E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liderët botërorë përshëndesin masat drastike në Evropë

Evropa fitoi mbështetjen e liderëve të botës, për një peizazh bankar më të bashkuar, pavarësisht trysnive për masa të forta me qëllim trajtimin e krizës së borxheve, që rrezikon ekonominë globale.

Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se ndjenja e urgjencës në mesin e liderëve evropianë ishte e qartë dhe ata e dinë se çfarë hapa janë të nevojshme për të kaluar ethet e krizës borxhit. "Problemi nuk do të zgjidhet javën tjetër apo muajin e ardhshëm, por fakti është se Evropa është duke shkuar drejt integrimit të mëtejshëm dhe jo të shpërbërjes", tha Obama pas përfundimit të takimit dy-ditor në Los Campos.

Sekretari amerikan i Thesarit, Timothy Geithner, tha se një strukturë e fortë për një sistem të vetëm bankar dhe financiar, si dhe forcimi i monedhës së përbashkët do të forcojë rritjen ekonomike dhe do të zvogëlojë kostot e dhimbshme të vendeve në borxh.

Kreu i FMN-së, Christine Lagarde, e përshëndeti përparimin duke thënë se "fara e mbjellë do të sjellë shërimin, pa marrë parasysh nëse kjo merr një kohë të gjatë" dhe shtoi se duhet të ndiqen në mënyrë paralele masa të menjëhershme dhe afatgjata.

Lidhur me Greqinë, ajo deklaroi se treshja, ku bën pjesë edhe FMN, po pret krijimin e qeverisë greke në mënyrë që menjëherë të dërgojë misionin e saj në Athinë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›