Licencimi, në nëntor provimi i shtetit për mësuesit
Licencimi i mësuesve do të fillojë në nëntor të këtij viti. Vetëm mësuesit që kanë ‘master’ dhe që kanë bërë praktikën, mund të hyjnë në provimin e shtetit. Ky fakt bëhet i ditur nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Petraq Papajorgji. Ky institucion do të organizojë edhe provimet e shtetit për profesionet e licencuara dhe për këtë arsye pranë kësaj agjencie është krijuar edhe një drejtori e re, që është Drejtoria e Provimeve të Shtetit. Në një intervistë të dhënë për revistën “Mësuesi”, drejtori i AKP-së shprehet se për profesionet e rregulluara me ligj, një ndër të cilat është edhe mësuesia, pranë AKP-së do të ndërtohet një sistem informacioni kombëtar, që do të mbledhë dhe përpunojë informacionin në sistemin arsimor të vendit, për t’i dhënë mundësi Ministrisë së Arsimit të llogarisë të gjithë treguesit e nevojshëm për mbarëvajtjen e procesit mësimor. Ndërsa lidhur me bashkëpunimin që mendohet të ketë në nivel rajonal e ndërkombëtar për këtë proces, profesor Petraq Papajorgji shprehet: “Jemi duke analizuar me detaje procesin e organizimit të testeve në disa vende të botës, si: ShBA, Angli, Francë, Austri, Itali etj. Me ndihmën e Bankës Botërore, jemi duke ndërtuar një sistem informacioni modern, që do të përdoret për menaxhimin e shkollave të mesme fillimisht, në të gjithë vendin. Projekti është kompleks dhe përdorimi i tij në praktikë nuk do të jetë i thjeshtë, do të kërkojë ndërgjegjësimin e mësuesve dhe drejtuesve të shkollave për rëndësinë e përdorimit racional të tij. Do të jetë një proces që do të kërkojë trajnimin e vazhdueshëm të mësuesve, drejtuesve dhe mendohet të vihet në shfrytëzim me faza”. Sipas rregullores së MASH-it drejtuar drejtorive dhe zyrave arsimore, “Për kualifikimin e drejtuesve të institucioneve parashkollore dhe shkollave”, duke filluar nga viti shkollor 2010-2011, duhet të zhvillohen procedurat e kualifikimit të drejtuesve në përputhje me rregulloren. Deri më tani, këtij procesi parashikohet t’i nënshtrohen gati 3 mijë drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar, pasi, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Arsimit, bëhet e ditur se në vend numërohen 2 mijë drejtorë shkollash, ndërsa pjesa tjetër, pra 1 mijë, janë nëndrejtorë. Ndërsa për të bërë një ndarje midis drejtuesve të çerdheve e kopshteve me ata të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, MASH ka vendosur që certifikatat e drejtuesit të jenë dy llojesh: certifikata e drejtuesit për institucionet parashkollore dhe certifikata e drejtuesit për institucionet e arsimit bazë dhe ato të arsimit të mesëm (gjimnazi, shkollat profesionale dhe social-kulturore). Ndërkaq, në rregullore janë përcaktuar edhe raste të veçanta për kandidatët që do të lejohen të hyjnë në provimin e kualifikimit pa marrë pjesë në trajnime, nëse dëshirojnë. Kështu, do të lejohen të hyjnë në provimin e kualifikimit pa marrë pjesë në trajnime: personat që kanë kryer studime universitare të ciklit të dytë ose të tretë në fushën e drejtimit, administrimit dhe menaxhimit të arsimit në shkolla të larta të akredituara; personat që ushtrojnë detyrën e drejtorit të institucionit arsimor të paktën 5 vite të plota shkollore të njëpasnjëshme deri në datën e nxjerrjes së udhëzimit të ministrit për kualifikimin e drejtuesve (datë 22.11.2010); personat që kanë ushtruar detyrën e drejtorit të institucionit arsimor për të paktën 10 vite të plota shkollore jo të njëpasnjëshme deri në datën e nxjerrjes së udhëzimit të ministrit për kualifikimin e drejtuesve. Ndërsa lidhur me kriteret që duhen për të kandiduar për drejtues, në rregullore është përcaktuar që “aplikon për të fituar certifikatën e drejtuesit personi: që ka kryer studime universitare të ciklit të dytë ose të tretë në fushën e drejtimit, administrimit dhe menaxhimit të arsimit; ose ka marrë diplomën e mësuesit sipas kritereve të nivelit përkatës të arsimit, ka të paktën kategorinë e tretë të kualifikimit të mësuesve dhe në provimin e kualifikimit të mësuesve është vlerësuar të paktën ‘Mir뒔. Gjithashtu, personat, të cilët aplikojnë për certifikatën e drejtuesit nuk duhet të jenë në proces administrativ ose penal dhe duhet të paraqesin dy rekomandime pozitive nga eprorë të drejtpërdrejtë me të cilët kanë punuar gjatë pesë viteve të fundit. Kurse për profesionin e mësuesit, provimi i shtetit propozohet të realizohet për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar (edukator kopshti), mësuesit e arsimit bazë (të detyruar, 9-vjeçar) dhe atij të mesëm (klasa X-XIII), pasi kanë mbaruar kualifikimin bazë (Bachelor) prej 3 vitesh dhe studimet Master.