Nën mallkimin e gjakmarrjes
Një zonë e bukur fshatare, por shtëpia ngjan e mbyllur si një piramidë e alarmuar, dritare të mbyllura me hekura si burg, masivë të rëndë guri rreth portës, dhe mbi mure fjalë të zbehta. Kjo është pamja e një burgu të vërtetë që të ofron mallkimi i “kuq” i gjakmarrjes. Një vatër familjare e izoluar dhe e burgosur nga ky fenomen i hidhur. O Atdhe, klithin i zoti i shtëpisë, një kritik muzike (Mirush Kabashi), dhe fëmijët e tij (Gazmend Paja dhe Xheni Fama), dhe kjo tingëllon si krenari dhe akuzë njëkohësisht. “Allegretto Albania”, pjesa e autorit shqiptar Stefan çapaliku, e vënë në skenë nga Altin Basha, në kuadër të bienales teatrore, një pjesë e re nga Europa, interpretohet në skenën e vogël të Teatrit shtetëror të Mainz-it me një dozë të thellë sarkazme për temën e gjakmarrjes dhe nxjerr në pah krahas kësaj kodin e një vendi ballkanik të izoluar për vite e vite të tëra. Thjesht pse një kushëri i familjes ka kryer një vrasje, njerëzit e viktimës kërkojnë kokën e më të mirit të farefisit, që në këtë rast është e kritikut. Nën këtë atmosfere drithëruese të vdekjes, të shkëputur krejtësisht nga bota që i rrethon, zhvillohet një psikodinamikë e anëtarëve të familjes të cilët ndjehen robër të vdekjes dhe dëshirës për të mbijetuar. Ndërsa të bijtë jetojnë nën përpjekjen herë-herë tallëse për të kapërcyer situatën, është babai ai që zhvillon një luftë nervash ndërmjet rolit të tij si viktimë e hamendësuar, dhe e të revoltuarit nga një situatë e padrejte që ia kanë krijuar. çapaliku trajton pikërisht këtë paranojë të jetuari, i mbyllur në kafaz (burg), e ndërthurur kjo edhe me një satirë të fuqishme, duke sjellë në “ndihmë” një projekt për luftën kundër gjakmarrjes, një lap-top i cili do mbante korrespondencë ndërmjet viktimës dhe shpaguesit, duke lidhur në këtë mënyrë ritin e dhunshëm të gjakmarrjes me lartësinë e kohës në të cilën jetojmë. Edhe pse disa skena dramaturgjike shfaqen të zbrazëta, dhe ndonjë figurë në simboliken e vet disi në sfond, karakteret shfaqen të përforcuara si të skanuar në një aparat radioskopik (rontgeni), ku mund të dallojmë qartazi portretet-skelet të një shtëpie të vdekurish që personifikon Shqipërinë. Në këtë mënyrë, inskenimet hedhin një dritë të lehtë mbi këtë vend të harruar lindor, ku ligje krejtësisht të ndryshme nga tonat, akuzojnë njëkohësisht burokracinë e Brukselit. Ai nuk e kishte mbështetur as komunizmin dhe as korrupsionin në vendin e tij dhe kjo e bën kryetarin e familjes të tërhiqet nga çfarë e rrethon drejt një monologu të errët si nata. Duke parë se çfarë kanë arritur të tjerët, kjo nuk është thjesht një tragjedi hakmarrjeje, por një tragjedi e gjithë shqiptarëve. Dhe për fat të keq ka kaq pak shpresë.
Artikull i botuar në gazetën gjermane, "Francfurt Alemanje Zaitung"
#