E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librit nuk i kushtohet kujdes i merituar

Nga Express më 25 prill 2011 në ora 10:49

Në Kosovë librit i kushtohet pak rëndësi. Shitësit e librit këtë fakt e ndërlidhin me gjendjen e rëndë ekonomike, ndërsa lexuesit thonë se nevojitet një vetëdijesim më i madh i të rinjve.
Njëri nga shitësit e librit, Sami Dinbeqiri, thotë se interesimi për të lexuar në Kosovë është i nivelit mesatar dhe se libri nuk e ka kujdesin e merituar nga ana e lexuesve.

“Këtu te ne mungon një kulturë e leximit, krahasuar me vendet e rajonit. Atje lexojnë shumë më shumë se në Kosovë, por ndoshta për këtë ndikon edhe situata e vështirë ekonomike”, ka thënë Binbeqiri.

Nga ana tjetër, qytetarët vlerësojnë se libri është pasuri që duhet kultivuar vazhdimisht. Visar Ahmetgjekaj thotë se atij i pëlqen të lexojë literaturë shkencore, vepra të shkrimtarëve të huaj, histori të kombeve, diplomaci ndërkombëtare etj.

“Unë i kushtoj mjaft kohë leximit të librit. Leximi i librit është shumë efektiv dhe pjesë e kulturës së popullit. Unë shoh shumë qytetarë që e humbin kohën dhe nuk lexojnë. Mënyra më e mirë për të shfrytëzuar kohën e lirë është të lexosh libra. Libri është një dritare e shpirtit të kombit”, thekson ai.

Ndërkaq Ismail Tahiri, i cili jeton në Zvicër, thotë se sa herë që viziton Kosovë, furnizohet me lloje të ndryshme të titujve. Ai thekson se krahasuar me Zvicrën, në Kosovë librit i kushtohet shumë më pak kujdes dhe se lexohet shumë më pak. “Ne interesimin për librin e kemi të madh, për librin shqip, pasi që jetojmë në kurbet… Zakonisht,lexojmë shkrimtarët më të mirë apo më të njohur, siç është Kadare”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›