E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiste për ti bërë dhurata të dashurës

TIRANE – Një 15-vjeçar i akuzuar për vjedhjen e banesave të dy biznesmenëve dhe për gjobëvënie ndaj një bashkëmoshatari, u arrestua nga policia e Vorës në një hotel në autostradën Tiranë-Durrës. Adoleshenti po qëndronte në hotel me të dashurën, një femër tre vjet më e madhe. Dyshohet se shumat e parave 15-vjeçari i ka shpenzuar pikërisht me këtë femër. Sipas Policisë, i dyshuari është Xhoni A., i proceduar edhe më parë për vjedhje. Ai ishte shpallur në kërkim që prej datës 14 shkurt, kur nga verifikimi i gjurmëve të gishtave rezultoi të ishte autor i vjedhjes së banesës së shtetasit Edmond Xhanani, banues në Vorë. Në banesën e Xhananit ai kishte arritur të vidhte 20 mijë lekë, si dhe disa bizhuteri floriri. Gjatë deklarimeve që 15-vjeçari i arrestuar dha dje në polici, këtë ngjarje e justifikoi me festën e Shën Valentinit, duke u shprehur se paratë dhe bizhuteritë i nevojiteshin për dhuratë dhe për të festuar me të dashurën. Por vetëm disa ditë më pas, më 21 shkurt, ai u dyshua edhe për vjedhjen e banesës së një biznesmeni po në Vorë. I dyshuari Xhoni A., duke përfituar nga mungesa e pjesëtarëve të familjes së shtetasit Florjan Elezi, pronar i një fabrike bojërash plastike, është futur dhe ka vjedhur para e bizhuteri. Adoleshenti ka arritur të futet në vilën e biznesmenit duke përdorur një kartë nga ato që përdoren për rimbushjen e kartave SIM të celularëve. Në kasafortën që ka gjetur hapur në dhomën e fjetjes së Elezit, ka arritur të vjedhë rreth një milion lekë, si dhe disa bizhuteri floriri me vlerë të konsiderueshme. Në këtë ngjarje policia ka zbuluar gjurmët e tij të gishtave, duke nisur procedim penal. Ndërsa sipas burimeve nga Policia e Tiranës, dy ditë para arrestimit, 15-vjeçari i ka vënë gjobë një bashkëmoshatarit të tij, duke e kërcënuar se do ta vriste në rast se nuk do t’i jepte 60 mijë lekë. I frikësuar, adoleshenti është detyruar t’i japë paratë, pasi Xhoni A. ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij. Edhe për dy ngjarjet e fundit i arrestuari ka dhënë të njëjtin arsyetim për vjedhjen, që paratë i shpenzonte me të dashurën 18-vjeçare. Në momentin e arrestimit të tij, policia ka shoqëruar edhe vajzën që ndodhej me të në hotel, e cila nga deklarimet rezultoi që nuk kishte dijeni për veprimet e të dashurit të saj dhe u la e lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›