dy ditëve. Ai është një libër i botuar në shumë gjuhë të huaja dhe kush është i interesuar, e lexon në anglisht, frëngjisht etj. Në vendet normale ky libër ka kohë që qarkullon. Doktrina naziste është e falimentuar, që i përket historisë, por si pjesë e historisë nuk mund të fshihet apo zhduket duke ndaluar librat. Fashizmi, nazizmi, komunizmi janë doktrina, të cilat influencuan jetën e miliona njerëzve dhe Adolf Hitleri, ashtu si S
