Licensa e dytë 3G fitohet nga AMC
Kompania telefonike celulare AMC, fiton licencën e dytë 3G në Shqipëri.
Kjo kompani ka ofruar 15.1 milionë euro për licencën e dytë të teknologjisë së gjeneratës së tretë 3G.
Hapja e ofertave u bë në mjediset e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe oferta e “AMC” rezultoi më e larta, ndërkohë që operatori tjetër celular, “Eagle Mobile” ofroi 12.9 milionë euro.
Vlera e përcaktuar nga qeveria si çmim dysheme për kualifikimin e ofertave ishte 12.5 milionë euro.
Rregullorja e tenderit parashikon se vlera e ofertës do të zërë 90% të totalit të pikëve, ndërsa koha e mbulimit me rrjet do të zërë vetëm 10 pikë nga 100 të mundshmet.
Fituesi pritet të shpallet zyrtarisht gjatë ditëve të ardhshme.
Teknologjia 3G mundëson ofrimin e shërbimit të internetit me një shpejtësi më të lartë se ajo e brezit tradicional GSM. Aktualisht, Shqipëria ka vetëm një operator 3G, “Vodafone Albania”, që vjeshtën e kaluar fitoi garën për licencën e parë, duke ofruar 31.4 milionë euro.