Libri për tim atë, ishte komunist i zhgënjyer!
Një libër pothuajse roman - për vetveten - kjo fjali shoqëron kopertinën e librit më të ri të shkrimtarit Fatos Kongoli, me titullin “Iluzione në sirtar” të mbërritur dje në Tiranë, pas gati katër muaj nga dalja në qarkullim. Në Muzeun Historik Kombëtar, botuesja e “Toenës”, Irena Toçi, e ka lidhur jo pa qëllim “njeriun e mirë”, shkrimtarin me të gjitha krahët politike në Shqipëri. Në këto ditë kur fushata është në kulm të “histerisë” politike, Kongoli ul kokën kur dëgjon vlerësimin që i është bërë qoftë nga Ministria e Kulturës (në pushtet e djathtë) që i ka dhënë tri herë çmim të madh letrar në vend, qoftë nga Kuvendi shqiptar që i ka hapur dyert për ta promovuar në “sofrën politike”, si leksion për ndrojtjen e sinqeritetin, qoftë dhe Bashkia e Tiranës me nderimin “Qytetar Nderi”. Si duket i ka takuar kjo kujtesë Kongolit pasi libri i tij i ri nuk është hollë-hollë roman, por një rrëfim autobiografik, me të cilin ka dashur edhe një lloj eksperimenti për t’iu kthyer dy linjave: librave të tij dhe jetës së tij!
Por çfarë e lidh këtë kontekst më shumë për Kongolin është fjala “iluzion”, ku ka dëshmuar dje në promovim se i dedikohet një personazhi të rëndësishëm. “Është fjala për tim atë, - ka thënë Kongoli, - ka qenë muzikant, i formuar. Ka studiuar jashtë, në Itali. Përqafoi atje idetë komuniste të Antonio Gramshit”.
Por kur është kthyer në Shqipëri dhe u takua me regjimin e Enver Hoxhës, u zhgënjye. “Kështu mbeti deri në fund të jetës”, - tha shkurt historinë Kongoli, që bën një anë të “iluzionit” të librit të ri.
Si përherë në çehren e ndrojtjes, Kongoli, gjithmonë fjalën e parë e ka: Nuk kam dhunti me fol për librat e mi. Këtë libër ai e ka cilësuar si moment reflektimi duke kujtuar se pasi mbaroi romanin “Bolero në vilën e pleqve”, kishte pikërisht ide për një libër të tillë; pothuajse roman. E quan kështu duke shpjeguar se është mbushur me ngjarje dramatike. Duke qenë në thelb një libër kujtimesh, Kongoli ka lajmëruar se lexuesit që njohin librat e tij do të gjejnë momente të njohura. Prej këtej i del edhe përgjigja për pyetjen nëse romanet e tij janë autobiografikë: është evazive, po edhe jo - thotë. Kjo e fundit “Iluzionet në sirtar” shkrimtari tregon se ka ndodhi të vërteta, me ngarkesë të rëndë emocionale. “Kisha frikë të shkruaja kujtime, duke menduar se kjo të nxjerr jashtë loje. Por këto që kam shkruar nuk janë thjesht kujtime por rrëfime”, sikur shkrimtari të jetë nxitur vërtetë nga një paranojë që e shkatërron edhe një njeri të zakonshëm, e jo më një shkrimtar. “Është një shpjegim i vetvetes”, - thotë për librin.
Në retorikën, vetëpërgjigjen për pyetjen se si është ndjerë, Kongoli tregon: “Ka gjëra prej të cilave nuk çlirohesh dot kurrë, por të paktën kur ajo rrëfehet sa janë bashkëkohësit e tu ende gjallë, të paraqitesh përpara tyre pa pasur frikë- kjo më jep të shpjegoj vetveten, shpjegon rrëfimin”. Pse iluzione? Pas këtij rrëfimi në promovim, dje, Kongoli ka shkuar në zonën e errët të ndërgjegjes, të së vërtetës së tij personale sa është në kohë duke treguar historinë e të atit, se si u shkollua në Itali, dhe mori prej andej idealet komuniste, dhe kthimi plot iluzion në Shqipëri deri në vdekje.
Me një xhentilesë pariziene, përkthyesi historik i librave të Kongolit në gjuhën frënge, Edmond Tupja, që e lidh një miqësi e vjetër me shkrimtarin, tha: Fatosi një shkrimtar që ndjek skenën e Bing Bengut ku mblidhen copëra vetëdijeje dhe pavetëdijeje, ku gjuha e personazheve ka nga pak Kongol, kulmi kur tek të dhënat fizike - të gjitha këto copëza e kthejnë Fatosin tek vetvetja. Ky është iluzioni në sirtar, rrengu i fatit.
Fatosi është modest, që e njohim me veprën e tij; ky është një katarsis që ndjek itinerarin e një shkrimtari përpara një publiku mistrec si ne - tha Tupja. Ndërsa ka shprehur një pjesë të optimizmit a ndonjë paralajmërimi profetik se ky libër për Kongolin është një pauzë, pas të cilit do të jetë në gjendje të shkruajë edhe 10 romane të tjera. /Standard/