Paralajmërohen protesta në Luginë
Sipas kryetarit të Asamblesë Komunale të Bujanocit, Jonuz Musliu, gjatë muajit shtator do të mbahen dy protesta gjithëpopullore, e në nëntor edhe një protestë tjetër.
“Protesta e parë do të mbahet më 13 shtator, në Bujanoc, për të shprehur revoltën për gjendjen alarmante në arsim, për mungesën e teksteve në gjuhën shqipe dhe për ngecjet e përgjithshme në të gjitha sferat për shqiptarët e këtij rajoni. Protesta e dytë është paralajmëruar të mbahet më 21 shtator, në Preshevë, me qëllim që Beogradit zyrtar t’i përkujtohet për diskriminimin e shqiptarëve në politikë, ekonomi e kulturë, por edhe për mungesën e sigurisë, etj. Ndërkaq, protesta e tretë do të mbahet më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit”, deklaroi Musliu.
Vendimin për mbajtjen e protestave e ka miratuar edhe Kuvendi i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që përbëhet nga këshilltarët e tri komunave të Luginës, atyre të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.