Libri shqip i kthehet Ulqinit
Ulqini pret për të dhjetin vit radhazi panairin e librit, “Ulqini 2010”. Nga data 28 korrik e deri më 4 gusht ky edicion do të presë, sikundër edhe vitet e shkuara, shkrimtarë, poetë, akademikë e politikanë, të cilët vijnë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Bosnja etj. Stendat do të vendosen në pjesën bregdetare të qytetit të Ulqinit, në vendin e quajtur Plazhi i Vogël. Do të jenë ministrat e Kulturës të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës të ftuarit specialë në ceremoninë e çeljes së panairit. Sipas kryetarit i të Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, prania e ministrave të Kulturës nuk do të jenë vetëm zyrtare në këtë ngjarje të rëndësishme për kulturën e rajonit, por do të shfrytëzohet edhe për bisedime për realizimin e ideve të bashkëpunimit ndërkulturor. Ndërkaq, përfaqësuesit më të rëndësishëm të botimeve shqiptare në këto 15 vitet e fundit do të jenë të pranishëm në këtë veprimtari të rëndësishme kushtuar librit. Mbi 60 botues do të marrin pjesë gjatë ditëve të panairit, ose do të dërgojnë botimet e tyre më të mira të përfaqësuara nëpërmjet agjencive të shpërndarjes së librit. Veç librave nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, do të ekspozohen libra e do të marrin pjesë botues edhe nga Mali i Zi, Bosnja e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike. Në këtë edicion të dhjetë të panairit të librit në Ulqin parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen për shitje mbi 6000 tituj librash, nga të cilët mbi 500 janë tituj të rinj. Letërsi artistike, autorë shqiptarë e të huaj, histori, botime enciklopedike, guida turistike e harta të çdo lloji, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për zanate e profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh do të jenë librat që do të paraqiten para lexuesve ulqinakë e pushuesve të huaj. Ashtu siç ka ndodhur edhe në edicionet e shkuara, nuk do të mungojnë as këtë vit të ftuarit specialë të panairit, personalitete që i përkasin fushës së kulturës, letrave, akademikë etj. Këtë vit, në edicionin e 10-të të tij, të ftuar të veçantë dhe në qendër të vëmendjes së publikut bashkë me veprën e tyre do të jetë shkrimtari Besnik Mustafaj nga Shqipëria, me veprat e botuara në shtëpinë botuese “Toena”, si: “Boshi”, “Daullja prej letre”, “Fletorja rezervat”, “Midis krimeve dhe mirazheve” etj. Ndërkaq një tjetër i ftuar nderi do të jetë edhe një shkrimtar i njohur nga Mali i Zi, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur. Mbrëmja e ditës së dytë të dhe të tretë të panairit do t’u kushtohet ekskluzivisht atyre dhe kontributit që kanë me veprën e botuar dhe veprimtarinë akademike. Për këto figura të njohura në rajonin tonë do të flasin gjerësisht studiuesit Piro Misha e akademiku Josif Papagjoni, si dhe botuesja Irena Toçi. Nuk do të mungojë edhe një takim me studiuesin dhe eseistin malazez, Andreji Nikolaidis. Gjatë ditëve të panairit nuk do të mungojë edhe prania e shkrimtarëve nëpër stendat përkatëse. Vitet e kaluara shiritin e inaugurimit të kësaj veprimtarie e kanë prerë personalitete të tilla si Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Fatos Kongoli, Ali Podrimja, Jevren Brkoviq, Luan Starova, Zuvdi Hoxhiq, Sreten Asanoviq etj. Pas përfundimit të panairit në Ulqin, veprimtaria do të zhvendoset në Shqipëri po në vende bregdetare turistike, si në Sarandë e Vlorë. Organizatorët e kësaj veprimtarie të rëndësishme rajonale janë Komuna e Ulqinit dhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë.
#